Kryeministri bullgar Kiril Petkov më 18 janar do të vizitojë Shkupin

Kryeministri bullgar Kiril Petkov njoftoi se vizita e tij e parë në Maqedoninë e Veriut me gjasë do të jetë më 18 janar. Në intervistë për TV Bloomberg, Petkov tha se ka për qëllim që të forcojë bisedimet me Shkupin, transmeton Portalb.mk.

“Prandaj po hapim pesë grupe të reja – për infrastrukturën, ekonominë, shkëmbim kulturor, anëtarësim në BE dhe historinë. Shpresoj se këto nuk do të jenë vetëm takime qeveritare – dua që këto grupe të punojnë jashtëzakonisht efektivisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm dhe të arrijnë rezultate reale”, tha Petkov.

Petkov shton se nuk ka afate konkrete për bisedimet.

“Caktuam një datë shumë të qartë për vizitën time të parë, me shumë mundësi më 18 janar. Nga ana jonë, çështja është sqaruar dhe dua të bisedoj me partnerët tanë nga Maqedonia për orar shumë të ngjeshur të takimeve ndërqeveritare, si dhe me grupe kulturore nga të dyja vendet me synime shumë të qarta. Sipas mënyrës se si po përparojmë në të gjitha çështjet, pres që të caktohet data përfundimtare për anëtarësimin e Maqedonisë”, tha ai në intervistë për Bloomberg.

I pyetur për historinë që mbetet problem mes dy vendeve, edhe nëse të gjitha grupet e tjera të punës bëjnë njëfarë progresi, Petkov tha që beson se njerëzit do të ishin shumë më të prirur të jenë më të hapur kur të përballen me të gjitha aspektet pozitive të fqinjësisë së mirë, dhe të tilla janë shumë. Deri më tani, thotë ai, nuk është është biseduar për to, por vetëm për problemet, ndërsa kur është fjala për problemet, të gjithë qëndrojnë në pozicionet e veta dhe nuk ka përparim.

Petkov tha se ka vullnet të fortë dhe beson se roli dhe vendi i Maqedonisë së Veriut më së miri do të mbrohet nëse vendi është pjesë e BE-së, kështu që sa më shpejt të përparojë aq më shpejt do të mund të vendosen afate më konkrete.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button