Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Zaevit

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. Me këtë, e gjithë Qeveria e RMV-së është në dorëheqje, transmeton Portalb.mk.

Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Po ashtu, Kuvendi konstatoi edhe dorëheqjen e nënkryetarit të Kuvendit, Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa, ndërsa në vend të tij do të zgjedhet deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili.

Kryeministri, Zoran Zaev e dorëzoi dje dorëheqjen e tij në Kuvend. Në letrën dorëzuar kryeparlamentarit me të cilën e njoftoi për dorëheqjen e tij, ka thënë se këtë vendim e mori si hap logjik pas rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe për të ndërmarrë përgjegjësi për rezultatet e zgjedhjeve. Pas dorëheqjes se Zaevit, Pendarovski duhet t’ia jap mandatin mandatarit të ri.

Sipas Kushtetutës, presidenti është i obliguar në afat prej 10 ditëve t’ia besojë mandatin partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditësh, nga dita e marrjes së mandatit, i dorëzon Kuvendit programin dhe e propozon përbërjen e Qeverisë.

Pjesë e Qeverisë së re do të jetë edhe Alternativa, e cila deri më tani ka qenë në opozitë dhe në koalicion me Aleancën për Shqiptarët. Për këtë u arrit marrëveshje javë më parë në mes të kryeministrit në largim, Zoran Zaev dhe liderit të Alternativës. Në bazë të kësaj marrëveshje, Alternativa do të ketë tre ministri, prej të cilave një pa resor, përkatësisht, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës dhe Ministrinë pa resor të diasporës. Po ashtu, në qeverinë e re nuk do të jetë ministra e Mbrojtes dhe e Arsimit nga radhët e LSDM-së, të cilat kanë konfirmuar këtë, por deri më tani nuk është bërë e ditur se kush do t’i zëvendësoj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button