RMV, parashikime jo të mira për gjykatat themelore edhe në vitin 2022

Gjykatat themelore në Maqedoninë e Veriut assesi të reformohen. Ato përballen me shumë probleme, të cilat barten nga njëri vit në tjetrin. Edhe viti 2022, këto gjykata do t’i gjejë me mangësi serioze në burimet njerëzore si dhe teknologjike sepse përpos njerëzve, atyre iu mungojnë dhe kompjuterë funksional. Gjithashtu, problem serioz mbetet dhe varësia e tyre buxhetore nga pushteti ekzekutiv, transmeton Portalb.mk.

Këto dhe probleme të tjera janë evidentuar edhe në Analizën funksionale të gjykatave themelore të Republikës së Maqedonisë së Veriut implementuar nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike me mbështetje financiare të Ambasadës britanike në Shkup.

Konkluzioni i përgjithshëm i kësaj analize për punën e gjykatave themelore është se ka mangësi dhe dobësi të caktuara sistematike në funksionimin e gjithë gjyqësorit, kuadrin e stafit profesional gjyqësor dhe resurset teknike dhe financiare në dispozicion.

Vihet re se në të gjitha proceset në gjykatat themelore mungon qasja strategjike dhe kapacitetet analitike për vlerësimin e burimeve të nevojshme për funksionalitetin e gjykatës në përputhje me kompetencat ligjore (ekipimi me kuadër profesional si nëpunës, referentë, specialistë IT, pajisje për punë, trajnimin profesional dhe monitorimin e punës së tyre, politikën financiare dhe investimet kapitale afatgjata). Përmes përcaktimit të kushteve dhe kapaciteteve reale në gjykatat themelore, nga analiza mund të vlerësohet shkalla e efikasitetit dhe efektivitetit të gjykatave themelore në ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë juridike në procedurat gjyqësore.

Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqtarëve

Nga analiza për pavarësi dhe paanshmëri të gjyqtarëve është konstatuar se garancitë kushtetuese dhe ligjore janë të mjaftueshme për mbrojtjen e gjyqtarëve në ushtrimin e funksionit të tyre gjyqësor, por problematik është zgjedhja e parregullt e gjyqtarëve edhe pas vendeve vakante. Sipas analizës, në të gjitha gjykatat themelore mungojnë gjyqtarë, të cilët janë paraparë në përputhje me vendimin e Këshillit Gjyqësor të RMV-së dhe mendimin e Gjykatës Supreme të RMV-së. Analiza thekson se ka rreziqe për pavarësinë e gjyqësorit për shkak të kushtëzimit të pushtetit ekzekutiv në pjesën e planit të buxhetit të gjyqësorit dhe punësimet e nevojshëm, që në praktikë paraqet rrezik sipas parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve.

GJyqesor, korrupsion, gjykatës foto ilustrim
Foto ilustrim nga Suad Bajrami, Portalb.mk

Efikasiteti i gjykatave themelore

Analiza e efikasitetit të gjykatave themelore ka mbuluar dinamikën e lëvizjes së lëndëve nëpër gjykata ndër vite dhe përmes raportit të lëndëve të zgjidhura dhe gjithsej lëndëve në punën e gjykatës. Është konstatuar se të gjitha gjykatat themelore tregojnë shkallë të lartë të efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve, por duke pasur parasysh mungesën e gjyqtarëve të zgjedhur dhe nëpunësve gjyqësorë të punësuar, mund të konstatohet se ka ngarkesë të lartë të gjyqtarëve në kryerjen e funksioneve gjyqësore. Gjegjësisht, gjyqtarët në gjykatat themelore zgjidhin mesatarisht 5 lëndë në ditë gjatë gjithë vitit. Me qëllim për ndihmuar në nxjerrjen e konkluzioneve dhe masave për resurset e nevojshme materiale dhe njerëzore për sjellje efikase të gjykatave, në analizë janë bërë projeksione për trajtimin e ngarkesës në kushtet aktuale dhe për pozitat e plotësuara gjyqësore dhe pozitat e nëpunësve gjyqësorë. Nga analiza doli në pah nevoja e përfshirjes në monitorimin e efikasitetit të gjykatave themelore të atyre parametrave që ndikojnë në cilësinë e punës së gjykatës, si përcaktimi i personelit thelbësor dhe jo thelbësor në gjykatat themelore, afatet e procesit dhe burimet në dispozicion dhe pajisjet e nevojshme për gjyqtarët në kryerjen aktuale të funksionit gjyqësor.

