Dimitrov: Nuk u tërhoqa vetë, qëndrimet e mia për ngërçin me Sofjen janë arsyeja pse nuk jam pjesë e qeverisë

Unë jam pengesë në Qeveri për zgjidhje të keqe të kontestit me Bullgarinë”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov në konferencën e sotme për media, e fundit si funksionar i Qeverisë. Ai tha se ka pasur një betejë serioze brenda qeverisë për qëndrimet kombëtare për mosmarrëveshjen me Bullgarinë dhe pikërisht për shkak të pozicioneve të ndryshme nuk ëshët pjesë e qeverisë së re. Dimitrov po ashtu tha se nuk i beson ministrit të Jashtëm Bujar Osmani për negociatat me Bullgarinë për heqjen e vetos për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, transmeton Portalb.mk.

“Dua të demantoj që jam tërhequr vetë. Kjo nuk është e saktë. Unë nuk jam njeri që tërhiqem nga betejat. Nuk u tërhoqa pasi ndjejë përgjegjësi dhe konsideroj se qëndrimet që përfaqësoj në procesin e negociatave me Bullgarinë janë të sakta dhe është e rëndësishme që ato të ruhen. Kam pasur një betejë serioze brenda, sidomos vitin e fundit, për sa i përket përcaktimit të pozicioneve kombëtare, domethënë për vetë thelbin e shqetësimit, por edhe strategjisë, përkatësisht vetë rrjedhës së negociatave. Ajo betejë nuk ishte sekret. Dallimet ishin evidente si në mesazhet publike ashtu edhe në daljet publike, tha Dimitrov në konferencën e sotme për media.

Siç theksoi ai, në dy raste kur ajo  nuk e di – një herë në Bruksel, një herë në Shkup, ai e bëri të qartë se nuk do të lejojë kalimin e kufijve të caktuar me asnjë kusht dhe më së paku me çmimin  e pozitës së tij në Qeveri, duke theksuar se me këtë ka bërë të ditur se me të brenda, për disa gjëra thjesht nuk mund të bisedohet.

“Unë isha dhe jam plotësisht i përgatitur për të vazhduar këtë betejë pavarësisht pozicionit apo funksionit. Në karrierën time në këtë punë kam takuar shumë njerëz me ndikim që nuk kanë pasur funksion, ndërsa kam takuar edhe të till që janë në pozicion, por nuk kanë peshë”, tha zëvendëskryeministri Dimitrov. 

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Dimitrov tha se në procesin e negociatave ka njerëz të cilëve nuk u beson, e në mesin e tyre është edhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

“Po, nuk kam besim te Osmani për çështjen me Bullgarinë. Kam një ndjenjë se ka përpjekje për sukses me çdo kusht, e cila është e rrezikshme dhe joproduktive. Shpresoj ta kem gabim, por po ndihem kështu. Për Vllado Buçkovskin do të them se nuk kemi qenë në të njëjtën linjë me qëndrimet”, tha zëvendëskryeministri.

Ai thekson se krahas faktit që për pozicionet e tij nuk kishte vend në qeverinë e ardhshme, nuk është befasuar nga oferta për të qenë ambasador në Uashington. Kjo, theksoi Dimitrov, jo vetëm që do ta largonte nga shtëpia, por edhe do t’ia lidhte fjalën, pasi siç tha ai, diplomatët në detyrë nuk kanë të drejtë të jenë të zëshëm dhe të luftojnë publikisht për qëndrimet e tyre në shtëpi.

“Kur refuzova Uashingtonin, gjatë rrugës mora edhe një ofertë tjetër, të jem ambasador, ndoshta në ndonjë vend tjetër. Madje edhe të zgjedh. Kuptova se padyshim investimi i dikujt për të mos qenë në shtëpi, dhe për rrjedhojë dobësimi i zërave që janë në linjë në negociatat për të cilat unë po luftoj, është i madh. Interesi për të mos më pasur nuk është vetëm shtëpiak. Shumë persona te fqinji do të jenë po aq të lumtur të më heqin qafe sa më kanë quajtur virus më të rrezikshëm se KOVID-i. Por, siç thashë edhe atëherë, nuk ka vaksinë kundër virusit të idealeve dhe parimeve dhe pikërisht kjo përpjekje për të mos pasur zërin tim në shtëpi e bën motivin tim për të qëndruar edhe më gjatë”, tha Dimitrov.

Zëvendëskryeministri premtoi se do të monitorojë nga afër procesin e negociatave dhe do të luftojë plotësisht kundër një zgjidhjeje të keqe dhe do të mbështesë zgjidhje dinjitoze dhe evropiane.

“Unë kështu funksionoj, për gjërat që janë të rëndësishme, si  në jetën personale ashtu edhe në politikë, nuk ka kompromis. Kjo çështje është misioni im personal jetësor. Respekt absolut për gjuhën maqedonase si e barabartë me të gjitha gjuhët evropiane dhe integrimi evropian bazuar në shtylla dhe kritere reale evropiane – mbi kriteret e Kopenhagës”, tha zëvendëskryeministri në konferencën e fundit për shtyp.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button