Kështu u deklaruan këshilltarët pas seancës së jashtëzakonshme për PDU-në e bllokut 57 A “Shik Jellak”

Pasi nuk arriti të futet në rend dite në seancën e katërt të Këshillit të Komunës së Tetovës nga mungesa e këshilltares së Lëvizjes Besa, sot u thirr seancë e jashtëzakonshme e këshillit ku me 18 vota për, këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e jashtëzakonshme votoi propozim-vendimin për inicimin e procedurës për pezullim të Planit Detal Urbanistik (PDU) të bllokut 57 A të fabrikës “Shik Jellak”. Shumicës në votim iu bashkëngjitën këshilltari Faton Selami nga Alternativa dhe Isnije-Veseli Jonuzi nga PDSH. Këshilltarët e BDI-së, LDSM-së dhe Visar Palloshi nga PDSH, pasi u votua arsyetueshmëria e seancës, braktisën karriget e këshilltarëve dhe ndoqën seancën në rolin e qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Kështu u shprehën këshilltarët pasi mbaroi seanca:

Besar Durmishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, nga radhët e Lëvizjes Besa:

“Nuk e dij se cilin interes e mbrojnë qytetarët tjerë, ajo të cilën ne e kemi thirre sot ka qenë në bazë të rregullores dhe statutit të këshillit të Komunës së Tetovës. Ata interpretonin në mënyrën që ata donin të interpretonin. Ne kishim pikë të rendit të ditës për rishqyrtim të planit detal urbanistik të bllokut 57 A. Kjo ishte vetëm si iniciativë ku do të obligohet sektori i urbanizmit që të bëjë një elaborat, dhe ta sjell në këshill që më pastaj në seancat tjera ne do të vendosim si këshill. Në qoftë se i ka të gjitha procedurat ligjore që duhet ti ketë normalisht do e votojmë që të kalon, nëse jo do të votojmë që të ndryshohet. Mos të harrojmë se ky plan detal urbanistik është sjellë vitin e kaluar me 15 shkurt kur janë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare ndërsa pas shtatë ditëve është bërë kërkesë nga komuna e Tetovës te Ministria e Transportit që të jep pëlqim për këtë detal urbanistik. Brenda pesë ditë është dhënë pëlqim nga Ministria e Transportit për një dokument mbi 300 faqe. Nuk jemi kundër ndërtimit por duhet të shihet që të respektojnë normat juridike dhe normat gjeodezike për këtë arsye ne e kemi nisur këtë procedurë të shohim si është plani. ”

Hamdi Sulemani, këshilltar nga “Më mirë për Tetovën”:

“Duke marrë parasysh se ky është një ndër dyshimet më të mëdha të aferave korruptive në qytetin e Tetovës, pasi për të njëjtin plan ka edhe përgjime ku flasin kryeministri dhe njerëz të tjerë atëherë ne si këshilltarë pamë të arsyeshme se duhet të ngremë këtë çështje, kjo çështje është për qytetarët dhe jo për interesat klanore. E patë edhe vetë në debatin në Këshillin Komunal, duke i shpjeguar dispozitat ligjore, pasi të cilat nuk janë respektuar për ardhjen në fuqi të planit urbanistik ne si Këshill vendosëm që të iniciojmë procedurën që administrata e Komunës së Tetovës, Komisioni për Urbanizëm pranë administratës e cila është emëruar nga kryetari i Komunës së Tetovës të marrë dhe të shqyrtojë edhe njëherë këtë problematikë dhe këtë plan kontrovers i cili është i njohur për të gjithë regjionin tonë.”

Faton Selami, këshilltar nga Alternativa:

“Partia Alternativa dhe unë si përfaqësues në Këshillin e Komunës së Tetovës sot e përkrahëm propozim vendimin mbi inicimin e procedurës për pezullimin e bllokut detal urbanistik %7 A, kjo për arsye se ne si parti me kohë kemi reaguar kundër sjelljes së këtij plani detal urbanistik, megjithatë theksuam se kjo procedurë, ky vendim nuk duhej të sillej në seancë të jashtëzakonshme por mundej edhe të debatohej në një seancë të rregullt.”

