Fundi i një epoke

Ndryshimet epokale jo rrallë herë ndodhin në fundvite. Ende e kemi të freskët kujtesën e ndryshimit që dukej i pamundur, e megjithatë ndodhi pikërisht në dhjetor të vitit 2016, me përfundimin e zgjedhjeve të atëhershme parlamentare të cilat i dhanë fund një epoke të mëhershme kur shteti u cilësua në të gjitha raportet ndërkombëtare si shtet i kapur. Ishte ajo një epokë e gjatë, një dekadë e tërë, që po përfundonte ngadalë me gjithë vitin 2016. Ishin ato shpresa të mëdha për një ardhmëri më të mirë dhe me më shumë mundësi për të gjithë.

Që atëherë kaluan pesë vite dhe gjërat janë ndryshe tani. Dikush mund të thotë se nuk ka pasur ndryshime esenciale, por unë nuk pajtohem me këtë vlerësim. Brenda pesë viteve të kaluara shumë gjëra ndryshuan në këtë shtet. Një kontest tridhjetvjeçar u zgjodh dhe hapi rrugën për integrimin tonë në NATO. Nga ato netë të ftohta dimri kur flitej për thika të gjata e për dhunë, filluam të flasim për gjëra më esenciale e të një rëndësie jetike për të gjithë ne. Brenda këtyre pesë viteve mësuam se ndryshimi i pushtetit nuk duhet parë si diçka tragjike e as si fund i botës. Pushteti vjen dhe shkon, ndërsa njerëzit mbeten. Edhe problemet shpesh mbeten po ato, pavarësisht ndryshimit të garniturës udhëheqëse.

Pesë vitet e fundit ishin epoka që do të mbahet mend për kthesa të mëdha në politikën e jashtme dhe të brendshme të këtij shteti. Do të mbahen mend këto vite si vitet kur kërkohej dhe arrihej zgjidhje e problmeve përkundër krijimit të problemeve të reja si që ndodhte më parë, kur zgjidhjet kërkoheshin vetëm formalisht. Pesë vitet e fundit do të mbahen mend si porcese që e bënë vendin më të sigurtë për vetë faktin që tani sigurinë tonë e garanton pakti më i fuqishëm ushtarak i botës.

Pesë vitet e fundit vendosën standarde të reja të kritikës së qytetarëve ndaj udhëhqësisë shtetërore. Ndryshime kishte, por korrupsioni mbeti. Ajo që ndryshoi ishte qasja ndaj korrupsionit, ku personalitete të larta shtetërore u përballën dhe po përballen me drejtësinë, duke qenë në pushtet, duke qenë pikërisht aty ku buron fuqia.

E megjithatë, tendenca për tu rikthyer në realitetet ku politika kishte fjalën kryesore dhe ku pushteti ekzekutiv vendoste se kush çfarë dënimi do të marrë mbeten edhe më tej të dukshme. Prandaj paraqiten tendenca të tilla si kërkesa për lirim nga paraburgimi e ish shefit të DSK në këmbim të garancës prej 11 milion eurove. Sa është skandaloze kërkesa aq më skandaloz është fakti që gjykata e apelit e pranoi të njëjtën, pa vrarë mendjen fare për prejardhjen e atyre parave dhe pa mendim se ndoshta të njejtat do të duhet të konfiskohen. Dhe kështu, deri sa një këshill aprovon lirimin nga paraburgimi, një këshill tjetër cakton paraburgim të ri për veprat tjera penale ku duhet të sigurohet prezenca e personit në fjalë në procesin gjyqësor.

Ende më skandaloze ishte lista për faljet presidencaile me rastin e fundvitit, e cila listë për të arrirë deri te presidenti, duhet të kalojë në disa filtra. Si duket ndonjëri nga ato filtra ishte dëmtuar paksa, kur u pa që emrat e disa të dënuarve për vepra markante penale tani befas po fitonin mundësinë për të kërkuar falje. Vetë fakti që kjo listë u tërhoq ende pa arrirë të presidenti tregon ndikimin që tani e ka opinioni publik në këto çështje me rëndësi që lidhen me përgjegjësinë penale. Në të kaluarën një ndikim i tillë ishte ineksistent ashtu si kur opinioni u ballafauqa me aktin e kryer të faljeve presidenciale të vitit 2016 që sot e kësaj dite prodhojnë probleme juridike edhe në aspekte ndërkombëtare që vështirësojnë vendosjen e përgjegjësisë penale.

Gjërat kanë ndryshuar. Tani jemi në fundin e një epoke tjetër. Kryeministri Zaev sot edhe formalisht e deponioi dorëheqjen e tij, një dorëheqje që jepet në kohën kur ai kishte edhe dy vite e gjysmë mandat për të udhëhequr me këtë shtet. Një akt i tillë nuk përkon me historinë e këtij shteti ku pushtetarët rrallë herë i lëshojnë karriket e tyre, veçanërisht kur të njejtat i kanë fituar me shumë mund. Është fundi i një epoke ku një kryeministër i guximshëm bëri disa nga zgjedhjet më të rëdna që rëndonin mbi eksistencën e këtij shteti si shpata e Damokleut. Ajo epokë vendosi disa standarde të reja në shumë fusha, vendosi një realitet të ri në këtë shtet. Mbetet të shihet zhvillimi i mëtejshëm i këtij realiteti në epokat e reja që do të pasojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button