Familjet nuk do të marrin energji elektrike prej hidrocentraleve të vogla, por ato mbeten të privilegjuara

EVN Home nuk do të blejë energji elektrike prej prodhuesve preferencialë, të cilët përdorin burime të rinovueshme të energjisë, por ky fakt nuk do të ndikojë në statusin preferencial të këtyre hidrocentraleve.

Qeveria e ndryshoi Dekretin për kriteret dhe kushtet për shpalljen e gjendjes së krizës në rastet e fatkeqësive atmosferike dhe natyrore, avarive dhe çrregullimeve në tregjet e energjisë elektrike, në pjesën për mënyrën e furnizimit me energji elektrike në gjendje krize. Qëllimi është që EVN Home të zvogëlojë shpenzimet për furnizim me energji elektrike në vend që të blejë nga prodhuesit preferencialë do të blejë nga SHA ESM Shkup me çmime më të ulëta, transmeton Meta.mk.

Organizatat e shoqërisë civile komentojnë se me ndryshimin e Dekretit nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket trajtimit preferencial të këtyre prodhuesve, ku përfshihen hidrocentralet e vogla. Për sa kohë që ndryshimet janë të vlefshme, prodhimi i tyre do t’u shpërndahet të gjithë furnitorëve dhe tregtarëve të tjerë, gjë që nuk do të jetë e vështirë sepse, aktualisht, çmimi mesatar i energjisë elektrike të tyre është disa herë më i ulët se çmimi i tregut. Në të kundërt, çmimi i energjisë elektrike të prodhuar nga hidrocentralet e vogla dhe prodhuesit e tjerë preferencialë është i garantuar ligjërisht dhe nuk do të ndryshojë.

“Hidrocentralet e vogla janë të privilegjuara në shumë mënyra, ashtu që përveç çmimit kanë prioritet edhe gjatë qasje në rrjet, gjegjësisht prodhimi i tyre ka prioritet gjatë blerjes. Për momentin me vendimin e fundit është shfuqizuar vetëm kjo pikë, përkatësisht EVN Home nuk e ka patjetër që së pari të blejë energji prej të privilegjuarve, por mundet edhe prej prodhuesve të tjerë, kurse të privilegjuarit do të duhet t’ua shesin energjinë furnitorëve dhe tregtarëve të tjerë, të cilët i furnizojnë kryesisht kapacitetet industriale. Pra, profitabiliteti i hidrocentraleve të vogla nuk ndryshon, mbetet vetëm të angazhohen dhe energjinë t’ia shesin te ndonjë blerësi tjetër. Ndërsa kjo nuk do të jetë e vështirë sepse këta blerës dhe tregtarë do të duhet të paguajnë tarifën preferenciale, e cila aktualisht është tre herë më e ulët se çmimi i tregut”, thonë nga “Eko vetëdija” (Eko svest).

EVN Home do të blejë, nëpërmjet ESM, energjinë elektrike të prodhuar në hidrocentralet e mëdha, REK Manastir, Oslomej e tani edhe në TC Negotinë. Sipas ekologëve, ky vendim është një hap mbrapa në përpjekjet për të prodhuar sa më shumë energji prej burimeve të rinovueshme.

“Ne e kuptojmë seriozitetin e situatës, por realisht po i rikthehemi plotësisht prodhimit të energjisë prej lëndëve djegëse fosile si thëngjilli apo mazuti”, venë në pah ambientalistët.

Ata kanë kërkuar vazhdimisht rritje të përqindjes së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, por jo nga hidrocentralet e vogla, puna e të cilave është diskutabile nga pikëpamja ekonomike dhe mjedisore. Sipas raportit të fundit të Entit Shtetëror për Revizion, hidrocentralet e vogla vitin e kaluar kanë prodhuar vetëm 195.7 gigavat orë energji elektrike, që përbën vetëm katër për qind të prodhimit të përgjithshëm vendas.

Por kjo nuk do të thotë se ata kanë funksionuar pa fitim, sepse koncesionarëve nga viti 2012 e deri më tani u janë paguar 41 milionë euro më shumë, në raport me vlerën e tregut të energjisë së prodhuar, për shkak të përdorimit të tarifave preferenciale të parashikuara me ligj. Kjo do të thotë se qytetarët në vend të 44 eurove, sa ka kushtuar në këtë periudhë një megavat energji elektrike në bursa, kanë paguar 81 euro, vetëm për shkak se prodhohej në ndonjë hidrocentral të vogël.

Auditorët kanë konstatuar se procedurat për dhënien e koncesioneve për përdorim të ujit për prodhim të energjisë elektrike ishin problematike sepse ato janë zbatuar pa bërë vlerësim të ndikimit mbi mjedisin jetësor, ndërsa pjesërisht edhe pa studim të projektit të koncesionit, si dhe në bazë të të dhënave të vjetruara hidrologjike.

Eko vetëdija dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë reaguan ndaj vërejtjeve në raportin e auditimit, duke thënë se ato përkojnë plotësisht me vërejtjet e tyre që kanë të bëjnë me këto objekte energjetike, e për të cilat ata reagojnë prej shumë vitesh, se procedura e plotë për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla i anashkalon detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button