Komuna e Manastirit do të kërkojë ndihmë nga Qeveria për riparimin e dëmeve nga tërmeti

Pas tërmetit në Manastir, si masë parandaluese u mbyll një çerdhe dhe është marrë vendim që ekspertët të bëjnë kontrolle shtesë të sigurisë. Kryetarja e Këshillit të Komunës së Manastirit, Gabriela Ilievska njoftoi se do të të kërkojnë ndihmë nga Qeveria për riparimin e dëmeve pas tërmetit të fuqishëm të mbrëmshëm, shkruan 360 Shkallë, transmeton Portalb.mk.

“Sot do kemi seancë dhe do të sjellim konkluzion që do ta dorëzojmë në Qeveri dhe do të kërkojmë seancë urgjente për shqyrtimin e situatës në Manastir dhe do të kërkojmë që Qeveria të takohet. Nuk e dimë ende se cilat janë dëmet, por besojmë se Manastiri duhet t’i riparojë sa më shpejt dëmet e ndodhura mbrëmë. Qeveria duhet të mblidhet sepse Manastiri është pjesë e vendit”, tha Ilievska.

Kryetari Toni Konjanovski informoi se pas tërmetit është mbyllur një çerdhe, e cila funksionon në kuadër të çerdheve “Lulja e Majit”, dhe vendimi është marrë me qëllim që ekspertët të bëjnë kontrolle shtesë të sigurisë.

Do të krijohet një komision për vlerësimin e dëmeve për të përcaktuar të gjitha dëmet materiale në qytet.

“Mbrëmë na ka zënë paniku. Qytetarët u larguan nga ndërtesat. Atmosfera na kujtoi tërmetin e vitit 1994. Dëmet do të vlerësohen nga vetë Komisioni sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do të jetë nevoja do të jenë dy komisione në varësi të dëmeve, por sa i përket asaj që kemi parë, bëhet fjalë për dëme të lehta”, tha Konjanovski.

Sipas informacioneve të Qendrës Rajonale për Menaxhimin e Krizave në Manastir, deri më sot deri në orën 10 ka pasur rreth 100 thirrje nga qytetarët që kanë kërkuar informacione për tërmetin, ndërsa dhjetëra kanë raportuar për dëme materiale në shtëpitë e tyre.

Është raportuar për plasaritje të mureve dhe fasadave, të çara në shkallë, rënie të tavanve dhe shkëputje të instalimeve elektrike dhe hidraulike.

Ndryshe, Observatori Sizmologjik në Shkup njoftoi se mbrëmë janë regjistruar një sërë tërmetesh, epiqendrat e të cilëve ndodheshin 130 km në jug të Shkupit në Greqinë fqinje në afërsi të Follorinës. Tërmeti i parë i cili ndodhi në orën 22:43 ishte magnitudë 5.6 gradë, tërmeti i dytë është ndjerë në orën 22:53 me magnitudë 4.2 ballë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button