RMV, është rritur ndjeshëm numri i përfituesve të ndihmës sociale

Deri para shpërthimit të pandemisë ndihmë sociale merrnin 27 mijë amvisëri, në vitin 2021 ky numër është rritur për 8.500 amvisëri të reja, ndërsa në vitin 2022 priten edhe 5.500 amvisëri të reja që do të marrin ndihmë. Kjo është rritja e parë më serioze e përfituesve të ndihmës sociale në 20 vitet e fundit, raporton REL, përcjell Portalb.mk.

Familja e Almedina Duboviqit mbijeton me pothuajse 200 euro ndihmë sociale në muaj. Ajo ka tetë fëmijë, dhe i nënti është rrugës.

“Marr 5700 denarë ndihmë sociale, plus kam një fëmijë me nevoja të veçanta dhe i marr 5100, pra gati 11.000 denarë. I kam tetë fëmijë, jo një, dhe ato para nuk na mjaftojnë. Gjashtë prej tyre shkojnë në shkollë, paratë a t’i jap për shkollë, për ushqim apo për atë që është i sëmurë, plus ai përdorë hapa, si dhe filloi të shkojë në shkollë tani, prandaj ato para nuk mjaftojnë fare”, thotë Almedina Duboviq. .

Familja Duboviq është vetëm një nga të shumat në vend, të cilat pranojnë ndihmë të garantuar minimale nga shteti. Kjo familje ka muaj që merr ndihmë sociale, më parë kanë marrë kompensim për fëmijën e tretë dhe pasi fëmija i ka mbushur 10 vjeç, kjo ndihmë përfundonte.

Baza e ndihmës sociale është 4.000 denarë, pastaj mund të rritet varësisht nga numri i anëtarëve të familjes, por më së shumti deri në pesë anëtarë në një amvisëri.

Kriza me kovid e ka rritur numrin e përfituesve të ndihmës së garantuar minimale. Para pandemisë ndihmë sociale merrnin 27 mijë amvisëri, vitin e kaluar ky numër u rrit për 8.500 amvisëri të reja, ndërsa këtë vit priten 5.500 përfitues të rinj, ka informuar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

“Pandemia është reflektuar me rritje të numrit të rasteve sociale. Për momentin kemi 35.500 familje që përdorin ndihmë të garantuar minimale”, tha ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale Jagoda Shahpaska, duke e paraqitur buxhetin e ministrisë për vitin 2022.

Nga Ministria thonë se do të sigurojnë para për të gjitha familjet, të cilat janë në rrezik social. Buxheti i Ministrisë për vitin 2022 është 50,6 miliardë denarë. Nga këto para, më shumë se një e pesta ose 11,6 miliardë denarë janë për kompensime sociale.

Profesor Zdravko Saveski nga Instituti i Shkencave Sociale dhe Humane thotë se, në vitin e pandemisë 2020, numri i personave që kanë pranuar ndihmë sociale është rritur për një të tretën, përkatësisht nga 76 mijë persona, është rritur në 102 mijë përfitues.

“Kjo është rritja e parë serioze e numrit të përfituesve të ndihmës sociale në 20 vitet e fundit. Në 20 vitet e fundit, përveç një ose dy viteve, kur ka pasur rritje minimale të përfituesve, numri i tyre gjatë gjithë kohës ka shënuar rënie. Niveli më i lartë ka qenë para 20 vitesh kur ka pasur 300 mijë, që është ulur në numrin e tanishëm prej 102 mijë banorë”, thotë Saveski.

Pandemia ka sjellë grupe të reja të varfërish; janë njerëz të cilët më parë kanë jetuar nën rrezikun e varfërisë, si persona me të ardhura të parregullta, profesionistë të pavarur, punonjës në ekonominë informale, njerëz të cilët e kanë humbur punën për shkak të krizës, punëtorë sezonalë. Trendi është që varfëria i prek jo vetëm kategoritë e cenueshme, por edhe personat e punësuar, thotë Saveski. Ai thotë se mbi këta to do të reflektojë fakti se janë rritur çmimet e produkteve bazë dhe të energjisë.