Blerim Osmani, këshilltar nga Bashkimi Demokratik për Integrim:

“Sot pat një thirrje të seancës së jashtëzakonshme të cilën tekstualisht në ligjin për vetëqeverisje lokale, në statutin dhe në rregulloren e punës përshkruhet tekstualisht se kur mund të thirret një seancë e jashtëzakonshme. Ajo është kur ka rrethana të jashtëzakonshme, kur është një çështje në rrezik, kur ka zjarre, vërshime, tërmete. Ne nuk u kyçëm në debat në lidhje me pikën e rendit të ditës sepse në bazë të rregullores njëherë duhet të votohet arsyeshmëria e thirrjes së seancës, ne konstatuam se seanca nuk është konform procedurës dhe rregullave ligjore. Kërkuam që kjo seancë mos të ngutet, të thirret në një kohë të arsyeshme, të na dërgohet materiali adekuat se ne si këshilltarë nuk kishim aspak material sa i përket pikës së rendit të ditës, nuk kishim as arsyen. Përmendi përfaqësuesja e sektorit se ende nuk e ka të elaboruar arsyen e këtij inicimi dhe për këtë qëndrim ne nuk u kyçëm në debat në lidhje me propozimin e kësaj iniciative. Ne e kontestuam mënyrën e thirrjes së seancës, domethënë thyhet rregullorja dhe konstatuam se nëse vazhdojmë të rijmë në këtë seancë në cilësinë e këshilltarit ne atëherë e përkrahim këtë seancë e cila nuk është legjitime. Në një situatë të rregullt në një seancë të rregullt, sepse e dimë se është një lëndë voluminoze, ka shumë dokumente të ndryshme nga ministri të ndryshme, duhet gjithashtu të shqyrtohet edhe nga ekspertë të fushës sepse ne nuk jemi të gjithë ekspertë të asaj lëmie. Ne do të dalim me një qëndrim pasi të shihet vetë lënda dhe dokumentet të cilat janë si pjesë ngjitëse e asaj lënde, sepse siç e përmenda nuk kishim dokument të dërguar në emailet tona të hyjmë më thellë në arsyet e lëndës edhe ta shohim qëllimin dhe arsyetimin se pse duhet të merret një iniciativë e tillë, domethënë udhëhiqemi vetëm nga deklarata të ndryshme gojore jo nga dokumente konkrete. Do ja lëmë kohës të shohim arsyet, nuk mund të presupozojmë.”

Ilija Dimitrieski, këshilltar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë:

“Këshilltarët nga LSDM konsideruan se seanca nuk i plotëson kushtet ligjore dhe statutore për seancë të jashtëzakonshme. Gjithashtu, nuk kemi pasur materiale për të cilat do të votojmë konkretisht në seancë. Prandaj këshilltarët e LSDM-së u laruan nga votimi dhe e ndoqën seancën si qytetarë. Është marrë një vendim për të cilin nuk kemi asnjë material për të cilin nuk dimë se çfarë parashikon. LSDM nuk është kundër çfarëdo plani detaj urban që është miratuar, por duhet të jenë në një procedurë të duhur dhe të ketë materiale të duhura në mënyrë që këshilltarët të marrin qëndrimet e tyre.”

Ndryshe, Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq me mbështetje të këshilltarëve të atëhershëm nga BDI, LSDM dhe ASh. Edhe pse kjo është diçka e rëndësishme, komuna ka qenë shumë jotrasnaprente në të gjithë këtë procedurë duke mos dhënë informacione të sakta se çfarë planifikohet të ndërtohet aty. Davidoviq për opinionin në RMV është i njohur prej bisedave të publikuara gjatë periudhës para zgjedhjeve parlamentare, ku përmendet edhe puna në lidhje me Shik Jellakun- Tetovë.

Seancën e plotë mund ta ndiqni më poshtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button