Elizabet Barsak: RMV-ja dhe Shqipëria duhet të qëndrojnë bashkë në rrugën drejt BE-së (VIDEO)

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elizabeth Barsak gjatë një interviste për Euronews Albania tha se  Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas saj, dëshira për ndarjen e dy vendeve erdhi nga zhgënjimi për veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Lidhur me këtë çështje, unë besoj se duhet të kapërcejmë idenë se këto dy kombe mund të ndahen. E di që shumë thonë se këto dy vende u trajtuan si një dhe për shkak se gjërat nuk po shkojnë aq mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, atëherë ato duhet të ndahen. Kjo duhet të kapërcehet dhe ne duhet të bëjmë më të mirën në mënyrë që dy konferencat ndërqeveritare të mund të mbahen në të njëjtën kohë,” tha Barsak.

Ndiqni intervistën e plotë më poshtë:

Kryeministri shqiptar Edi Rama, gjatë fjalimit të tij të fundit drejtuar kombit në 2021, më 31 dhjetor, tha se do të përpiqet të ndajë rrugën e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nëse Bullgaria këmbëngul në veton e saj.

Kjo ide e Ramës nuk është pritur mirë nga diplomatët evropianë.

Edhe pse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i plotësuan zyrtarisht të gjitha kërkesat, në qershor të vitit të kaluar, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së nuk arriti një marrëveshje për fillimin e bisedimeve të pranimit me BE-në, për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kronologjia e rrugëtimit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2021.

Në janar të vitit 2021, presidenca e BE-së, kaloi nga “duart” e Gjermanisë, në atë të Portugalisë. Presidenca gjermane konsiderohej si përkrahëse më e madhe e zgjerimit të BE-së, kurse Portugalia as nuk të humbte shpresat dhe as nuk premtonte.

Por, menjëherë pas marrjes së presidencës, Portugalia u shpreh se shpreson që mosmarrëveshja me Sofjen të zhbllokohet në gjysmën e parë të 2021-shit dhe se do të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.

Ashtu edhe siç pritej, nuk kishte lëvizje as gjatë kryesimit portugez – për shkak të zgjedhjeve në Bullgari, por edhe për shkak të “mosmarrëveshjeve” të mëdha, përkatësisht të dallimeve thelbësore mes pozitave të Bullgarisë dhe të Maqedonisë.

Në prill, pati një eufori, pas propozimit portugez, për të cilin nuk u mor vesh kurrë se çfarë përmbante, i cili siç u tha ishte shqyrtuar plotësisht nga autoritetet e vendit dhe se është propozim i pranueshëm. Megjithatë, kështu nuk ishte për fqinjin e Maqedonisë. Sofja zyrtare nuk e pranoi. Pavarësisht se u përfol deri në fund të presidencës, ky propozim ra në ujë.

Pavarësisht toneve diplomatike të Maqedonisë së Veriut, Bullgaria qëndroi “stoike” në qëndrimin e saj, dhe në qershor përsëri i vuri veto Maqedonisë së Veriut.

Shpresat e Maqedonisë së Veriut, tani u varën në presidencën sllovene dhe zgjedhjen e qeverisë së re në Bullgari. Sllovenia deklarohej se Maqedonia dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat sa më parë dhe se do të angazhohej në këtë drejtim, si dhe e përkrah propozimin portugez për kontestin Maqedoni-Bullgari.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria këtë vit i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button