BE: Kemi metoda për sanksione ndaj liderëve të Ballkanit

Bashkimi Evropian “ka marrë në dijeni” vendimin e administratës amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por, zyrtarët në BE nuk i janë përgjigjur prerë pyetjeve të gazetarëve nëse blloku evropian do të ndjekë këtë shembull të Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë sanksione. Nga ana tjetër Vuçiq shprehet se nuk pajtohet me sanksionet e SHBA-së për Dodikun, transmeton REL.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, tha se “BE-ja ka një varg instrumentesh, përfshirë edhe mundësinë e sanksioneve, por për përdorimin e tyre vendimi duhet të miratohet në Këshillin e BE-së me konsensusin e të gjitha shteteve anëtare”.

Këto mekanizma BE-ja i ka në dispozicion që nga viti 2011. Por, në BE nuk kanë pasur përgjigje as në pyetjen se sa vlejnë mekanizmat nëse ato nuk përdoren dhe se a e dobëson kjo pozicionin e BE-së në rajon.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet për gjetjen e shpejtë të zgjidhjes për krizën politike në Bosnje e Hercegovinë dhe ndaljen e të gjitha nismave të papranueshme, të cilat vënë në rrezik sovranitetin dhe integritetin territorial të këtij shteti.

Pisonero tha se Bosnja e Hercegovina do të ketë pasoja në mungesë të gjetjes së rrugëdaljes nga kjo krizë dhe këto pasoja mund të jenë edhe në humbjen e mjeteve të shumta financiare nga Plani Evropian për investime në Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se ndihma financiare është e kushtëzuar edhe me procesin e reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjermania para disa javësh publikisht ka përmendur idenë që BE të përdorë mundësinë për të sanksionuar Millorad Dodikun. Por, për një gjë të tillë nuk ka pasur pajtim nga të gjitha shtetet anëtare në Këshill.

SHBA-ja tha se ka zgjeruar sanksionet ndaj Dodikut për vepra korruptive, duke e akuzuar atë se po minon institucionet “duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës”.

Vuçiq: Serbia nuk pajtohet me sanksionet e SHBA-së për Dodikun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të enjten se Beogradi zyrtar nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarit serb të presidencës trepalëshe të Bosnje- Hercegovinës (BiH), Millorad Dodik dhe se Serbia nuk do t’i zbatojë ato.

Departamenti amerikan i Thesarit ka publikuar një listë të zgjeruar sanksionesh për akte korrupsioni, e cila përfshin Millorad Dodikun, anëtarin serb të presidencës së Bosnje-Hercegovinës dhe kreun e partisë kryesore të Republikës Sërpska, Partisë së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD).

Me të njëjtin vendim u vendosën sanksione ndaj Televizionit Alternativ nga Banjalluka për shkak të lidhjes me Dodikun.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në presidencën e Serbisë më 6 janar, Vuçiq tha se këto janë gjëra të ndërlikuara që “nuk janë për reagim urgjent dhe të shpejtë, e sidomos jo për nxitim”.

“Serbia nuk mendon se zgjidhja qëndron në sanksione dhe nuk ka dyshim se Republika e Serbisë nuk do të pajtohet për asnjë pikë të vetme, dhe nuk do t’i zbatojë sanksionet kundër anëtarëve të popullit të saj dhe përfaqësuesve të popullit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republika Sërpska”, tha Vuçiq.

Ai tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara sjell sfida të shumta, jo vetëm për Republikën Sërpska, por edhe për Serbinë.

Vuçiq e konsideroi si të tmerrshëm vendimin për sanksione ndaj Televizionit Alternativ.

“Do të kemi shumë pyetje për administratën amerikane për disa media të tjera dhe lidhje me krimin dhe korrupsionin, të cilave duket e pamundur t’u japim një përgjigje adekuate, por këtë do ta lëmë për kohën menjëherë pas Krishtlindjeve”, tha Vuçiq.

Ai tha se është i shqetësuar për sanksionet e vendosura, por shtoi se Serbia duhet të mbajë “marrëdhënie racionale dhe të denjë” me Shtetet e Bashkuara.

Ndryshe, Departamenti i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.

“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje-Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit. Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Sipas njoftimit, sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat, interesat në prona të individëve dhe entiteteve të përfshira në sanksione, që i kanë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll nga qytetarët amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja, zyrë kjo në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.

Po ashtu, personave dhe entiteteve të sanksionuara u ndalohen të gjitha transaksionet me personat amerikanë.

Departamenti i Thesarit ka njoftuar se në listën e personave të sanksionuar nga Departamenti amerikan i Shtetit janë futur edhe ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Bosnje-Hercegovinës, Milan Tegeltija dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, njëherësh deputet, Mirsad Kukiç.

Tegeltija dhe Kukiç u përfshinë në këtë listë, bazuar në një deklarate të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken për “përfshirjen e tyre në aktivitete të rëndësishme korruptive”.

Në qershor 2021 Presidenti i SHBA-së Joe Biden nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, njoftoi Shtëpia e Bardhë, transmeton Portalb.mk.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes Urdhrit Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Sanksionet për personat që janë në “listën e zezë” nënkuptojnë ndalim të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amemrikës dhe ngrirje të pasurisë të atyre individëve ose organizatave në bankat amerikane. Qytetarët dhe kompanitë nga SHBA-ja e kanë të ndaluar të kenë kontakte biznesi me persona apo organizata nga “lista e zezë”.

NdërkohëMarrëveshja e Prespës, por edhe ajo e Ohrit, kanë pasur kundërshtarë të zëshëm qysh përpara nënshkrimit të tyre. Ajo e para u bë shkak për protesta në Maqedoni, por edhe në Greqi. Kundërshtarët më të fortë të kësaj marrëveshje ishin partitë maqedonase, atëherë dhe aktualisht në opozitë VMRO-ja dhe E majta (Levica). Por, jo më pak të zëshëm ishin edhe akademikët maqedonas të AShAM-it. Madje së fundmi kreu i saj Lupço Kocarev, në shënimin e 53 vjetorit të themelimit të këtij institucioni, në tetor të vitit të kaluar tha se është e domosdoshme që Akademia të organizojë sërish debat shkencor për Marrëveshjen e Prespës. Këto dhe të tjerë personazhe, mund të jenë pjesë e listës së zezë që është urdhër ekzekutiv i presidentit amerikan Joe Biden për ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në ShBA.

Lista e zezë përbën një mekanizëm të mirë në vendet me korrupsion të lartë. Ky lloj sanksionimi, ndihmon edhe në pastrimin e elitës politike nga dekriminalizimi, çka ndihmon shumë gjithashtu në vetë procesin e reformave në vend, si dhe për rrugën eurointegruese të vendit.

Përndryshe, më 8 dhjetor, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi udhëhiqet nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button