Shpërngulja e shqiptarëve nga Derveni i Shkupit në Turqi (1953-1961)

 E prenë lisin e na e shpuan
Po për tokë s’mund e shtruan
U mbush lisi plot me degë
Trupin lart e lëshoi përpjetë
N.Jahiu

 Migrimet përfshijnë lëvizjet e njerëzve nga një vend në tjetrin me qëllim të vendosjes në një lokacion tjetër të përkohshëm ose permanent (më 2019, 3.5% e popullatës botërore). Migrimet si fenomen shoqëror dhe si një  çështjet më të mëdha humanitare të epokës sonë, përmenden edhe në librat e shenjta dhe në veprat e figurave të mëdha të historisë siç është Plutarku që ka shkruar “Mbi ekzilin” (Boin, 202). Shkaqet e mobilitetit social horizontal mund të jenë të ndryshme: problemet ekonomike, kriza dhe presionet politike, diskriminimi, skllavëria, kataklizmat natyrore, dëshira për arsimim dhe jetë më të mirë,  e të tjera. Migrimi mund të ndodhë brenda një shteti ose nga një vend në një tjetër, madje edhe nga një kontinent në tjetrin. Në Ballkan, sinonim ky i kthimit në gjendjen fisnore, të prapambetur, primitive, barbare (Todorova), zhvendosjet apo shpërnguljet kanë qenë ndër dukuritë më të përgjithshme që kanë ndryshuar jetët e njerëzve që nga historia e vjetër e deri te themelimi i shteteve kombëtare. Shqiptarët janë ndër kombet që shumë herë gjatë historisë kanë qenë të detyruar të dynden nga vatrat e tyre, të braktisin vendlindjen, të tërhiqen e të marrin rrugën e shpërnguljes së përhershme, të emigrimit apo kurbetit që është plagë e kamotshme e jona.

Të mërkurën që shkoi në organizim të Klubit të Intelektualëve të Dervenit (KID), para një auditori të zgjedhur, intelektualë, shkollarë, mësimdhënës, afaristë, zyrtarë të Komunës, në lokalet e shkollës së mesme të Sarajit u bë promovimi i veprës më të re të njërit nga doajenët e arsimit shqip në RMV, pedagogut dhe autorit të dalluar Baki Bakiu, “Emigrimi i familjeve shqiptare në Turqi nga Derveni i Poshtëm i Shkupit dhe rrethina (1953-1961)” (Fondacioni Albiz & Dauti Komerc, Shkup, 2021). Vepra një fjalë trajton njërën nga përjetimet më të dhimbshme të kombit shqiptar: dyndjen, eksodin, hixhretin si pasojë e torturës, krimit dhe terrorit sistematik të ushtruar nga pushtuesi serb dhe sllav në periudha të ndryshme, në veçanti 100 vitet e fundit.

Vepra e 12-të e prof. Bakiut fokuson momente tragjike të historisë sonë, strategjitë për deshqiptarizim të Ballkanit (Garashanin, Çubrilloviq, Andriq, Konventa 1938 dhe Marrëveshja 1953), kolonizimin e trojeve tona, trysnitë përmes reformës agrare, arsimore, shpërdorimin e fesë, të osmanofilisë për t’i detyruar shqiptarët të ikin në Turqi, në Anadoll. Vepra rrëfen se metodat çnjerëzore të dhunës psikologjike dhe fizike shkaktuan që një pjesë e popullatës të vendoste për t’u shpërngulur në Turqi. Pasi merreshin “vesikat” (dokumentacioni), rrugët çonin drejt stacionit. Treni për Selanik  dhe fishkëllima e tij,  sipas autorit-dëshmitar, ishin simbolika e ndarjes, lotëve, rrugës pa kthim:

“Nga stacioni i trenave me pikëllim të madh përcollëm disa familje nga fshati ynë… Dëgjoheshin piskama, qarje, vaj. Njerëzit supozonin se nuk do të shiheshin kurrë më. Atëbotë ndahej vëllai nga vëllai, nga motra, babai nga djemtë, nëna nga bijtë e bijat, nga farefisi, kushëriri… Përcjelljet dhe pikëllimi ishin shndërruar në përditshmëri. Fishkëllima e trenit për nisje: momenti më i trishtueshëm për familjet shqiptare të Dervenit. Përqafimet e fundit, lotët rrëke.” (f. 70)

