Hulumtim: Mikroplastika nëpërmjet erës përhapet me mijëra kilometra

Menaxhimi jo adekuat i mbeturinave në disa pjesë të botës, përfshirë edhe Maqedoninë, e shkakton përhapjen e mbeturinave të rrezikshme nëpërmjet erës në distanca të mëdha të cilat gjenden larg lokacioneve ku mbeturinat fillimisht shpërndahen.

Shkencëtarët nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve CNRS kanë zbuluar prani të mikroplastikës, me origjinë nga Afrika dhe Amerika e Veriut në ajrin e maleve të Pirinejeve, në një lartësi prej 2877 metrash raporton gazeta Guardian.

Mikroplastika janë copëza më të vogla se 5 mm, të cilat vijnë nga materialet e mbeturinave të ambalazheve, veshjeve, automjeteve dhe burimeve të tjera që janë zbuluar në ajër, ujë dhe tokë.

Hulumtuesit kanë marrë mostra të Pirenejve Francezë nga Observatori Pik du Midi pikërisht sepse mendohej që klima dhe natyra lokale ishin nën ndikimin e këtij lokacioni.

Ata kanë testuar nga 10.000 metra kub ajër në javë, nga qershori deri në tetor 2017, dhe kanë zbuluar se të gjitha mostrat e ekzaminuara përmbanin mikroplastikë.

Duke përdorur të dhënat për motin, e kanë përllogaritur lëvizjen e masave të ajrit gjatë periudhës kur janë marrë mostrat nga Pirenejet. Me këtë hulumtim shkencëtarët kanë zbuluar se burimet e ndotjes mbërrijnë në tokën evropiane, madje edhe në malet më të larta, nga kontinente të tjera.

Një prej autorëve të studimit, Stiv Alen nga Universiteti i Delhausit në Kanada, ka thanë se mikroplastika ka mund të përshkonte distanca të tilla, sepse kishte arritur lartësi të mëdha në atmosferë. Hulumtimi vë në pah edhe burime të mikroplastikës në Detin Mesdhe dhe Oqeanin Atlantik.

Studiuesit në këtë hulumtim kanë ardhur në përfundimin se thithja e grimcave mikroplastike në ajrin e Pirenejve francezë nuk është e rrezikshme për jetën e njeriut, por shtuan se ka mundësi që njerëzit të thithin grimca të tilla.

Pikërisht për këtë arsye, studiuesit thonë se problemi i mbetjeve plastike nuk është problem kombëtar, por problem global me të cilin përballet e gjithë popullata e botës. Ata thonë se edhe në vendet ku problemi i menaxhimit të mbetjeve shihet nëpërmjet eksportit të tyre jashtë territorit të tyre, është një veprim me të cilin nuk zgjidhen gjërat.

Hulumtuesit nuk e kanë përfshirë fare Maqedoninë në punën e tyre shkencore, por mënyra e menaxhimit të mbeturinave në vend duhet të detyrojë autoritetet të mendojnë seriozisht për  rezultatet e fituara për përhapjen e mikroplastikës nëpërmjet erërave. Në vendin tonë, nuk është ndërtuar asnjë deponi rajonale ku mbeturinat depozitohen sipas standardeve të përcaktuara në BE, ndërkohë mbi 80 për qind e mbetjeve komunale përfundojnë të papërzgjedhura në deponitë komunale, ku ato shpërbëhen.

Gjatë kësaj, vetëm 1,8 për qind nga sasia e përgjithshme e mbeturinave komunale, që krijohen nga popullata në Maqedoni, përzgjidhet si plastikë. Në të njëjtën kohë, pothuajse një e treta e sasive totale të mbetjeve të krijuara komunale nuk mblidhen nga shërbimet publike dhe nuk përfundojnë në deponitë komunale, ndërsa dëshmi për këtë janë deponitë e shumta ilegale që mbijnë në natyrë, mbeturinat e të cilave më pas era i bartë në lokacione larg nga deponia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button