Zhvillimi i sportit si biznes

Pikërisht për shkak të këtyre fakteve, shumë prej sportistëve tanë të rinj janë të vendosur të vazhdojnë shkollimin e tyre për të pasur karrierën e tyre profesionale, qoftë në fushën e arsimit si mësues apo në fushën e sportit si trajnerë sporti.

Ivan Anastasovski
Ivan Anastasovski

Sporti mund të thuhet se është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, megjithatë nuk duhet anashkaluar fakti se rrënjët e sportit janë loja dhe nevoja e njeriut për të lëvizur dhe për t’u shoqëruar. Sistemi bashkëkohor i sportit në botë ka transformime të vazhdueshme, të thella cilësore, sasiore dhe strukturore që rezultojnë nga kushtet e reja socio-politike, ekonomike dhe teknologjike për zhvillimin e shoqërisë.

Sportet ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme për nga shkalla kur ato bëhen “biznese të mëdha”. Kjo sekuencë mund të kuptohet më së miri nëse bëjmë dallimin midis fazave evolucionare ku ndryshimi është i ngadalshëm dhe fazave graduale dhe revolucionare ku ndryshimi është i shpejtë dhe ku faza karakterizohet nga një nivel i lartë pasigurie.

Këto faza janë:

  • Themelimi (Evolucionar) që thotë se sporti buron nga një traditë e lashtë folklorike (për shembull Futbolli).
  • Kodifikimi (Revolucionar) i cili mund të jetë një zyrtarizim i një ushtrimi, rezultat i shpërbërjes organizative ose nevoja për të përcaktuar lojën në një kohë kur ajo është shpikur.
  • Stratifikimi (Evolucionar) i cili tregon se si është zhvilluar sporti dhe ndarjen e tij në shoqëri bazuar në fuqinë ose statusin ekonomik.
  • Profesionalizimi (Revolucionar) që ofron popullarizimin e sportit përmes shikueshmërisë. Audienca sportive (shikuesit) janë të gatshëm të paguajnë për ta parë atë, kurse investitorët janë të gatshëm të mbështesin klubet sportive, për arsye altruiste por edhe komerciale. Kjo mundëson edhe kompensimin e lojtarëve.

Menaxhimi i sportit si pjesë e shkencave sportive është një sistem menaxhues ose aftësi menaxheriale ose filozofi menaxheriale, gjithashtu menaxhimi sportiv (menaxhimi) synon të sigurojë funksionalitetin e organizatave sportive (federata, sindikata ose klube). Ky segment në sport i referohet funksionimit të organizatave fitimprurëse dhe jofitimprurëse, ku zbatueshmëria e menaxhimit është e ndryshme në ato fusha. Sporti në tërësi më së shumti i përket organizatave jofitimprurëse. Mirëpo, sporti kulmor sot është i organizuar në sistemin e organizatave fitimprurëse, të cilat si organizatat e tjera në sektorin e biznesit ekzistojnë në bazë të kapitalit.

Menaxhimi i sportit si pjesë e sportit kulmor është një proces i parashikimit, planifikimit, organizimit, menaxhimit, sigurimit të personelit dhe kontrollit të burimeve njerëzore, materiale, financiare dhe të tjera organizative të organizatës sportive, me qëllim të arritjes së qëllimeve të dëshiruara. Menaxhimi i sportit është përgjegjës për të gjitha proceset në organizatën sportive, në radhë të parë për stabilitetin sportiv dhe pozicionimin e organizatës, si dhe për rezultatet sportive dhe afariste (fitimi), efikasitetin e punës, racionalitetin e kostove etj.

Siç dihet, sporti ndahet në sport kolektiv dhe individual. Të dyja ndarjet janë të kategorizuara në pjesën e sporteve kulmore, parë nga aspekti i vendit tonë, është shumë e vështirë të flitet për sporte kulmore apo profesionale që kërkojnë burime të mëdha financiare dhe angazhim të madh profesional. Nga njëra anë, sportet si futbolli, hendbolli, basketbolli dhe volejbolli që bëjnë pjesë në sportet kolektive janë në kategorinë e sporteve më kulmore, kurse nga ana tjetër në sportet individuale është diçka krejtësisht ndryshe në to nëse përjashtojmë tenisin që është sporti më i popullarizuar në sportet individuale. Sportet e tjera individuale nuk mund të klasifikohen në kategorinë e sporteve kulmore për faktin se individi në ato sporte nuk është në gjendje të jetë 100% i fokusuar profesionalisht në karrierën e tij sportive dhe në të njëjtën kohë të jetë në gjendje të ekzistojë duke marrë pjesë në një disiplinë të caktuar sportive.

Pikërisht për shkak të këtyre fakteve, shumë prej sportistëve tanë të rinj janë të vendosur të vazhdojnë shkollimin e tyre për të pasur karrierën e tyre profesionale, qoftë në fushën e arsimit si mësues apo në fushën e sportit si trajnerë sporti. Por rrallë ndonjë nga numri i madh i sportistëve aktivë, qoftë nga sportet ekipore apo individuale, vendos t’i bashkohet sistemit arsimor për formimin e tyre në drejtimin e menaxherit sportiv si karrierë profesionale, sepse sistemi ynë arsimor nuk e mbështet këtë profil të kuadrove profesionale. Në të njëjtën kohë, vendet e rajonit dhe të Evropës, si Bullgaria, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Gjermania e të tjera u ofrojnë atyre mundësinë për të studiuar.

