Në vend të stufave me dru, kolektorët diellorë janë shpëtim nga ndotja e ajrit dhe për energji më të lirë elektrike

Kriza ndërkombëtare energjetike, që ka ndikuar në rritjen enorme të çmimeve të energjisë elektrike dhe ngrohjes, e ndezi “alarmin e kuq” te qytetarët në vend. Pyetjet për lartësinë e faturave të energjisë elektrike nga 1 janari 2022, të përcjella me spekulime se do të ketë kufizime të energjisë elektrike, i nxitën qytetarët që këtë vjeshtë të orientohen në blerje të stufave me dru, si zëvendësim i ngrohjes qendrore apo kondicionerëve inverterë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, deri në fund të vitit, duhet të dalin me përllogaritjet për çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe konsumatorët e vegjël në periudhën janar-qershor 2022, megjithatë qysh tani është e sigurt se qytetarët do të ndjejnë rritjen.

Pyetja e vërtetë është nëse me rritjen e faturave të rrymës, si dhe me rritjen e mundshme të ngrohjes qendrore në Shkup, do të rritet interesimi i qytetarëve që t’i ndërrojnë kondicionerët inverter dhe ngrohjen qendrore dhe sërish të kalojnë në stufa me dru zjarri apo do të orientohen drejt burimeve të energjisë së rinovueshme? Dhe sigurisht, sa do të ndikojë negativisht ky veprim i qytetarëve në ndotjen e ajrit në qytete?

Panoramë e qytetit të Shkupit, nëntor 2021 | Foto: Meta.mk
Panoramë e qytetit të Shkupit, nëntor 2021 | Foto: Meta.mk

Hulumtimi i fundit i promovuar nga “Eko-vetëdija” (Eko-svest), që e realizoi kompania INDAGO, në fund të nëntorit të këtij viti, që u prezantua në punëtorinë në kuadër të projektit “Partneritet për ngrohje më inteligjente”, tregon se qytetarët kanë qëndrim konservator ndaj ndryshimeve në sistemin e ngrohjes që përdorin. Anketa tregoi se 53% e familjeve të anketuara nuk duan të ndërrojnë sistemin e ngrohjes, kurse vetëm 10% janë të gatshme për një hap të tillë. Familjet e tjera do të riorientoheshin në mënyra më moderne dhe më ekologjike të ngrohjes, por vetëm nëse marrin ndihmë financiare të pakthyeshme.

Meta.mk e pyeti Gorjan Jovanovskin, krijuesi i aplikacionit “Ajri im” dhe këshilltar i listës “Qytetit human i gjelbër” në Këshillin e Qytetit të Shkupit, se sa nxitimi i qytetarëve për të blerë stufa mund të ndikojë negativisht në nivelet e ndotjes së ajrit në qytete. Përgjigja e tij është se si qytetarë duhet të riorientohemi drejt energjisë diellore.

“Djegia e drurit ndot, por edhe prodhimi i energjisë elektrike nga thëngjilli dhe mazuti ndotin jashtëzakonisht shumë. Si një vend me mbi 230 ditë mesatare me diell në vit, fermat diellore dhe promovimi i energjisë diellore për familjet është vendimtar për reduktimin e ndotjes së ajrit nga shumë burime. Kjo është një masë afatgjatë, e cila nuk duhet të shtyhet”, tha Gorjan Jovanovski, duke shtuar se planet për zhvillim të këtillë për Shkupin dhe vendin në tërësi nuk duhet të bëhen vetëm për një cikël zgjedhor, por për 50 apo 100 vitet e ardhshme.

Ndryshe, hulumtimi i INDAGO-s ka treguar se gjysma e amvisërive në vend i ngrohin vetëm ato dhoma që i përdorin, por edhe se 79% janë të kënaqur me ngrohjen e tyre. Shumica e familjeve do t’i ndërronin stufat e vjetra për kondicionerë me inverterë, pastaj me pompa për ngrohje dhe ngrohje qendrore, megjithatë 70% madje kanë thanë se nuk duan të marrin kredi për një investim të tillë, ndërkohë vetëm 19% kanë thanë se investim i pranueshëm për ta është deri në 300 euro.

Dru, Foto nga Pietro De Grandi në Unsplash
Dru, Foto nga Pietro De Grandi në Unsplash

Hulumtimi i këtillë praktikisht nënkupton se shteti, bankat dhe komunat janë subjektet që do të duhet të nxisin qytetarët të investojnë financiarisht në pajisje të reja për ngrohje, por pyetja aktuale është nëse kondicionerët inverter që janë stimuluar nga komunat dhe qeveria nëpërmjet subvencioneve në të kaluarën janë alternativë e vërtetë për vendin, në kushtet kur importi i energjisë elektrike nga jashtë është shumë i shtrenjtë, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike nga mazuti dhe thëngjilli nga termocentralet vendase është zgjedhje shumë jo ekologjike.

