Kundërspin: Parkingu në Tetovë ka qenë pa pagesë vetëm dy javë dhe jo dy muaj

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke folur për çështjen e parkingjeve në një intervistë të dhënë për “Gazetën Lajm” jep deklaratë e cila nuk përputhet me realitetin, të njëjtën e përsëriti edhe më 11 janar, gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, parkingu ka qenë pa pagesë diku dy muaj, ndërkaq e vërteta është ndryshe. Parkingu ka qenë pa pagesë vetëm dy javë, shkruan Portalb.mk.

Bilall Kasami, në një deklaratë lidhur për periudhën në të cilën parkingu ka qenë pa pagesë gjatë mandatit të tij, shprehu pretendime në të cilat vërehet rrotullim i së vërtetës.

Spin 1: “Për një periudhë të shkurtë deri sa arritëm të ristrukturojmë fillimisht ndërmarrjen kishte në Tetovë diku dy muaj pas ardhjes time ka qenë parkimi pa pagesë, por fatkeqësisht ajo gjeneroi edhe më shumë probleme me komunikacionin se sa në situatën ku gjendemi edhe ku ne mundohemi edhe të rregullojmë regjimin e komunikacionit por edhe të gjerojmë parkingje shtesë për qytetarët”.

 [Burimi: Gazeta Lajm/ Facebook- Bilall Kasami (prej 11.15-11.36)- Data: 09.01.2022]

Spin 2:Opinioni është i informuar se parkingu në Tetovë diku dy muaj ishte pa pagesë por ajo krijoi shqetësime shtesë për qytetarët dhe e rriti kaosin në komunikacion nga shkaku që ne nuk kishim mundësi institucionale që të bëjmë rregullimin e komunikacionit, pra nga momenti kur ne nuk kemi përgjegjësi që të bëjmë pagesën e parkimit gjithë përgjegjësia kalon mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pra duhet rregulluar çështjen e parkimit në Tetovë.”

[Burimi: Portalb/Facebook- Bilall Kasami (prej 10.50-11.32)- Data: 11.01.2022]

Kundërspin: Ajo çfarë shihet në këto deklarata të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit është josaktësia për sa i përket periudhës gjatë së cilës parkingu ka qenë pa pagesë gjatë mandatit të tij i cili ka filluar me 4 nëntor 2021. Deklaratat e Kasamit se parkingu ka qenë pa pagesë për dy muaj janë të pavërteta, pasi faktet flasin ndryshe.  Ai thotë se parkingu pa pagesë ka zgjatur diku rreth 2 muaj, por parkingu pa pagesë ka zgjatur nga 16 nëntori  deri me 1 dhjetor, që i bie dy javë apo konkretisht pesëmbëdhjetë ditë.

Kasami fillimisht e njoftoi se parkingu do të jetë pa pagesë gjatë konferencës për media kur prezantoi planin e punës për 100 ditët e para të punës ndërkaq dy javë më vonë nga Komuna njoftuan se parkingu nga një dhjetori do të kthehet përsëri me pagesë. Konstatojmë që ky nuk është lëshim teknik i Kasamit, pasi ai të njëjtën deklaratë e përsëriti dy herë, herën e parë me 9 janar dhe herën e dytë më 11 janar.

Kjo deklaratë ka tendencë që në opinion të qarkullojë ideja se parkingu ka qenë pa pagesë një kohë më të gjatë dhe se komuna dhe kryetari i saj kanë kontribuuar  jo vetëm dy javë por dy muaj në përmbushjen e premtimit të tyre.

Deklaratat e Komunës që janë të poshtëshënuara e verëtetojnë kohëzgjatjen e saktë të parkimit falas.

“Parkingu i qytetit përkohësisht pa pagesë. Ky vendim është si rezultat i keqpërdorimeve të shumta dhe humbjeve të mëdha të ndërmarrjes së parkingjeve dhe pasi të rishikohet situata financiare dhe rikonstruimi i saj do të rishikohet ofrimi me pagesë i këtij shërbimi”.

 [Burimi: Portalb/ Facebook Live Video- Bilall Kasami, prej 2.23-2.39)- Data: 16.11.2021]

“Njoftojmë opinionin publik se pas ndërprerjes disa javore të pagesës së parkingjeve në Tetovë, me datë 01.12.2021 përsëri do të fillojë funksionimi i parkingut me pagesë. Prolongimi disa javorë i pagesës erdhi për arsye të detektimit të problemeve që ka kjo ndërmarrje, dhe sipas inspektimeve tona ne kemi detektuar shumë parregullsi të cilët tanimë janë të zgjidhura”.

 [Burimi: Komuna e Tetovës/ Facebook – Data 30.11.2021]

Ndryshe, Bilall Kasami, para se të vijë në krye të Tetovës, premtoi që parkingu do të jetë pa pagesë deri sa të krijohen vendparkime të mjafuteshme për të gjithë qytetarët. Ky premtim i Kasamit  u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme. Parkingjet jo që nuk qëndruan pa pagesë deri në zgjidhjen e problemit, madje çmimi i tyre u vendos të rritet dhe ka hyrë në fuqi nga dje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button