ANALIZË: Pritjet për Vitin e Ri 2022 – investime më të forta kapitale, vaksinim i përshpejtuar, rritje çmimesh 

Viti 2022 fillon me probleme dhe rreziqe të vjetra – rritje e çmimeve, krizë energjetike, betejë me pandeminë, kufizime të reja të mundshme për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit që do të nënkuptonin episode të reja krize në ekonomi. Skenari optimist – pritet rritje e mëtejshme ekonomike, por e shoqëruar me rreziqe për shkak të përhapjes së shpejtë të llojit të ri Omikron të koronavirusit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Energji elektrike më e shtrenjtë, rritje e çmimeve…

Për qytetarët, viti 2022 nisi me rritje të çmimeve të energjisë elektrike – ato do të llogariten nga 1 janari. Gjithashtu, rritja për 9,48% do të shoqërohet edhe me heqjen e tarifës së lirë ditore të energjisë elektrike. Në vitin 2022, jo vetëm që do të paguajmë energji elektrike më të shtrenjtë – por do të përballemi me një rritje të mundshme të mëtejshme të çmimeve edhe të produkteve të tjera. Analistët ekonomikë presin një inflacion “të nxehtë” që do të qëndronte deri në mesin e këtij viti të ri kalendarik. Ata vënë në dukje rritjen e re të paralajmëruar të rrogës minimale si rrezik për nxitjen e inflacionit. Sipas analistëve, këtë vit përqindja e inflacionit do të pozicionohet në 2,8% – në kundërshtim me parashikimet e mëparshme për një normë prej 2,5%.

“Të anketuarit i shpjegojnë pritjet e tyre për inflacionin kryesisht me problemet e zinxhirit të furnizimit, çmimet më të larta të mallrave të importuara, siç janë çmimet e ushqimeve dhe energjisë, por edhe me stabilizimin gradual të situatës së shkaktuar nga pandemia e Kovid-19 që do të çonte në rritjen e kërkesës së brendshme. Të anketuarit besojnë gjithashtu se masat monetare dhe fiskale, si dhe rritja e rrogave do të kontribuonin në rritjen më të lartë të inflacionit. Megjithatë, pjesa më e madhe e të anketuarve besojnë se lëvizjet e tilla të inflacionit janë të përkohshme dhe se nga gjysma e dytë e vitit 2022 pritet që gradualisht të stabilizohen” – thuhet në anketën e BPRM-së.

Sipas Qeverisë, në vitin 2022, megjithatë, inflacioni do të stabilizohet në një nivel jo më të lartë se 3%.

“Përqindja e inflacionit në vitin 2022 pritet të stabilizohet dhe parashikohet në 2,4%, me ç’rast presionet mbi çmimet si pasojë e pasigurisë në lidhje me çmimet e energjisë dhe disa prej produkteve primare në bursat botërore pritet të relaksohen nga tremujorin e dytë të vitit” – thuhet në buxhetin e vitit 2022.

Për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve në fillim të dhjetorit 2021, qeveria vendosi të ngrijë çmimet e një numri produktesh ushqimore – vendimi është i vlefshëm deri më 31 janar, por sipas informacioneve, tashmë janë duke shqyrtuar edhe efektet ekonomike të vazhdimit të mundshëm të kësaj mase.

Vaksinimi dhe Omikroni do të ndikojnë në rimëkëmbjen ekonomike…

Rimëkëmbja ekonomike, sipas analistëve, megjithatë do të varet nga ritmi i vaksinimit dhe shpejtësia me të cilën përhapet varianti i ri i Kovidit – Omikroni. Nga këta dy faktorë shëndetësorë do të varet nëse do të vendosen masa të reja kufizuese që do të nënkuptonin një episod të ri krize në ekonomi.

Sipas analistëve, në vitin 2022 pritet një rritje ekonomike prej 3,3%, ndërsa në vitin 2023 do të rritet në 3,5%. Rritja ekonomike, përveç nga ritmi i largimit të pandemisë, do të varet edhe nga realizimi i investimeve kapitale, por dhe nga data e mundshme për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Pritjet e tilla të rritjes vazhdojnë të lidhen kryesisht me imunizimin e mëtejshëm masiv brenda dhe jashtë vendit, përballjen më të shpejtë me Kovid-19 në nivel global, bazën më të ulët krahasuese se sa në vitin e kaluar, por edhe performancën më të mirë deri më tani, rritjen e kërkesës së huaj dhe të brendshme, masat monetare dhe fiskale të ndërmarra, fillimin e mundshëm të negociatave për integrim në BE dhe rikthimin e optimizmit tek subjektet në ekonomi (konsumatorët dhe investitorët) dhe rritjen e realizimit të projekteve kapitale, veçanërisht në fushën e infrastrukturës së transportit dhe energjisë” – thonë analistët.

Ndërsa ekonomistët janë të kujdesshëm për shkak të ekzistimit të mëtejshëm pandemisë, autoritetet projektojnë rimëkëmbje dhe stabilizim të ndjeshëm ekonomik. Tashmë ka hyrë në fuqi buxheti i ri për vitin 2022, me vlerë 4,4 miliardë euro. Këtë vit, si shtyllë kryesore e rritjes ekonomike, sipas Qeverisë, do të jenë investimet bruto, për të cilat parashikohet një rritje prej 8,5%. Eksporti duhet të rritet për 8,3%, ndërsa punësimi me 3,1%.

Pavarësisht rimëkëmbjes së mëtejshme ekonomike të pritshme, analistët besojnë se edhe viti 2022 do të jetë nën shenjën e rreziqeve.

“Analistët thonë se ka pasiguri të lartë dhe rreziqe që mund të ndikojnë negativisht në rrugën e ardhshme të rritjes ekonomike, si p.sh. vazhdimi i efekteve negative të pandemisë së Kovid-19, futja e mundshme e mëtejshme e masave më të rrepta kufizuese si rezultat i shfaqjes së mutacioneve të reja të virusit dhe efikasiteti i pamjaftueshëm i vaksinave tashmë të aplikuara ndaj këtyre mutacioneve, reduktimi i kërkesës së brendshme dhe të huaj dhe përmbajtja e investitorëve vendas dhe të huaj për shkak të pasigurisë nga pandemia” – thuhet në anketën e BPRM-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button