Kanadaja do të paguajë mbi 15 miliardë dollarë si kompensim për fëmijët indigjenë

Qeveria kanadeze njoftoi se ka rënë dakord të paguajë 20 miliardë dollarë kanadezë (15,7 miliardë dollarë) si kompensim për fëmijët e familjeve indigjene të Kombeve të Parë lidhur me ankesën për të drejtat e njeriut që ka vazhduar që nga viti 2007, raporton Anadolu Agency (AA).

Patty Hajdu, ministrja e Shërbimeve Indigjene e Kanadasë dhe ministri i Marrëdhënieve të Kurorës dhe Indigjenëve, Marc Miller, mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi mbi kompensimin dhe reformat afatgjata për shërbimet e fëmijëve dhe familjeve të Kombeve të Parë.

Dy ministrat thanë se një marrëveshje kompensimi është arritur dhe nënshkruar nga të gjitha palët në mosmarrëveshjen e gjatë mbi sistemin e mirëqenies së fëmijëve.

– Buxheti prej 40 miliardë dollarësh

Sipas marrëveshjes, shuma më e lartë e kompensimit të kërkuar nga ligji kanadez do të jetë 40.000 dollarë kanadezë për çdo fëmijë (31,5 miliardë dollarë) për fëmijët indigjenë të Kombeve të Parë, numri i të cilëve arrin në 50.000.

Qeveria federale ka ndarë një buxhet total prej 40 miliardë dollarësh, me 20 miliardë dollarë për reparacione dhe 20 miliardë dollarë të mbetur për reforma afatgjata.

Popujt e Kombeve të Parë njihen si “një nga komunitetet më të mëdha indigjene”, ku bëjnë pjesë indianët Metis dhe Inuit në të gjithë Kanadanë.

– Procesi ligjor që zgjat 15 vjet

Beteja ligjore për fëmijët indigjenë, e cila është bërë pika e parë e rendit të ditës në vend pas zbulimit të varrezave jozyrtare të fëmijëve të paidentifikuar në kopshtet e konvikteve të shkollave të drejtuara nga kishat në të gjithë Kanadanë vitin e kaluar, filloi në vitin 2007.

Një ankesë për të drejtat e njeriut e paraqitur në vitin 2007 nga Shoqëria e Kujdesit për Fëmijët dhe Familjet e Kombeve të Parë kundër qeverisë federale në Gjykatën Kanadeze të të Drejtave të Njeriut (CHRT) pretendonte se sistemi i mirëqenies së fëmijëve ishte me të meta dhe diskriminues ndaj fëmijëve indigjenë, ndërsa gjykata dha një vendim në 2016.

CHRT vendosi që qeveria federale diskriminoi fëmijët indigjenë përmes financimit të pamjaftueshëm në sistemin e mirëqenies së fëmijëve.

Në vitin 2019, gjykata urdhëroi qeverinë federale të paguante deri në 40.000 dollarë kanadezë për çdo fëmijë që ishte pjesë e sistemit të mirëqenies së fëmijëve në familje nga 1 janari 2006 së bashku me kujdestarët e tyre kryesorë.

Qeveria dhe grupet indigjene kanë negociuar që nga nëntori 2021 pasi qeveria federale apeloi vendimin e kompensimit.

Procesi i ankimimit u ndërpre

Ndërsa negociatat vazhduan, qeveria e kryeministrit Justin Trudeau njoftoi më 13 dhjetor 2021 se kishte ndarë 40 miliardë dollarë kanadezë si për të kompensuar vendasit e Kombeve të Parë të dëmtuar nga sistemi i mirëqenies së fëmijëve, ashtu edhe për të reformuar sistemin ekzistues.

Pas deklaratës së kryeministrit Trudeau, çështjet në CHRT dhe në gjykatat e apelit u ndërprenë dhe më pas natën e 31 dhjetorit 2021 u njoftua se palët kishin arritur marrëveshje.

Marrëveshja e nënshkruar nga palët duhet të miratohet nga CHRT dhe Gjykata Federale për të hyrë në fuqi.

Ndërsa afati i përfundimit të procedurave për zbatimin e marrëveshjes është data 31 mars, ajo pritet të nisë zbatimin nga 1 prilli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button