Abazi: Nuk kishim qëllim t’i ndërrojnë emrat shqipe të rrugëve, por të tejkalojmë ngërçin institucional rreth vendimit

Nënkryetarja e Qytetit të Shkupit dhe këshilltarja e Aleancës për Shqiptarët, Bujare Abazi, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Facebook se, pika e propozuar për tërheqjen e vendimit për ndërrimin e emrave të rrugëve u hoq nga rendi i ditës në seancën e djeshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Abazi ka thënë se, kjo pikë ishte propozuar vetëm për tu futur në rend dite dhe nuk kishte pasur asnjë vendim rreth të njëjtit. Sipas saj, qëllimi nuk ishte aspak ndryshimi i vendimit ose ndërrimi i emrave shqipe të rrugëve dhe shesheve, por gjetja e një zgjidhje për të tejkaluar ngërçin që e kanë shkaktuar qeverisja e kaluar lokale LSDM-BDI përmes miratimit të vendimit në kundërshtim me Ligjin për regjistrim dhe qeveria aktuale qëndrore LSDM-BDI përmes Regjistrit Qendror.

“Si në shumë raste të tjera edhe në këtë rast, përbërja e kaluar e këshillit të Qytetit të Shkupit ka miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe urave vetëm një ditë para fillimit të regjistrimit, ndërsa ligji për regjistrim ndalon sjelljen e vendimeve të tilla të paktën një vit para regjistrimit të popullsisë. Për këtë arsye, ky vendim edhe sot vazhdon të mos jetë i plotfuqishëm, emrat e rinj të rrugëve nuk janë zyrtare dhe qytetarët vazhdojnë të funksionojnë në një kaos pasi emrat përdoren vetëm nga qytetarët, ndërsa institucionet ende i njohin emrat e vjetër. Kjo pasi Regjistri Qendror, duke u thirrur në dispozitat ligjore nuk zyrtarizon vendimin e Këshillit të Qytetit të Shkupit, i miratuar nga përbërja e kaluar. Që nesër, Regjistri Qëndror dhe Qeveria LSDM-BDI duhet të tregojnë se si do të tejkalojnë këtë ngërç dhe të japin llogari për mashtrimin që ju kanë bërë qytetarëve”, ka shkruar Abazi.

Kujtojmë, me propozim të këshilltares nga radhët e VMRO – DPMNE-së, Marija Andonovska, Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e djeshme me 24 vota për dhe 19 kundër në rendin e ditës e shtoi edhe pikën për “Vendim për anulim të vendimit të përcaktimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve, urave dhe shesheve në zonën e Qytetit të Shkupit”. Por, pas reagimeve të shumta në opinion, kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button