Në RMV ka punonjës shëndetësorë që refuzojnë të vaksinohen kundër COVID-19

Sistemi shëndetësor në vendin tonë nuk do ishte në gjendje ta përballojë largimin nga puna të stafit mjekësor që refuzon të vaksinohet kundër COVID-19. Megjithatë, një masë e tillë po ndërmerret nga autoritet e disa vendeve në botë. Oda e Mjekëve në RMV mbron qëndrimin se vaksinimi është mënyra më e efikase për tu mbrojtur nga sëmundjet infektive megjithatë ato nuk mundet të ndërhyjnë në bindjet personale rreth këtij procesi, as të qytetarëve në përgjithësi dhe as stafit mjekësor. Me të njëjtin qëndrim shprehet dhe Shoqata e Mjekëve Specializantë, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse komuniteti shkencor botëror shpëtimin nga pandemia COVID-19 e shikon te vaksina, ky proces shoqërohet me shumë shumë dyshime jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë por edhe nga punonjës shëndetësor. Në fakt, ky fenomen është prezent në shumë vende të botës përfshirë në vendin tonë.

Procesi i vaksinimit në Maqedoninë e Veriut filloi më 17 shkurt të vitit 2021 dhe 260 punonjës shëndetësorë, të cilët ishin në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, ishin të parët që do të marrin vaksinën kundër pandemisë COVID-19. Edhe pse uniformat kishin prioritet në qasjen deri te vaksina anti-Covid19 edhe pas gati 1 viti ka nga ata që nuk janë vaksinuar dhe refuzojnë të bëjnë një gjë të tillë, njoftojnë burime të Portalbit.
Ka nga ata që në mënyrë indirekte i ikin përgjegjësisë për tu vaksinuar dhe nga ata që në mënyrë direket përhapin dyshime rreth efikasitetit të vaksinave.

Nga ana tjetër, në shumë vende të botës, kanë kërcënuar ose kanë marr vendim për të pushuar nga puna personelin mjekësor që refuzon të vaksinohen. Në SHBA kanë filluar përjashtimet nga puna të personelit mjekësor që nuë është i vaksinuar. Në Angli rreth 126,000 punonjës shëndetësor rrezikojnë të humbasin punën e tyre pranverën e ardhshme pasi refuzojnë të vaksinimin kundër Covid-19. Autoritet në Greqinë fqinje, gjatë dhjetorit kërcënuan se do i pushojnë nga puna të gjithë punonjësit e pavakisnuar në sistemin shëndetësor kombëtar, ndërkohë gjatë shtatorit të vitit 2021 autoritet greke suspenduan nga puna rreth 10 000 punonjës shëndetësor. Sipas një hulumtimi të Odës së Mjekëve në Kosovë rreth 130 mjekë kanë thënë se nuk do të pranojnë të vaksinohen.

Sidoqoftë, në RMV nuk preferohet të ndërmerret një hap i tillë rigoroz. Kjo sepse spitalet tona nuk munden të përballen me mungesë të stafit mjekësor i cili vetëm se është deficit.

“Çdo vend përcakton në mënyrë të pavarur politikat shëndetësore, si dhe masat e marra gjatë pandemisë. Disa nga këto masa përfshijnë stimulimin e popullatës për vaksinim. Shembujt botërorë tregojnë se ka staf mjekësor, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, të cilët janë përballur me pushime nga puna, por kjo ka sjellë mungesë edhe më të madhe të personelit mjekësor në spitalet e tyre. Vetëm në Greqi, për shembull, 10,000 punonjës shëndetësorë u pezulluan në shtator, duke rezultuar në një mungesë të madhe të personelit mjekësor në vend.
Sa i përket vendit tonë, ndoshta në këtë moment, kur tashmë po përballemi me mungesë të personelit mjekësor, largimi nga puna i punonjësve shëndetësorë të pavaksinuar do të rezultonte me një deficit edhe më të madh, e me këtë edhe një barrë më të madhe për punonjësit e tjerë shëndetësorë dhe sistemin shëndetësor. Prandaj, duhet menduar mirë përpara se të merren masa të këtij lloji”, deklaroi Ile Kuzmanoski nga Shoqata e Mjekëve Specializantë.

Nga Oda e Mjekëve në RMV, thanë për Portalb.mk, se janë të vetëdijshëm që në vendin tonë ka një numër të punonjësve shëndetësorë të cilët refuzojnë të vaksinohen. Edhe pse nga ky institucion janë kundër këtij qëndrimi thonë se nuk munden të ndërhyjnë në bindjet personale të një individi

Vaksinimi është dëshmuar se është qasja më efektive për mbrojtjen nga sëmundjet infektive, prandaj edhe Oda e Mjekësisë e ka mbështetur hapur disa herë këtë proces të zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë. Punonjësit e shëndetësisë janë në vijën e duhur me pandeminë, prandaj është e nevojshme vaksinimi i tyre për të mbrojtur veten, të dashurit dhe pacientët e tyre. Ata, si profesionistë shëndetësorë, duhet të jenë shembull dhe të inkurajojnë qytetarët e tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë, duke ofruar edukim për përfitimet e vaksinimit në komunikimin e përditshëm me pacientët“, u shprehën nga Oda e Mjekëve në Maqedoninë e Veriut.

Po me të njëjtin qëndrim shprehen edhe nga Shoqata e Mjekëve Specializantë të cilët theksojnë se vendimi për tu vaksinuar është personal për të gjithë dhe këtu nuk duhet të përjashtohet personeli mjekësor.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që personeli mjekësor të vaksinohet, kryesisht sepse në një farë mënyre secili prej tyre ka qenë ose është ende i përfshirë në luftën kundër COVID19. Puna e përditshme me pacientët i vë ata në rrezik shtesë për sëmundje, si dhe transmetim të virusit te të tjerët. Prandaj, ne besojmë se stafi mjekësor duhet të shërbejë si shembull për qytetarët e tjerë. Megjithatë, nëse vaksinimi mbetet një zgjedhje për të gjithë qytetarët, profesionistët shëndetësorë ndoshta nuk duhet të përjashtohen prej tij. Ne besojmë se bindjet personale etike dhe morale duhet të mbizotërojnë dhe çdo profesionist i kujdesit shëndetësor duhet të marrë vendimin e duhur për shëndetin e tij, si dhe shëndetin e pacientëve dhe të dashurve të tij, sepse është detyrë etike e çdo profesionisti shëndetësor që të mos rrezikojnë shëndetin e pacientëve të tyre”, shtoi Dr. Kuzmanoski nga Shoqata e Mjekëve Specializant.

Redaksia jonë kërkoi qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje nga Ministria e Shëndetësisë në vend megjithatë kërkesës tonë për informacion nuk iu përgjigjen nga ky institucion.

Sipas raportit të fundit javor të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoni është vaksinuar rreth 50% e popullatës së përgjithshme mbi 18 vjet.

Burimi i tabelës: ISHP

 

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button