Disa lagje në Tetovë gati një javë nuk kanë ujë, Komuna: Rrjeti ka defekte, vjen nga investimi joadekuat

Me mungesë të ujit tani e disa ditë ballafaqohen disa lagje të Tetovës, kjo për banorët paraqet problem jashtëzakonisht serioz e sidomos tani që jemi në mes të pandemisë dhe variante të ndryshme to koronavirusit. Kjo mungesë e ujit vjen si pasojë e defekteve të njëpasnjëshme në rrjetin e ujësjellësit të Leshnicës. Qytetarët ankohen, kurse nga Komuna edhe pse dje thanë se defekti do të sanohet, sot përsëri është shfaqur defekt tjetër. Kryetari i Komunës për këto defekte thotë se vijnë pasi rrjeti i ujësjellësit është krijuar duke mos i respektuar standardet e nevojshme, ndërkaq premtoi se në pranverë do të bëhet riparimi i tërësishëm te rrjetit të ujit. Reaguan edhe nga “Më mirë për Tetovën”, shkruan Portalb.mk.

Banorët e lagjeve të cilat nuk kanë ujë shprehen të shqetësuar dhe të frustruar pasi është jashtë normales që në një kohë të tillë pandemie të ngelin kaq gjatë pa ujë.

Defekti me ujësjellësin u shfaq para disa ditëve ndërsa dje nga Komuna thanë se do të rregullohet, por sot përsëri është shfaqur defekt tjetër.

Për këtë me qëndrim doli edhe kryetari i Komunës, i cili thotë se kjo vjen nga defektet që paraqiten kohë pas kohe, ndërsa siç thotë ai kjo vjen nga investimi joadekuat duke mos i respektuar standardet e nevojshme për këtë ujësjellës.

“Nuk shfajësohemi nga obligimet dhe përgjegjësitë që i kemi marrë nga verdikti juaj, por me sinqeritetin më të madh dua që ky njoftim të shërbej si informacion për situatën reale në të cilën ndodhemi bashkërisht. Në vazhdimësi jemi ballafaquar me defekte të njëpasnjëshme. Gjatë këtyre ditëve duke sanuar një problem mjaft te vështire, sot ballafaqohemi me një problem tjetër, në një pikë tjetër të rrjetit të ujit. Në rrethanat në të cilat gjendemi në vazhdimësi, unë kërkoj mirëkuptimin dhe durimin tuaj që këto 2 muaj të mundohemi t’i tejkalojmë këto kushte. Ndërsa dua të ju siguroj se gjatë stinës së pranverës dhe zbutjen e kushteve klimatike, do të fillojmë edhe me riparimin e tërësishëm te rrjetit të ujit, dhe ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, informoi Bilall Kasami.

Qytetarët, thonë se nuk është normale që një pjesë e qytetit të ketë ujë një jo.

“Prej të njëjtit gyp furnizohet i gjithë qyteti, as restrikcionet nuk i bëjnë si duhet”, tha një qytetar.

Dje nga NPK “Tetova” njoftuan se sasia e ujit bashkë me bunaret arin deri me 160 l/s , sasi e cila nuk është e mjaftueshme për furnizimin normal dhe të barabartë për qytetarët , kështu do të ketë restrikcion edhe atë nga ora 00:00 deri ne 05:00.

Nga ana tjetër edhe në rrjetin social “Facebook” të NPK “Tetova” në komente lehtë shihet shqetësimi dhe frustrimi i qytetarëve.

Reaguan edhe nga nisma “Më mirë për Tetovën”, ata thonë se udhëheqësia e Komunës duhet që në afat sa më të shkurtër të ju ofrojë sqarime qytetarëve dhe të prezantojë zgjidhje për këta probleme kronike me të cilat qyteti ballafaqohet rregullisht.
“Kryetarit të Komunës do t’i kërkojmë formimin e një komisioni hetimor ekspertësh që do të bëj vlerësimin e projektit, dokumentacionit të tenderimit dhe punën e realizuar në terren, me të cilat do përcaktohen shkaqet e problemeve të shpeshta që kemi. Nëse do të konstatohen keqpërdorime apo improvizime, personat përgjegjës dhe kompanitë realizuese duhet të bëhen publike. Qytetarët kanë nevojë për sqarime, përgjegjësi dhe zgjidhje!
Qasja në ujë dhe ajër të pastër janë të drejta elementare njerëzore. Për një qytet si Tetova që ndodhet në rrëzë të maleve, qasja në këta resurse duhet të jetë e bollshme dhe e pakufizuar”, thanë nga “Më mirë për Tetovën”.

Rikujtojmë që edhe në fund të muajit dhjetor pesë ditë nuk kishte ujë të mjaftueshëm, pasi u shfaq sërish problem me ujësjellësin.

Kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se kjo çështje ka të bëjë me probleme me të cilat ata janë ballafaquar në të gjitha projektet infrastrukturore, projekte të realizuara pa asnjë standard minimal.

“Ai rrjet i gypave të prurjeve të ujit është projekt skandaloz, para një muaji unë mora informatë nga ndërmarrja publike që janë diku tetë pika kritike të lidhjeve që janë bërë të gypit dhe të cilat në çdo moment mund të plasin. Një ndër ato ne e sanuam para një muaji që ishte veçmë problematike, por tjerat nuk kishim mundësi për shkak të kushteve atmosferike, një ndër ato tetë pika kritike tani ka plasur. Të punësuarit e ndërmarrjes janë në teren, unë besoj se shumë shpejt brenda dy tre ditëve ajo do të rregullohet”, tha Bilall Kasami.

Ndërkaq i pyetur për atë se a ka plan afatgjatë për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, Kasami tha se ato pika janë identifikuar të sanohen dhe mos të ketë probleme të tilla.

“Përndryshe e dimë që Komuna e Tetovës ka pasur edhe disa puse të cilat kanë qenë të shfrytëzuara në këto situata. Fatkeqësisht edhe ato puse nuk janë në shfrytëzim, pra duhet pompat t’i servisojmë të cilat nuk kanë qenë të servisuara. Kam dhënë obligim që edhe ato pompa të servisohen dhe ato puse të vendosen në funksion që në momente të tilla qytetarët të kenë ujë të mjaftueshëm”, shtoi Kasami.

Çfarë premtoi Kasami para se të merrte mandatin për sigurimin e ujit të mjaftueshëm për qytetarët?

Kasami në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

“Prandaj ne jemi angazhuar që të përpilojmë edhe një plan të detajuar se si do të zgjidhet çështja e ujit për pije, ku kemi angazhuar ekspert të lëmisë të cilët na kanë informuar për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” çështjen e ujit për pije në Tetovë duhet investim në rrjetin e shpërndarjes, që nënkupton një investim prej diku 14 milion euro nga të cilat 4 milion e 300 mijë euro për rrjetin primar, diku 8 milion për rrjetin sekondar dhe diku 500 mijë euro për ujëmatësit të cilët Tetova për momentin nuk i ka dhe rrjeti i harxhuar i shpërndarjes e bën që Tetova të ketë mbi 50% të ujit në rrjet. Brenda katër viteve Tetova do të ketë “Me ka krejt” ujë për pije. Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurtë sepse nga ai uj ne e sigurojmë jetën”, tha Bilall Kasami me 14 tetor në #Debatpërnime.

Mungesa e ujit në Tetovë nuk është diçka e re. Qytetarët e Tetovës përballen vazhdimisht me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button