Kryeprokurori i Sllovakisë refuzon marrëveshjen në fushën e mbrojtjes me SHBA-në – planifikon të udhëtojë në Rusi

Kryeprokurori i Sllovakisë Marosh Zhilinka do të marrë pjesë në festimet e 300-vjetorit të Prokurorisë ruse, disa ditë pasi doli kundër Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me SHBA-në, transmeton Portalb.mk.

Një figurë përçarëse në politikën sllovake, Zhilinka tani po zhytet në politikën e jashtme. Zyra e tij ka paraqitur 35 komente për një projekt-marrëveshje të mbrojtjes me SHBA, duke rekomanduar heqjen e të gjithë dokumentit.

Zyra e tij ka të drejtë të paraqesë komente për çdo legjislacion dhe t’i diskutojë ato me ministrinë përkatëse. Megjithatë, ministria mund t’i refuzojë ato.

Marrëveshja do t’i lejojë ushtrisë amerikane të përdorë disa aeroporte pa pagesë për dhjetë vjet dhe do t’i sjellë Forcave të armatosura sllovake rreth 100 milionë dollarë.

Dokumente të ngjashme tashmë janë nënshkruar nga shumica e vendeve anëtare të NATO-s, duke përfshirë Poloninë, Hungarinë dhe anëtarët e saj në kufirin lindor.

Zhilinka pretendon se marrëveshja bie ndesh me kushtetutën e vendit, por ministri i Jashtëm Ivan Korçok e kundërshton këtë kritikë. Sipas tij, marrëveshja nuk rrezikon sovranitetin e Sllovakisë, pasi SHBA-së do t’i duhet të marrë edhe dritë jeshile për çdo aktivitet në territorin e saj.

Zhilinka po planifikon gjithashtu të marrë pjesë në celebrimet e Zyrës së prokurorit në Rusi javën e ardhshme. BE-ja ka vendosur sanksione ndaj Prokurorit të përgjithshëm të Rusisë, Igor Krasnov, si përgjigje ndaj burgosjes së kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny. Zhilinka do të jetë i vetmi kryeprokuror nga katërshja e Vishegradit që do të marrë pjesë.

Lëvizjet e fundit të Prokurorit të Përgjithshëm në politikën e jashtme u kritikuan nga Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të parlamentit të Sllovakisë, i cili pretendon se prokurori po përpiqet të fitojë popullaritet me “antivakserët dhe komplotistët”.

Zhilinka është kritikuar edhe nga ministrja për Investime Veronika Remishová, e cila tha se ai nuk duhet të luajë “politikë” si kryeprokuror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button