Transparenca dhe llogaridhënia

Analiza e transparencës dhe llogaridhënies së gjykatave themelore është bërë përmes postulatit të së drejtës për gjykim të drejtë, gjegjësisht mundësive për prezencën e publikut në procedurat gjyqësore dhe informimin e qytetarëve për punën e gjykatës. Nga analiza rezultoi se gjykatat themelore kanë vështirësi në zbatimin e rregullave të marrëdhënieve me publikun të parapara në Rregullore për shkak të mungesës së kuadrit adekuat dhe mungesës së edukimit special të personave që do të zbatojnë procedurat për funksionim transparent dhe të përgjegjshëm të gjykatave themelore. Analiza tregoi se ueb-faqet e gjykatave janë kanali kryesor i komunikimit me publikun dhe palët për punën e gjykatës, por edhe se mungon një përmbajtje dhe informacion i unifikuar që mund të përmirësojë transparencën dhe hapjen e gjykatave, gjë që do të rezultonte në rritjen e besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Cilësia e drejtësisë gjyqësore

Cilësia e drejtësisë gjyqësore është analizuar përmes të dhënave statistikore për funksionimin e lëndëve të gjykatave themelore të shprehura përmes numrit të vendimeve të vërtetuara, të revokuara dhe të ndryshuara të gjykatave më të larta. Analiza konstatoi se mungojnë mjetet dhe formularët e standardizuar dhe se të dhënat në dispozicion nuk janë të mjaftueshme për të nxjerrë konkluzion për cilësinë e gjykatave themelore dhe se është i nevojshëm rishikimi i metodologjisë për matjen dhe monitorimin e cilësisë së drejtësisë gjyqësore. Në këtë pjesë u analizuan programet e Akademisë së gjykatësve dhe prokurorëve publik (AGjPP) për ngritjen profesionale të gjyqtarëve dhe të shërbimit gjyqësor dhe u konstatua nevoja për zgjerimin e temave për trajnim, si dhe vendosja e mjeteve për monitorimin e praktikës gjyqësore kombëtare dhe ndërkombëtare në drejtim të trajtimit uniform në gjykatat themelore.

Burimet njerëzore

Burimet njerëzore janë një mangësi serioze me të cilën merren gjykatat themelore ndër vite për të siguruar funksionimin efektiv të gjykatës. Përmes analizës së akteve për sistemim dhe organizim në gjykata rezulton se nuk ka staf të plotë të parashikuar të gjyqtarëve dhe nëpunësve gjyqësorë, veçanërisht nëpunësve profesionalë gjyqësorë dhe drejtuesve të shërbimeve gjyqësore, gjë që tregon se gjykatat nuk kanë mekanizëm të përcaktuar qartë për menaxhim me resurset njerëzore që do të përfshinte monitorimin dhe vlerësimin e efektit të punës së tyre. Nëpërmjet analizës së plotësimit dhe raportit të kategorive të ndryshme të punonjësve në gjykatat themelore, theksohet se është i nevojshëm rishikimi i numrit të kërkuar, kritereve në aktet për sistematizimin e nëpunësve gjyqësorë, policisë gjyqësore dhe personelit ndihmës për të përmbushur nevojat reale të gjykatave.

Veting, gjyqësor, gjykata
Foto e edituar: Suad Bajrami
Kushtet për punë në gjykatat themelore

Sa i përket funksionalitetitkushteve për punë në gjykatat themelore, analiza nxjerr në pah kapacitetet dhe burimet hapësinore për zbatimin e kompetencave gjyqësore, siç janë pajisja e sallave të gjykimit për zhvillimin e procedurave gjyqësore, qasja në zyrën e gjendjes civile dhe në gjykatë për palët dhe personat me aftësi të kufizuara, kapacitetet e arkivave të gjykatës dhe hapësirat për të punësuarit në gjykatë. Analiza konstatoi se pothuajse të gjitha gjykatat kanë nevojë për rikonstruim, përmirësim infrastrukturor dhe sanim të defekteve ekzistuese që mund të jenë rrezik për punonjësit e gjykatave dhe qytetarët. Nga analiza u konstatua se rinovimi dhe mirëmbajtja e kushteve hapësinore dhe teknike në gjykata nuk është duke vazhduar për shkak të mungesës së investimeve të mëdha kapitale në gjyqësor. Në mënyrë shtesë, analiza ka konstatuar se ekziston nivel i ulët i bashkëpunimit me Agjencinë për menaxhimin e pasurive të konfiskuara dhe se ka vështirësi në zbatimin e Ligjit për disponimin e pasurive të luajtshme, gjë që rezulton me mbingarkesë të hapsirave të gjykatave me lëndë me të cilat janë kryer vepra penale si dhe inventar i vjetër.