Gorjan Jovanovski thotë se kondicionerët inverter ndihmojnë në uljen e ndotjes lokale të ajrit në zonat me popullsi të dendur, ku më parë shumica e qytetarëve janë ngrohë me dru zjarri.

Megjithatë, prodhimi i energjisë elektrike nga thëngjilli dhe mazuti ndot gjithashtu, kurse sipas çmimeve aktuale për prodhimin e energjisë elektrike nga 150 deri në 180 euro për megavat orë në TC “Negotinë”, është faktor që vetëm do t’i “ngrohë” faturat e energjisë elektrike.

Nga shoqata qytetare “02 Iniciativa” i kanë drejtuar kritika të ashpra pushtetit qendror për hapat që po i ndërmerr në kushte të krizës energjetike. Javën e kaluar Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë për vitin 2021, me të cilën mjete buxhetore prej 13,5 milionë euro,  u reduktuan nga ato që ishin dedikuar kundër ndotjes së ajrit, për deponitë ilegale, mbrojtjen e ujit dhe mjedisit, efikasitetin energjetik dhe pavarësinë energjetike.

“Ulja e shumave aq të mëdha të mjeteve financiare do të thotë se nuk është zbatuar plani për reduktimin e ndotjes së ajrit, deponive ilegale, mbrojtjen e ujit dhe mjedisit, efikasitetin energjetik, pavarësinë energjetike dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, që është shkatërruese”, shkruan “02 ​​Iniciativa” në Facebook faqen e tyre.

Nga “02 ​​Iniciativa” e theksojnë reduktimin e fondeve për ndotjen e ajrit për plot 71 për qind nga 1,3 milionë euro të parashikuara në buxhet për këtë vit. Për rehabilitimin e efikasitetit energjetik të konvikteve, ka një ulje prej 71 mijë e 500 euro ose 54 për qind më pak se fondet e parashikuara në buxhetin për vitin 2021. Rënie prej 65 për qind ka në shpenzimet kapitale për menaxhimin e mbeturinave, gjegjësisht rënie prej 326.000 euro.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, moszbatimi dhe vonesa e projekteve të nevojshme, të premtuara nga qeveria qendrore, jo vetëm që ndikojnë negativisht në ajrin që e thithim, por edhe dërgon mesazh të keq për qytetarët lidhur me vendimet e tyre për investime drejt burimeve të rinovueshme të energjisë apo ngrohësve më ekologjikë nëpër shtëpitë.

Ajri i ndotur - Shkup, Foto: Meta.mk
Ajri i ndotur – Shkup, Foto: Meta.mk

Ndryshe, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH) për burimet energjetike, që amvisëritë në Maqedoni i përdorin për ngrohje, janë jashtëzakonisht negative për sa i përket ndotjes së ajrit. 49,2 për qind e familjeve në vend në vitin 2019 janë përgjigjur se për ngrohjen e ambienteve ku jetojnë përdorin dru zjarri, ndërsa 31,3 për qind e familjeve ngrohen me energji elektrike, e cila prodhohet kryesisht nga termocentralet dhe çmimi i së cilës ka mundësi të rritet në të ardhmen. 10,5 për qind e amvisërive kanë pas qasje në ngrohje qendrore, ndërsa 8,5 për qind e amvisërive janë ngrohë me briketa ose peleta.

Nëse situata krahasohet me një anketë identike të ESHS, të kryer pesë vjet më parë, ekspertët e statistikës në 2014 kanë vërtetuar se 61,59 për qind e amvisërive janë ngrohë me dru zjarri dhe dru pemishte, 28,6 për qind të shtëpive asokohe janë ngrohur me energji elektrike, 8,33 për qind e shtëpive kanë pas qasje në ngrohje qendrore, ndërsa me briketa dhe peleta të drurit janë ngrohur vetëm 0,87 për qind të objekteve të banimit.

Të dhënat krahasuese tregojnë se, me kalimin e viteve, përdorimi i druve të zjarrit është në rënie, ndërsa përdorimi i ngrohjes qendrore, ngrohjes elektrike dhe briketave dhe peletave të drurit është në rritje. Për të parandaluar procesin e kundërt, atë negativ – gjegjësisht rritjen e përqindjes së  amvisërive që ngrohen me dru zjarri në periudhën e krizës energjetike, qeveria qendrore dhe komunat do të duhet të rrisin menjëherë stimujt për qytetarët për përdorimin e energjisë diellore, por edhe për investime në efikasitetin energjetik dhe për ndërgjegjësim të shpenzimit racional të energjisë elektrike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button