Një paralele e përshkrimit të autorit Bakiu që i bën atyre rrethanave mund të tërhiqet edhe me atë nga libri i një shqiptaro-turko-amerikaneje, B. A. Ellis nga studimi i saj Prejardhjet hije: kujtesa dhe identiteti i muslimanëve të Maqedonisë, botuar nga Logos-A (2013):

“Stacioni i trenit… kush s’ka vajtur te stacioni i trenit? Me muaj të tërë fshatarët rrodhën e erdhën në shtëpinë tonë, gjyshet me thasët në shpinë, që bënin gjumë në oborrin tonë që nesër të kapnin trenin. Përcjelljet në stacionin e trenit, sirenat… sirenat e gjata në orët e hershme të mëngjesit. Për herë të fundit po i shihnim nipat, motrat, vëllezërit. Sa shumë prej nesh u plakën te ai stacion?” (Mësuese shqiptare nga Manastiri, 17 prill 1998, në Ellis, 2013)

Fjalën kryesore në këtë ceremoni kulturore e patën promovuesit, recensentët e librit: mësimdhënësi universitar prof. Dr. Izaim Murtezani dhe historiani, ligjëruesi në UT, Dr. Besnik Rameti. Murtezani, duke elaboruar këtë monografi shkencore emigrimin e cilësoi si “plagë që ka cunguar tejmase trungun apo demografinë e substancës sonë kombëtare”, si golgotë dhe dramë të hidhur të trojeve arbërore. Sipas tij, vepra mes tjerash ka prekur harkun kohor 1953-1961, kur shteti përdorte etiketimet e pabaza, presionet (më 1953, 98% të krushopekasve ishin regjistruar “turq”), gjobat, burgosjet, rrëzimin e mureve e shumë ndërmarrje të tjera destruktive për t’i shtyrë shqiptarët të marrin rrugën drejt Turqisë, periudhë kjo kur kemi bërë edhe një hap kolektiv drej mbijetesës kolektive, duke u dëmtuar nga zhvendosja (rreth 3500 njerëz ikën, të tjerët të traumatizuar) por ndërkohë edhe duke u forcuar si entitet dhe kulturë. Në fund Murtezani theksoi se libri është shkruar me metodologji dhe me aparaturë profesionale, se autori nëpërmjet publikimit në fjalë e bën të amshueshme kujtesën historike për një periudhë tejet të trishtë të qenësisë sonë kombëtare.

Besnik Rameti theksoi se kjo vepër që përshkruan “të zitë e ullirit” (M. Kodra) që kanë hequr shqiptarët, do t’i shërbejë historiografisë tonë dhe më gjerë. Sipas tij kjo vepër shqyrton politikat shkombëtarizuese, dhunën dhe diskriminimin, propagandën dhe shumë faktorë të tjerë që kanë nxitur shpërnguljet masive tragjike drejt Turqisë. Ai nënvizioi edhe rolin që feja islame ka luajtur në mbrojtjen e qenies tonë fetare dhe etnike.

Origjinaliteti i kësaj vepre qëndron në pjesën empirike, gjegjësisht te të dhënat e gjeneruara nga banorët (34 përgjigjësit) e 22 vendbanimet e kësaj zone, që me të dhënat dhe kujtimet e veta japin një pasqyrë më të kthjellët lidhur me ato vite dhe përjetime nga kalvari shqiptar. Veprës vlerën ia rrisin ilustrimet, të dhënat kuantitative, tabelat ilustruese të fakteve që i ngërthen.

Në këtë event fjalë rasti patën edhe kryetari i KID-it, Isamet Bakiu dhe autori i librit që falënderoi organizatorin, recensentët dhe botuesit që u zotuan që e njëjta të përkthehet edhe në gjuhën turke që “tanët andej” të dinë rrënjët dhe të kaluarën e vet. Baki Bakiu me veprimtarinë e vet arsimore, kulturore dhe humanitare ka larë borxhin ndaj brezave dhe mbetet një shembëlltyre e njeriut me vlera të mirëfillta dhe kulmore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button