Kosovë, 2021 vit i suksesshëm financiar

Banka Qendrore e Kosovës në konferencën përmbyllëse për vitin 2021 ka thënë se viti 2021 ka qenë vit i suksesshëm financiar në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti tha se për këtë sukses kanë ndikuar politikat lehtësuese për masat anti Covid-19 të marra nga Qeveria por edhe ato të vet Bankës Qendrore.

“Lehtësirat e qytetarëve brenda dhe jashtë shtetit bëri që viti 2021 të jetë një vit i suksesshëm duke pasur parasysh ardhjen e masive të diasporës gjatë verës dhe njëkohësisht politikat mbështetëse të Qeverisë së Kosovës dhe politikat mbështetëse të Bankës Qendrore të Kosovës bënë që viti 2021 sipas vlerësimeve tona të ketë rritje ekonomike në vend prej 9.9 për qind”, tha Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti tha se viti 2021 nisi me perspektivë të pasigurt për shkak të vitit paraprak dhe rënies prej 5.3 për qind të ekonomisë në vitin 2020 por gjërat ndryshuan me ardhjen e mërgatës në Kosovë.

Mehmeti tha se remitancat sivjet kanë qenë 956 milionë euro, duke shënuar rritje prej rreth 20 për qind, gjë e cila, siç tha ai, bëri që të rriten kërkesat e brendshme dhe importi.

“Importi me të dhënat e fundit që ne kemi në dispozicion shënoi vlerën prej 4.2 miliardë euro dhe nëse e krahasojmë kemi rritje vjetore prej 42.5 për qind. Në anën tjetër eksporti i mallrave arriti në 684.7 milionë euro apo me një rritje rreth 60 për qind. Si rrjedhojë e kësaj bëri që të rritet edhe deficit tregtar që në vlerë financiare të shprehur shënon 3.5 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 39.6 për qind”, tha Mehmeti.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre sipas BQK-së deri në shtator të vitit 2021 arriti në 389 milionë euro krahasuar me 254 milionë euro sa ishte në vitin e kaluar.

Investimet e huaja direkte në Kosovë u dominuan sipas këtij institucioni në sektorin e patundshmërisë, ku 256 milionë euro janë vetëm në këtë sektor ndërsa 87 milionë euro në shërbime financiare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button