Konica mbi shqiptarët dhe të tjerët

Nuk ka asnjë dyshim se Faik Konica qe njëri ndër shqiptarët më të ditur  të kohës së tij. Jo rastësisht emra të shquar brenda dhe jashtë trojeve tona e quajtën Enciklopedi e gjallë. Ai la pas vetes shkrime të pavdekshme që lexohen e do të lexohen me ëndje edhe nga lexuesit e gjeneratave që vijnë. Ato (shkrimet e tij) patën një qëllim të vetëm: Ta lërojnë shkëmbin… Le t’u kënaqemi pra copëzave të shkëputura nga vepra e madhe e shkrimtarit për lexuesit tanë.

Mbi mikpritjen shqiptare: Mikpritja shqiptare është e famshme. Ndonëse në Shqipërinë e jugut ka tendenca për zhdukjen e saj, në kontakt me qytetërimin tregëtar të Perëndimit, akjo është akoma e mirëruajtur me tërë dëlirësinë e saj në Veri. Në Mirditë dhe gjetkë, kurrë s’do t’i lejonin një miku a mysafiri që të shkojë në bujtinë…, meqë në të vërtetë as që ka bujtina atje. Kur mysafirin e ndjek pushteti për ndonjë krim të çfarëdo lloji dhe mysafiri i ndjekur i bie në konak ndonjë gege, ky i fundit do të jetë në gjandje të farohet me tërë familjen e tij para se t’ua dorëzojë mikun ndjekësve. Sa gjëra të bukura do të mund të shkruheshin sikur të shpaloheshin të gjitha llojet e mikpritjes shqiptare në Shqipëri.

Mbi bashkimin e shqiptarëve: Më e madhja nevojë për ne shqiptarët sot është bashkimi. Pa bashkim kurrë s’kemi për të vajtur përpara, por as që do t’na quajë komb bota.

Secili le të mbajë fenë e vetë, muhamedanët le të vejnë në xhami dhe të krishterët në kishë , por, kur dalin nga xhamia dhe nga kisha, le të kujtohen se kanë një rrënjë, që janë një fëmijë (vëllezër) dhe një gjak dhe le të mblidhen tok për të kuvenduar për të mirën e mëmëdheut…

Është turp të bëjmë si të egërit, të shikojmë njëri-tjetrin me sy të ashpër, se s’na ka falur zoti të gjithëve një fe. Është nevojë: shqiptarët e mençur të kuptojnë se feja është një gjë veç kombit, që para se të jemi të krishterë e muhamedanë, jemi të gjithë shqiptarë, rrojmë të gjithë në Shqipëri dhe përdorim të gjithë një gjuhë. Dhe shqiptarët e mençur dhe të urtë, që e kuptojnë këtë gjë, kanë për detyrë t’u japin të tjerëve (shqiptarëve) që ta kuptojnë edhe ata…

Mbi shndërrimin e gjuhës shqipe në gjuhë letrare: Të marrësh një gjuhë siç është shqipja, e mbetur e palëruar që nga formimi i saj, në gjendje pa dyshim të shprehë ndjenjat, madje edhe të ndërlikuarat, po njëkohësisht e pazonja që me të të diskutosh për idetë edhe më të thjeshta, ta zbusësh, ta begatosh, të bësh nga ajo një gjuhë letrare dhe gjuhë ideshë, ta vëshë atë në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe ta perfeksionosh, t’ia garantosh një jetë të re: ja një veprimtari krijuese, rëndësinë e së cilës, ata që nuk kanë pasur rast të merren me të, ndoshta vështirë do ta kuptojnë…

Mbi të këqiat shqiptare: E keqja e shqiptarëve ka qenë kurdoherë se lidhen për individë, persona dhe jo për ide. Si vdiq Kara Mahmut Pashë Shkodra, të gjitha bashkëluftëtarët e tij u shperndanë si tymi. Dmth. ata nuk kishin qenë të dhënë pas idesë, po pas Kara Mahmutit…

