fbpx

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dy vjet më vonë  

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Marrëveshja e Gjelbër, e vitit 2019, është prioriteti i parë strategjik i kësaj përbërjeje të Komisionit Evropian. Marrëveshja i ka tre qëllime kryesore: 

  1. Bashkimi Evropian të bëhet neutral në aspektin e gazrave serrë deri në vitin 2050; 
  2. Rritja ekonomike të ndahet nga përdorimi i burimeve; 
  3. Asnjë njeri dhe asnjë vend nuk duhet lënë pas dore.  

Për qëllimin e parë, që është më i njohuri, është vendosur një qëllim i ndërmjetëm: emetimet e gazeve serrë, deri në vitin 2030, të reduktohen për 55% krahasuar me vitin 1990.  

Për ilustrim, në vijim janë disa nga objektivat kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane në disa fusha: 

  • Deri në vitin 2030 – 55% reduktim i emetimeve prej makinave; 50% e furgonëve; 
  • 0 shkarkime nga makinat e reja deri në vitin 2035; 
  • 40%  e energjisë së rinovueshme në vitin 2030; 
  • 36-39% objektiva të reja të efikasitetit energjetik deri në vitin 2030; 
  • Qëllim i ri më ambicioz – të hiqen 310 milionë tonelata metrike dyoksid karboni, përmes pyllëzimit dhe ruajtjes së pyjeve, tokave, kënetave, tokave torfe evropiane. 

Komisioni vlerëson se Marrëveshja e Gjelbër Evropiane ofron mundësi për të rinovuar 35 milionë ndërtesa deri në vitin 2030 dhe deri në vitin 2035 të krijohen 160.000.000 vende pune të reja e “të gjelbra” në ndërtimtari.  

Për realizimin e qëllimeve ambicioze, janë paraparë shumë instrumente dhe sigurisht – shumë para. Një e treta e totalit të fondeve në buxhetin shtatëvjeçar të BE-së dhe Fondit të Rinovimit të Gjeneratës së Ardhshme të BE-së, ose rreth 600 miliardë euro, janë caktuar për financimin e Marrëveshjes së Gjelbër. 

Aktivitetet nuk janë parashikuar vetëm në fusha si mjedisi jetësor dhe klima, por edhe në energjetikë, transport, bujqësi, industri, financa dhe zhvillim rajonal, kërkim dhe inovacione. Në secilën prej këtyre fushave, janë miratuar ose janë planifikuar një sërë strategjish dhe masash ligjore të BE-së, si pjesë e një pakete të quajtur “Të përgatitur për 55” “Fit for 55”, duke aluduar në objektivin për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2030  për 55%. Është e pamundur që ato të prezantohen këtu në tërësi, sepse pasqyrojnë në masë të madhe punën e përgjithshme të institucioneve të BE-së, veçanërisht të Komisionit, ndaj po i paraqesim vetëm disa nga më të rëndësishmet. 

Një nga instrumentet kryesore të BE-së është Skema e Tregtimit me Emisionet (ETS), e krijuar në vitin 2005, e cila inkurajon industritë të përshtaten me objektivat e gjelbër. Maksimumi i emetimeve që mund të tregtohen po zvogëlohet çdo vit, me ambicie gjithnjë e më të mëdha, në përputhje me objektivat e vendosura në Marrëveshjen Evropiane të Gjelbër. Po parashikohet gjithashtu rishqyrtim i sistemit të taksimit të energjisë, me të cilin synohet të eliminohen efektet e dëmshme të konkurrencës tatimore në këtë fushë dhe të sigurojë më shumë të ardhura për shtetet nga taksat “e gjelbra”.

Sipas rregullit “pa borxh”, emetimet e përdorimit të tokës duhet të kompensohen nga aktivitete ekuivalente për heqje të dyoksidit të karbonit në sektorët e pylltarisë dhe bujqësisë. Parashikohen gjithashtu ndryshime në mekanizmin për korrigjimin e emetimeve ndërkufitare të karbonit, me qëllim që të parandalohet “rrjedhja ndërkufitare e karbonit”. Me rregullore të posaçme, për çdo vend vendosen objektiva të veçanta për të reduktuar emetimet, duke marrë parasysh BPV-në e tyre, si dhe pikënisjen dhe kapacitetin e tyre. 

Ndër objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane është 30% e asistencës së vendeve të tjera për të mbështetur qëllimet klimatike dhe 1/3 e financave publike botërore për klimën që do të vijë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj. Kjo sigurisht vlen edhe për Instrumentin për Mbështetje të Para-aderimit. 

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane ka gjetur mbështetje të gjerë nga sektori i shoqërisë civile. Megjithatë, ai nuk është “i liruar” nga kritikat – si në aspektin e arkitekturës së tij ashtu edhe në aspektin e zbatimit. Për shembull, Platforma e Organizatave të Pavarura “Mendo2030” e dedikuar për zhvillim të qëndrueshëm shënon se ekziston nevoja për një koherencë më të madhe midis qëllimeve, vendosje më të saktë të treguesve në fusha të veçanta, veçanërisht mungesën e objektivave të sakta për shëndetin, mirëqenien, varfërinë – ose më gjerë ajo që quhet “tranzicion i drejtë”.

Rrjeti propozon edhe publikimin e një raporti vjetor të realizimit. Përveç kësaj, vë në pah fushat e mundshme problematike në zbatim, si industria qarkore dhe bujqësia. Instituti Suedez për Studime të Politikave Evropiane, nga ana tjetër, paralajmëron zgjerimin e mundshëm të hendekut Perëndim-Lindje në zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër dhe sugjeron që të merren masa në kohë për të parandaluar këtë. 

Pavarësisht sfidave të Covid-19 dhe krizës energjetike, të “mbushura” më tej me motive populiste, Komisioni Evropian deri tani po ia del të mbajë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane në qendër të vëmendjes, duke ndërthurur planifikimin afatgjatë dhe përshtatjen e instrumenteve me prioritetin e tij të parë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button