Nevzat Kamberi nga Shkupi, i cili është edhe përfitues i ndihmës sociale, pajtohet se paratë që i marrin nuk mjaftojnë as për gjërat më elementare, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë.

“Çmimet e produkteve ushqimore janë shumë të larta për qytetarët, veçanërisht për ata që marrin ndihmë sociale. Çfarë produktesh do të blejnë me paratë që do t’i marrin? Me çka do t’i ushqejnë familjet e tyre? Vetëm për bukë, dy anëtarë në familje duhet të shpenzojnë 1600 denarë, e çka të bëjnë me anëtarët e tjerë”, thotë Kamberi.

Në fillim të dhjetorit, me vendim të Qeverisë, çmimet e ushqimeve bazë u ngrinë, por para ngrirjes së çmimeve, në gjysmën e dytë të vitit 2021, ato u rritën me disa për qind.

Sipas hulumtimit të Institutit Ekonomik Finance Think, para se të bëhej ngrirja e çmimit të bukës, ai u rrit me 6,9 për qind nga maji në nëntor të këtij viti, kurse çmimi i mishit u rrit për 4,2 për qind.

Në vendin tonë, 22 për qind e popullsisë jeton nën të ashtuquajturën kufi të varfërisë, përkatësisht e varfër konsiderohet familje që ka deri dy persona të rritur dhe dy fëmijë që jetojnë me më pak se 17 mijë denarë në muaj.

Familjet që përdorin ndihmë të garantuar minimale, marrin edhe 1000 denarë për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të energjisë për muajt tetor deri në mars. Në situata emergjente, si në rastin e pandemisë me koronavirusin, një familje që merr pagë të garantuar minimale, realizon shtesë monetare për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve për konsum të energjisë në amvisëri prej në prill e deri në shtator.

Almedina Duboviq thotë se faturat janë të larta dhe se duhet të zgjedhë mes faturave ose ushqimit.

“Më erdhi fatura e rrymës 6000 denarë, vallë të paguaj rrymën apo të ha tani, ndërsa edhe buka tashmë është 25 denarë, nuk mund t’ia dalim”, thotë ajo.

EVN nuk guxon t’ua ndërpresë rrymën konsumatorëve të cenueshëm, për shkak të faturave të papaguara gjatë muajve dhjetor, janar dhe shkurt. Qytetarët e këtyre kategorive mund t’i paguajnë faturat me këste. Ata janë të liruar edhe nga detyrimi për të paguar tarifën e rilidhjes. Për ta ka edhe një avantazh, të mos shkyçen për faturë të papaguar për të cilën koha e maturimit nuk ka kaluar të paktën 60 ditë.

Profesor Saveski thotë se personat të cilët për shkak të pandemisë kanë kaluar në grupin e përfituesve të ndihmës sociale mund të largohen nga sistemi pasi të stabilizohet gjendja dhe më pas të krijohet hapësira për përmirësimin e standardit të tyre jetësor.

“Kjo sidomos vlen jo vetëm për gjetje të punës, por edhe sigurim të vendeve të denja të punës, pra jo pune që vetëm do të thotë mbetje në kufirin e varfërisë. Në kategorinë e të varfërve kemi edhe persona të punësuar, të tillë janë tetë për qind e të punësuarve”, tha Saveski.

Sipas një raporti të OKB-së, për vitin 2020, pandemia kovid-19 ka zhytur në varfëri më shumë se 100 milionë punëtorë në mbarë botën. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës të OKB-së, pandemia e ka shkatërruar përparimin e bërë gjatë pesë viteve për zhdukje të varfërisë së punës dhe krahasuar me vitin 2019, 108 milionë punëtorë më shumë në mbarë botën tani kategorizohen si të varfër ose jashtëzakonisht të varfër.

Raporti zbulon se punëtorët që tashmë kanë qenë në pozitë të palakmueshme para pandemisë, gjegjësisht gratë, të rinjtë, migrantët, punëtorët informalë, kanë vuajtur në mënyrë jo proporcionale nga kriza.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button