Ne e kemi për detyrë që të përpiqemi t’i shërojmë shqiptarët nga dashuria ndaj individëve. Është detyrë e tyre që të mësojnë ta duan Shqipërinë – e jo t’i hyjnë në qejf këtij apo atij shqiptari, qoftë ai edhe Pirroja, e ta duan vendin sepse ajo është Shqipëria…

Mbi Greqinë: Greqia që çifliku i Ali Pashë Tepelenës. Të kishim mend do të ish edhe sot çifliku ynë. Tre të katërtat e fshatrave të Greqisë janë shqiptarë, e më të shumtët kuvedojnë sot për sot shqip. Kur Othoni i Bavarisë i ra mbretërisë rrotull, iu mbush mendja që shqiptarët ishin shumica e Greqisë, sa kur u kthye n’Athinë deshi të zërë të mësojë gjuhën shqipe dhe thirri për këtë punë albanologun Reinhold, po s’e lanë grakët. Nga ana tjetër, Othoni vishej shqiptarisht: të gjitha këto u jepnin datën grekërve se mbretëria e Greqisë mos emërohej më në fund Mbretëria e Shqipërisë. Po jemi keq për ment. Ka 15 vjet që po bërtas, ment, ment, ment! Kjo mospasje e mendjes na bëri lodra e grekërve. Më 1883, kur isha n’Athinë, Trikupi guxoi të më thotë se gegët janë sllavë. Një tjetër grek i zgjedhur i kamarisë na shajti duke na thënë: S’kemi nevojë për shqiptarët se kur të na duhen i blejmë…

Mbi trimërinë greke: Gjatë luftës për pavarësinë greke, në përleshjet dhe luftërat e përgjakshme, grekët fshiheshin nëpër hambarë dhe shtalla, ndërsa shqiptarët luftonin kundër turqve…

Të gjithë heronjtë e luftës për pavarësinë e dallaverexhinjëve grekë dhe të Greqisë kanë qenë ose shqiptarë ose vllehë (arumunë), kështuqë, kur piqeshin me njëri-tjetrin, e pyetnin shqip sho-shoin: “A di greqisht?”

Mbi serbët: Serbët janë për të qeshur. Ata janë kombi më i dobët dhe më i pafuqiahëm i siujdhesës së Ballkanit. S’kanë gjë tjetër për të luftuar shqiptarët përveçse gënjeshtrat. Guxojnë t’i thonë Shqipërisë Veri-Lindëse Serbi e Vjetër – atij vendi ku ndodhet Peja, Prizreni, Gjakova – zemra e Shqipërisë. Po sikur të kishim mend, do të muntnim me të drejtë ne t’i thoshim Serbisë së Poshtme  – ku ndodhen Vranja, Leskoci, Nishi – Shqipëri e Vjetër…

Mbi mendimin serb për shqiptarët: Serbët s’lodhen kurrë së thirruri që shqiptarët janë egërsira. Puna dëfton se serbët janë më të egër. Muajin që shkoi, u zu në Serbi një kusar me famë (që quhej Bërkiq), të cilin e kishin pagëzuar “Cari i maleve”. Ky njeri kish therrur 500 a 600 njerës dhe me aq kafshësi sa na vjen ndot të bëjmë fjalë. Në gjykimin e tij u thirrën më shumë se 1400 dëshmitarë.Veç kësaj në Serbi ka padrejtësira të mëdha dhe ryshfeti mbretëron kudo…

Mi thëniet e profetit: Pejgameri Muhemet thotë në Kur’an: “Sejidul kavmi hadimy-hym”, që dmth: Ai që i shërben kombit të vet është më i ndershëm…

Kur’ani thotë përsëri:”Hybilvatan, menel imani”, që dmth: Ai që ka fe e do mëmëdheun…

Përsëri thotë Kur’ani: “Ultubul ilmeminel mehdi, që dmth: Kërko diturinë që nga lindja deri në n’vorr…

Pra siç shihet, askund nuk shkruan se feja myslimane qenka kundër gjuhës, atdheut, patriotizmit dhe zhvillimit kulturor e shkencor…

Edhe Krishti u tha apostujve: çapni dhe lëçitni në gjithë popujt e dheut në gjihën e tyre…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button