RMV, opozita për mosmbajtjen e seancës për pyetje deputetësh: Qeveria iu shmanget përgjigjeve

Koordinatorja e grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, në konferencën e mbajtur pas konstatimit të dorëheqjes së kryeministrit, Zoran Zaev, tha se dorëheqja e tij veç është e vonuar. Dauti u shpreh se Zaevi dha dorëheqje kur ai personalisht nuk i ka punët mirë e jo kur shteti dhe qytetarët nuk i kanë punët mirë, transmeton Portalb.mk. 

“Për fat të keq ka një kohë të gjatë që shteti dhe qytetarët nuk i kanë punët mirë. Sidomos pas dy tragjedive, atë të spitalit modular dhe aksidentit në Bullgari për të cilat nuk kemi ende asnjë përgjegjës dhe askush nuk e bart përgjegjësinë. Rastet e fundit me listën e faljes dhe lirimin e kriminelëve janë edhe një dëshmi se para së të shkojnë nuk lanë pa bë edhe dëmet e fundit mbi drejtësinë e vendit”, tha Dauti.

Opozita ka reaguar edhe në lidhje me mosmbajtjen e seancës për pyetje deputetëve. Sipas deputetes Dauti, tha se me mosmbajtjen e seancës për pyetje deputetësh, vendosën barrierë mes tyre dhe pyetjeve të deputetëve.

“Përveç kësaj sot dëshmuan së as përgjigje nuk kanë për të gjitha ndodhitë sepse zgjodhën që sot në ditën kur duhet të ishte seanca për pyetje deputetësh të konstatohet dorëheqja duke vendosur edhe një herë barrierë në mes tyre dhe pyetjeve që qytetarët parashtrojnë përmes deputetëve. Zaev zgjodhi që edhe dorëheqjen mos ta arsyetojë personalisht por u fsheh pas një letre me shkrim. Ai i cili gjithmonë thirrej në fytyrë të pastër, sot u largua pa u ballafaquar me ata që e zgjodhën në atë post, deputetët, gjegjësisht të zgjedhurit e popullit. Me këtë akt Zaev konfirmoi gjithçka që ne si opozitë e kemi konstatuar gjatë qeverisjes që ai e drejtoi dhe kjo e deligjitimon edhe Qeverinë e cila paralajmërohet të pasojë me një emër tjetër të kryeministrit, por me kabinet të njëjtë në pjesën më të madhe”, tha Dauti.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se, Zoran Zaev dhe ministrat e tij iu shmangën përgjigjeve të cilat duhet t’i japin në publik, ndërsa kanë të bëjnë me krim, korrupsion, politikë të jashtme, krizë energjetike si dhe probleme lokale që i shqetësojnë qytetarët.

“Edhe pse Qeveria është në dorëheqje, sipas Kushtetutës nuk ka asnjë pengesë që të mbahet seanca për pyetje deputetësh dhe funksionarët qeveritarë të japin përgjigje për pyetjet e deputetëve. Ndryshe, në nenin 93 në paragragin 5, qëndron qartë se Qeveria të cilës i është votuar mosbesim apo ka dhënë dorëheqje, si në këtë rast apo të cilës i ka përfunduar mandati për shkak të shpërbërjes së Kuvendit mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Zoran Zaev edhe ministrat e tij me vetëdije e shkelin Kushtetutës, diçka që në të vërtetë u është bërë praktikë. Kanë ardhur në pushtet përmes shkeljes së Kushtetutës dhe Rregullore, ashtu edhe ikin”, theksoi Micevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button