Çmimi i energjisë elektrike do të rritet, vetëm 14% e familjeve kanë kolektorë diellorë (Infografik)

Derisa po renditen analiza të shumta për përqindjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël në vend, të dhënat statistikore tregojnë se shumica e amvisërive nuk kanë burime alternative, për furnizim me energji elektrike, që mund t’i ulin faturat mujore nga EVN Home, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Enti Shtetëror i Statistikave para pak kohe doli me të dhënat për situatën me kolektorët e instaluar diellor në amvisëri, që mund të prodhojnë energji elektrike në objekte dhe ashtu të reduktojnë konsumin prej EVN Home, por edhe të ulin presionin në rrjetin elektrik gjatë krizës globale të energjisë dhe çmimet e larta të importit të energjisë elektrike nga jashtë.

Gjithsej 79.242 familje kanë instaluar kolektorë diellorë brenda objekteve të tyre në vitin 2019, me ç’rast 78.093 familje kishin kolektorë të tillë diellorë, që edhe prodhojnë energji elektrike nga dielli. Sipas ESHS-së, vlerësohet se në vend ka 567.743 amvisëri, që janë pothuajse 14% e familjeve në Maqedoni, të cilat kanë instaluar kolektorë diellorë në shtëpitë e tyre.

Shikuar sipas rajoneve, deri tani shfrytëzimi më i ulët i energjisë diellore ishte në rajonin e Pollogut, ku në vitin 2019 kolektorë diellorë të integruar në shtëpitë e tyre kishin vetëm 1.899 amvisëri. Në anën tjetër, rajoni Lindor me 21.511 familje e mban bindshëm rekordin në përdorimin e energjisë së rinovueshme nga dielli.

Statistikat e ESHS-së nuk ofrojnë informacione më të detajuara për atë se sa është prodhimi i përgjithshëm i energjisë elektrike i të gjitha familjeve me kolektorë diellorë, por e kanë informacionin se  kolektorët diellorë janë instaluar në një sipërfaqe prej 176.169 metrash katrorë. Pritet se goditja nga rritja e faturave të energjisë elektrike për familjet të cilat kanë kolektorë diellorë do të jetë më e butë, pasi një pjesë të konsumit të energjisë elektrike e sigurojnë prej burimeve të tyre.

Megjithatë, ESHS ka të dhëna se cilat lëndë djegëse përdorin familjet si lloj bazë për ngrohje të objekteve. Konsumi i druve të zjarrit, rrymës dhe ngrohjes qendrore dominon në ngrohjen e qytetarëve, që do të thotë se shumë amvisëri pas Vitit të Ri mund të kenë rritje të faturave për rrymë apo ngrohje qendrore, për faktin se Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) ende nuk e ka shpallur përqindjen e rritjes së faturave mujore.

Sipas ESHS-së, shumica e amvisërive – gjithsej 279.227 i kanë ngrohur objektet me dru zjarri, por çmimi i shitjes tyre nuk ka të bëjë me vendimet e KRRE-së. Rreth 177.712 amvisëri ngrohen me energji elektrike, ndërsa 58.207 amvisëri nga Shkupi i ngrohin objektet me ngrohje që prodhohet nga kaldaja publike.

Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e amvisërive në Maqedoni me padurim i presin vendimet e KRRE-së për çmimet e energjisë elektrike dhe ngrohjes për gjashtë muajt e ardhshëm, që do të përcaktojë se çfarë fatura do të paguajnë për ngrohjen e shtëpive të tyre. Portalb.mk dhe Meta.mk ka kohë që shkruan për përqindjen e energjisë që përdoret nga familjet për ngrohjen e shtëpive të tyre.

Të dhënat e ESHS-së tregojnë se në vitin 2019, 48.201 amvisëri për ngrohjen e ambienteve kanë përdorur briketa ose peleta, 2.883 amvisëri kanë përdorur naftë për ngrohje, ndërsa një pakicë prej 962 amvisërive janë ngrohur me thëngjill dhe 551 amvisëri të tjera me gaz.                                                                                                                                                                                                                                                                                        Ndryshe, Komisioni Rregullator i Energjetikës do të duhet të marrë vendim për çmimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore më së voni deri të premten, ndërsa çmimi ri do të vlejë nga 1 janari 2022.