Mbështetja kompjuterike 

Analiza funksionale konfirmoi se mbështetja kompjuterike në gjykatat themelore është e pamjaftueshme për të mbështetur të gjitha proceset informative të parashikuara në kornizën ligjore për gjykatat. Analiza tregon të dhëna për pajisjet kompjuterike në gjykata dhe ka konstatuar se është dukshëm e vjetëruar ose jofunksionale që gjykatat themelore të sigurojnë përmbushjen e kompetencave të tyre, ndërsa në mënyrë shtesë ka konstatuar mungesën e një njësie të posaçme organizative që do të monitorojë proceset e punës me përdorimin e TI-së në gjykata. Në këtë kontekst, analiza tregon potencialin e Sistemit të automatizuar kompjuterik për lëvizjen e lëndëve në gjykatë (AKMIS) dhe mundësitë që ai ka për mbledhjen, përpunimin dhe analizimin e të dhënave të lëdëve, por të cilat në mungesë të procedurave dhe kompetencave të përcaktuara përdoren në mënyrë jo të mjaftueshme në gjykatat themelore.

Pavarësia financiara

Nga aspekti i financimit të gjyqësorit janë analizuar buxhetet e gjykatave për një periudhë 5 vjeçare, me të cilët ishin përfshirë shpenzimet aktuale në gjykatë, pagat e gjyqtarëve dhe shumat e investimeve kapitale në gjykata. Përmes analizës u konstatua se modeli aktual përbën pengesë për funksionimin efikas të gjykatave pasi nuk lejon pavarësinë e gjykatave themelore në planifikimin dhe ndarjen e buxhetit gjyqësor, kështu që gjykatat themelore funksionojnë me buxhet të reduktuar gjyqësor nga ai i parashikuarise dhe me prokurim publik të parakohshëm dhe punësime në gjykatë. Nga analiza rezultoi se pushteti ekzekutiv jep pëlqimin për buxhetin e gjykatës në kundërshtim me Ligjin për Gjyqësorin, por edhe se nuk respektohen kufizimet ligjore për shumën e kërkuar të buxhetit të gjykatës. Sipas analizës, të dhënat financiare nuk lejojnë analizë më të detajuar të punës së gjykatës në planin e politikave financiare me rëndësi strategjike, ndërsa janë konstatuar edhe investime të pamjaftueshme kapitale në kapacitetet gjyqësore që sipas analizës duhet të trajtohen si prioritete për të gjitha gjykatat themelore.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

Pikëpamja gjinore

Nga pikëpamja gjinore, është bërë një analizë e strukturës gjinore të gjyqtarëve dhe shërbimit gjyqësor në gjykatat themelore, e cila ka rezultuar se pavarësisht se në gjykata ekziston përfaqësimi shumicë i grave, segmente të caktuara janë tërësisht të maskilizuara, për shembull policia gjyqësore. Analiza e përfaqësimit gjinor ishte e kufizuar për sa i përket thellësisë për shkak të mungesës së të dhënave të sistematizuara të ndara sipas gjinisë, por megjithatë është një bazë solide për gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që lidhen drejtpërdrejt me perspektivat gjinore.

Si rezultat i këtyre kushteve, pushteti gjyqësor përballet me vështirësi sistematike në realizimin e proceseve të punës në gjyqësore në mënyrë efikase, efektive dhe me mënyrë ekonomike, duke garantuar njëkohësisht cilësinë e drejtësisë gjyqësore.

Gjetjet dhe rekomandimet e kësaj analize, thonë nga Sekretariati për Çështje Evropiane, do të jenë bazë në dokumentet e ardhshme strategjike për përmirësimin e punës së gjyqësorit, proceseve dhe prioriteteve të reja për përmirësimin e kushteve dhe kapaciteteve për punë dhe menaxhim në gjykatat themelore.

Këto probleme në gjyqësor minojnë drejtësinë, përkatësisht, në pamundësi për t’i shqyrtuar lëndët për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe pajisjeve tjera në gjykatë, nga ndjekja penale mund të shpëtojnë persona me vepra të rënda penale. Kjo stagnon madje edhe rrugën drejt BE-së, pasi reformat në këtë sektor janë pjesë e procesit të vendit në rrugën drejt Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button