Radev mblodhi Këshillin e sigurisë kombëtare të Bullgarisë për të diskutuar mbi RMV-në

Presidenti bullgar Rumen Radev ka thirrur sot mbledhje të Këshillit të sigurisë kombëtare. Siç njofton MIA nga Sofja, tema është “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. “Roli i Bullgarisë në zgjerimin e BE-së dhe në procesin e stabilizim-asociimit: Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria”, transmeton 360 gradë.

Në të do të marrin pjesë liderët e të gjitha partive dhe koalicioneve parlamentare në Kuvendin e 47-të Kombëtar të Bullgarisë, kryetari i saj Nikola Minçev, si dhe nënkryetarja Iliana Jotova.

Ish-ministrja e Jashtme bullgare dhe deputetja e opozitës GERB në Parlamentin bullgar Ekaterina Zaharieva kritikoi presidentin Radev për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Maqedoninë e Veriut.

Zaharieva për BNT deklaroi se Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk ishte thirrur nga presidenti për dy vjet, gjë që ajo tha se ishte kundër ligjit. Zaharieva konsideron se Radevi duhet ta kishte mbledhur këshillin për të paktën katër tema – si kriza e kovid-it, inflacioni, kriza e çmimit të energjisë dhe konfliktet midis Rusisë, Ukrainës dhe asaj që po ndodh në Kazakistan. Sipas saj, këto janë tema shumë më të rëndësishme se Maqedonia e Veriut.

Ekaterina Zaharieva u shpreh kategorike se nuk sheh kërcënim për sigurinë kombëtare të Bullgarisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përveç nëse, siç tha ajo, presidenti Radev sheh kërcënim.

Kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov, më 18 janar paralajmëroi vizitë në vend së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Nikolai Sabev.

Në një intervistë për MIA-n, mandatari Dimitar Kovaçevski shprehu pritjen se do të ndërtojë marrëdhënie konkrete dhe miqësore me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Kiril Petkov, i cili e paralajmëroi vizitën e tij në vend më 18 janar, me retorikë ndërmjet dy vende, e cila do të jetë e nivelit të lartë.

Gjatë vizitës së parë të Petkovit në Shkup, Kovaçevski pret të vendosë bazat për bisedime të mëtejshme dhe forma bashkëpunimi dhe përparimi, si dhe veprim të gjerë jashtë kornizave dhe kushteve rreptësisht historike.

“Tashmë kemi hedhur themelet për bisedime, të cilat na japin një pasqyrë se ku kanë ndaluar negociatat dhe si duhet të vazhdojmë. Besoj se kemi nxjerrë mësime nga bisedimet e deritanishme dhe përvoja e kaluar do të na ndihmojë që të jemi më të përgatitur dhe më të mirë në negociata. Me kryeministrin e ri Petkov pres që të ndërtojmë marrëdhënie korrekte dhe miqësore dhe retorika mes dy vendeve do të jetë në nivel të lartë. Ky është parakusht për përparim. Afrimi dhe bashkëpunimi mes dy vendeve në të gjitha fushat e jetës është një parakusht i rëndësishëm për largimin e dyshimeve dhe keqkuptimeve. Unë jam gati të hap një faqe të re në marrëdhëniet me Bullgarinë dhe të ndërtoj miqësi të sinqertë dhe një të ardhme më të mirë për të dy vendet. Zëri i urrejtjes duhet të shuhet. Vërtetë kemi më shumë ngjashmëri sesa dallime si vende dhe duhet të përqendrohemi në interesin e përbashkët. Vetëm me këtë qasje do të kujtohemi si liderë që i kapërcyen konfliktet ballkanike me qasje evropiane. Përmes politikës së respektit të ndërsjellë, ndërtimit të së ardhmes, bashkëpunimit dhe kompromise”, tha Kovaçevski në intervistë për MIA.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button