Numër i ulët i të vaksinuarve në Gostivar, mjeku Fazliu: Nevojitet sensibilizim, institucionet të veprojnë

Numri i personave të vaksinuar në komunën e Gostivarit sipas ekspertëve të shëndetësisë nuk është i kënaqshëm, deri tani në këtë qytet janë vaksinuar vetëm 29.9 përqind e popullatës, shifër kjo që është larg imunitetit kolektiv. Sipas mjekut Adhurim Fazliu, ky numër duhet të shërbejë si alarm si për institucionet lokale të Gostivarit ashtu edhe për ata qendrore, në mënyrë që të përveshin krahët drejt senzibilizimit të popullit për vaksinim, shkruan Portalb.mk.

Sipas statistikës së fundit të Institutit për Shëndet Publik në Maqedoninë e Veriut, në Gostivar deri tani janë vaksinuar gjithsej 29.9% e popullatës, sipas kësaj, Gostivari rradhitet në komunat me më pak të vaksinuar në vend.

Edhe pse aktualisht gjendja me pandeminë në këtë qytet nuk qëndron keq, nga virusin korona në Gostivar gjithsej kanë humbur jetën 390 persona ndërkaq numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë qytet është 8082 kurse aktualisht ka vetëm 19 persona pozitiv.

Të dhënat e lartëpërmendura, sipas mjekut Adhurim Fazliu duhet të ndezin alarm te të gjitha institucionet në vend, qofshin ata lokale apo nacionale, fushatat e vetëdijësimit sipas tij do të ndihmonin në arritjen e imunitetit kolektiv, që deri tani, Gostivari qëndron larg kësaj.

“Megjithëse procesi i vaksinimit po zhvillohet gati tash 10 muaj, unë mendoj se numri i personave të vaksinuar nuk i plotëson pritshmëritë tona. Mendoj se shifrat të cilat janë publike duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Meqë imuniteti kolektiv arrihet përmes vaksinimit masiv të popullsisë mendoj se politikat shëndetësore duhet të drejtohen në këtë drejtim” tha mjeku Adhurim Fazliu.

Adhurim Fazliu, mjek.
Adhurim Fazliu, mjek.

Papërgjegjshmëri dhe huti në opinionin publik, i quan mjeku Adhurim Fazliu dezinformatat se ka mënyra tjera përpos vaksinimit masiv për arritjen e imunitetit kolektiv, ai shtoi se për këtë duhet të jenë të vaksinuar së paku 67% e popullatës, ndërkaq deri tani janë vaksinuar gjithsej 29.9%.

“Përqindja për qytetin e Gostivarit që sillet afërsisht 30% mendoj se duhet të ndez alarmin në çdo institucion qëndror dhe lokal për të sensibilizuar masen për vaksinim.

Imunitet kolektiv mund të themi se kemi fituar nëse numri i personave që kanë kaluar sëmundjen ose janë vaksinuar arrin në 67% .

Vetëm përmes vaksinimit masiv arrihet imunitet kolektiv, çdo lloj informacioni tjetër paraqet papërgjegjshmëri dhe krijim hutie në opinion” shtoi mjeku Adhurim Fazliu.

Theksojmë se statistikat e lartëpërmendura janë marrë nga analiza e Institutit për Shëndet Publik për periudhn 13-19.12.2021, për ta lexuar këtë analizë të plotë, klikoni KËTU.

Çfarë është dhe si arrihet imuniteti kolektiv?

Imuniteti i tufës – që i referohet mbrojtjes së individëve të rrezikuar (=suseptibël) nga një infeksion, kur ekziston një numër i mjaftueshëm individësh imun në popullatë, nuk duhet të shihet kurrsesi jashtë kontekstit të vaksinave. Me fjalë të tjera, imuniteti i tufës mund të arrihet kur individët e imunizuar (=të vaksinuar) ndihmojnë në pengimin e transmetimit të virusit tek individët e rrezikuar. Sipas përllogaritjeve aktuale, përqindja-kufi që duhet të arrihet për të pasur imunitet të tufës është mbi 50-67% e popullatës së rrezikuar. Për ta kuptuar më mirë këtë koncept, po e zbërthejmë matematikisht, bazuar në formulën epidemiologjike për gjetjen e kufirit për arritjen e Imunitetit të Tufës (IT):

Ku: Ro është numri i rasteve të reja që potencialisht infektohen nga një rast aktual me COVID-19. Aktualisht, ky numër lëviz ndërmjet 2 dhe 3 individë. Nëse marrim si shembull rastin e  Shqipërisë, në skenarin kur Ro është 2, IT mund të arrihet nëse infektohen të paktën 50% e popullsisë totale në Shqipëri (~1.4 milionë). Në skenarin kur Ro është 3, IT mund të arrihet nëse infektohen të paktën 67% e popullsisë (~1.9 milionë). Sot kemi të infektuar, sipas shifrave zyrtare, më pak se 5% të popullsisë dhe e shikojmë se në çfarë presioni e kemi vënë sistemin shëndetësor! Për më tepër nëse e lejojmë virusin të përhapet do të kemi humbje jete tërësisht të parandalueshme, që shkon kundër zotimit profesional ‘Primum non nocere’ fillimisht mos dëmto!

Theksojmë se nuk kemi pasur asnjë rast në historinë e njerëzimit ku të kemi eliminuar ose arritur imunitet tufe për një infeksion përmes infektimit natyral! Rrjedhimisht, nëse do të përdorej si strategji me justifikimin për të dalë më shpejt nga kjo pandemi, do të ishte e papranueshme, fatale, jo etike, si dhe do të kushtonte shumë jetë të humbura njerëzish të parandalueshme.

Vetëm përmes vaksinimit të shpejtë dhe të gjerë mund të arrijmë imunitet të tufës – çdo formë tjetër e njohur është deluzion ose papërgjegjshmëri.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button