fbpx

Rusia i etiketoi edhe gjashtë gazetarë të REL si “agjentë të huaj”

Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se gjashtë gazetarë të tjerë të tyre janë etiketuar si “agjentë të huaj” nga Federata Ruse, duke filluar kështu vitin 2022 me gjithsej 18 gazetarë rusë të servisit të REL me etiketën si “agjentë të huaj” dhe përballen me gjoba që, sipas ligjit rus për “agjentët e huaj”, vlerësohen se do të jenë mbi 13 milionë dollarë.

Nga REL thonë se kjo është fushatë ruse që synon të heshtë mediat e pavarura dhe të mbyllë servisin e tyre në gjuhën ruse në atë vend, transmeton Meta.mk.

“Krahas 100.000 trupave ushtarake që Rusia i ka vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën, janë intensifikuar edhe veprimet e dhunshme të Rusisë kundër gazetarisë së pavarur. REL do të vazhdojë t’i ofrojë popullit rus lajme dhe informacione që i nevojiten për të kërkuar përgjegjësi nga qeveria e tyre”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Xhejmi Flaj.

Nga REL informojnë se më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Rusia i ka shtuar gazetarët e tyre Jelena Vladikina dhe Ivan Belaev në listën e “agjentëve të huaj”, së bashku me gjashtë intelektualë të tjerë rusë, duke përfshirë anëtaret e grupit aktivist “Pussy Riot”.

Etiketimet e tilla të gazetarëve si “agjentë të huaj” bëhen në bazë të ligjit kontrovers duke i shndërruar ata në subjekt të kërkesave të ashpra dhe invazive financiare dhe i cili i detyron ata të shtojnë etiketa të gjata”agjent i huaj” që ligjërisht janë të detyrueshme në të gjithë korrespondencën elektronike ose përmbajtjen e publikuar.

Më 3 dhjetor, gazetarët e REL Alina Grigorieva, Andrej Grigoriev, Regina Kisamova dhe ish bashkëpunëtorja Regina Gimalova u shpallën gjithashtu “agjentë të huaj”. Edhe në tetor 2021, autoritetet ruse, përmes Ministrisë së Drejtësisë, shtuan pesë gazetarë të REL në listën e “agjentëve të huaj”.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, me shtesat e fundit në listë, në Rusi aktualisht si “agjentë të huaj”janë etiketuar 35 individë, ndërsa 36 organizata të tjera mediatike janë shpallur “agjentë të huaj”. Krahas nëntë shërbimeve të REL dhe degës së tyre mediatike në Rusi, Ministria e Drejtësisë në këtë listë të “agjentëve të huaj” i ka shtuar Zërin e Amerikës, Meduza, TV Dozhd (Shiu), Mediazona, OVD-Info dhe një sërë agjencish të tjera lajmesh.

Pak ditë para festave të Vitit të Ri, OVD-Info, organizatë ruse për ndihmë juridike dhe të drejtat e njeriut, e publikoi lajmin që ueb-faqja e tyre është bllokuar nga Roskomnadzor, rregullatori rus i internetit dhe medias, që është një tjetër përpjekje klasike për të censuruar hapësirën ruse të internetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button