Përshtatja e sistemit ekzistues arsimor në Maqedoni

Për vendin tonë është me rëndësi të madhe ngritja e sportit organizativisht dhe funksionalisht në një nivel më të lartë, gjegjësisht të bëhet një lidhje e qartë dhe e fortë mes sportit tonë kulmor dhe sistemit arsimor në Maqedoni me sektorin privat. Sot, aspekti më i rëndësishëm dhe pa të cilin nuk mund të imagjinohet sporti kulmor dhe funksionimi i tij profesional janë financat, respektivisht kapitali, por e gjithë kjo duhet të mbështetet nga një nivel arsimor që do të synojë ngritjen e nivelit të cilësisë së sportit, qoftë nëpërmjet edukimit të kuadrove në fushën e menaxhimit sportiv apo përmes njohurive moderne shkencore në mënyrë që të mund të korrin rezultate pozitive në sportet kulmore.

Prandaj drejtimi apo menaxhimi i sportit kulmor është një disiplinë e veçantë shkencore që sipas logjikës së gjërave duhet t’i përkasë fushës së shkencës sportive. Menaxhimi i sportit duhet të jetë pjesë e procesit të arsimit të lartë që do të synonte rregullimin e marrëdhënieve në sportin kulmor përmes kërkimeve në shkencat sportive që do të kishin më tej zbatimin e tyre praktiko-pedagogjik.

Për të konfirmuar këtë tezë dua të citoj një histori nga themoney.com për vitin 2020, e cila përcjell se cilat janë diplomat më të mira në fushën e shkencës sportive në dekadën e fundit, përkatësisht: trajnerë të diplomuar sporti, menaxherë sporti, analistë sporti, komunikologë sportivë, gazetarët sportivë, administrata sportive dhe inspektorati sportiv.

Për sa i përket menaxhimit sportiv, aktualisht në vendin tonë vetëm dy institucione me arsim të lartë janë të fokusuar në edukimin e kuadrove për nevojat e pjesës drejtuese të sportit të lartë. Ato institucione në Maqedoni janë: Fakulteti i Kulturës Fizike, Sportit dhe Shëndetësisë në Sh. Qirili dhe Metodiu, i cili ofron studime master në ciklin e dytë për master në menaxhim sportiv, gjithashtu në Universitetin privat AUE-FON ka një drejtim që është pjesë e Fakultetit të tyre Ekonomik i cili ka për qëllim edukimin e stafit në fushën e menaxhimit sportiv në studimet e ciklit të parë dhe të dytë.

Prandaj, serioziteti i mbështetjes që shteti duhet të japë për sportin dhe arsimin e lartë reflektohet në motivimin (përmes ndryshimeve ligjore) e institucioneve shkencore të arsimit të lartë për të filluar akreditimin e programeve të studimit për edukimin e kuadrove në fushën e shkencave sportive, më saktë në menaxhimin sportiv. Mënyra më e lehtë dhe më e thjeshtë është që vetë shteti të bëjë disa ndryshime dhe plotësime në Ligjin për sport në pjesën e menaxhimit dhe organizimit të sportit, me çka do t’i jepet rëndësi më e madhe nivelit të arsimimit të kuadrove që duhet të punojnë në sport, që të përfundojnë studimet në fushën e menaxhimit sportiv.

Së fundi, dua të përmbledh se shteti duhet jo vetëm t’i drejtojë financat nëpërmjet vauçerëve sportivë për sportet dhe sportistët, por duhet të ketë rolin e tij proaktiv në krijimin e kushteve për zhvillimin e sportit si një degë fitimprurëse apo segment biznesi sipas shembullit të sistemeve të zhvilluara evropiane arsimore dhe sportive.

Ky rol proaktiv i shtetit duhet të konsistojë në sa vijon: inkurajimi i sektorit privat nëpërmjet formave të tjera të stimujve tatimorë (sponsorizime, e jo donacione) për të ndihmuar sportin, motivimi i sektorit privat për t’u përfshirë më shumë në menaxhimin drejtues të klubeve sportive (pjesëmarrja e tyre direkte), ndryshimi i modelit arsimor të studimeve bazë për edukimin e kuadrove për nevojat e sportit kulmor – menaxhimit sportiv.

Gjithashtu, shteti duhet të ketë bazën e tij për të gjithë ata që janë të punësuar drejtpërdrejt në industrinë e sportit dhe sa është përqindja e gjithsej të punësuarve në territorin e vendit tonë. Dhe është veçanërisht e rëndësishme vendosja e rendit në pjesën e kontrollit të shtetit për politikën e vauçerëve (kuponëve) përmes një inspektimi të veçantë sportiv, profesional dhe të arsimuar, i cili po e përsëris mund të organizohet dhe edukohet përmes sistemit tonë të arsimit të lartë.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button