Meta.mk tashmë ka shkruar se vjeshtën që posa kaloi qytetarët kanë shprehur interesim të madh për blerjen e stufave për ngrohje me dru të zjarrit, sidomos tek ato amvisëri që deri më tani janë ngrohur me rrymë ose kanë pas frikë nga kufizimet e mundshme të furnizimit me energji gjatë dimrit.

Aktivistët ekologjikë, duke e përfshirë edhe partinë politike DOM, disa herë në të kaluarën kanë promovuar një masë tjetër – nxitje më të mëdha për amvisëritë që të përdorin energjinë diellore.

“DOM kërkon që Qeveria dhe autoritetet vendore të marrin urgjentisht vendim për të obliguar institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike që menjëherë të fillojnë me vendosjen e paneleve fotovoltaike dhe të bëjnë rikonstruktimin e fasadave energjetike në të gjitha objektet publike. Urgjentisht të thjeshtësohet procedura e lejeve për instalimin e fotovoltaikëve dhe të hiqen të gjitha kufizimet që kanë të bëjnë me kapacitetin e pajisjeve të instaluara që qytetarët dhe kompanitë do të mund t’i instalojnë mbi çatitë e tyre”, kërkoi kjo parti politike në fillim të dhjetorit.

Nëse zbatohen këto masa, DOM beson se brenda 200 muajsh mund të vendosen 200 megavat kolektorë të rinj diellorë kurse deri në fund të vitit 2022 200 megavat të tjera, të cilat deri në fund të vitit të ardhshëm mund të sigurojnë energji të mjaftueshme për rreth 100 mijë familje.

Edhe Gorjan Lazarevski, krijues i aplikacionit “Ajri im” dhe këshilltar i listës “Qyteti Human i Gjelbër”, në Këshillin e Qytetit të Shkupit, për Meta.mk tha se përgjigja e vërtetë për krizën aktuale energjetike mund të jetë vetëm investimi në energji diellore.

“Si një vend me mesatarisht mbi 230 ditë me diell në vit, fermat diellore dhe promovimi i energjisë diellore për familjet është vendimtar për reduktimin e ndotjes së ajrit nga shumë burime. Kjo është një masë afatgjatë, e cila nuk duhet të vonohet”, thotë Jovanovski, duke shtuar se planet për zhvillim të tillë në Shkup dhe në vendin në tërësi nuk duhet të bëhen vetëm për një cikël zgjedhor, por për 50 apo 100 vitet e ardhshme.

Për t’u përballur më krizën globale energjetike dhe rritjen e çmimeve të importit të energjisë elektrike, Qeveria e RMV-së vendosi që në këtë periudhë ta vë në funksion edhe TC “Negotinë”, i cili konsiderohet i mjaftueshëm për të tejkaluar periudhën e dimrit, së bashku me funksionimin pa pengesa të termocentraleve “Manastiri” dhe “Oslomej”.

Portalb.mk dhe Meta.mk vitin e kaluar ka shkruar se investimi për vendosjen e panelit fotovoltaik në çati sillet nga 600 deri në 700 euro për kilovat, pra për vendosjen maksimale 4 kilovat për një shtëpi duhen mjete rreth 3000 euro. Nëse kolektorët diellorë funksionojnë deri në 1500 orë në vit, ata mund të paguajnë investimin e familjes në to brenda disa vitesh.

Ndryshe, Ministria e Ekonomisë në propozim-buxhetin për vitin 2022, në programin për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik, parasheh subvencione për qytetarët në vlerë prej 80 milionë denarë. Edhe pse kjo shumë është për 30 milionë denarë më shumë në krahasim me mjetet e parapara në vitin 2021, megjithatë këto subvencione ndahen në katër zëra të ndryshëm, ku përfshihen kolektorët diellorë të blerë dhe të integruar në amvisëri dhe nuk konsiderohen të mjaftueshme për të mundësuar përfshirje të një numri më të madh të amvisërive në nivel kombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button