Struga ende nuk ka arritur imunitetin kolektiv, vetëm 37 % janë të vaksinuar

Të dhënat e raportuara nga raporti i fundit i ISHP-së tregojnë se Komuna e Strugës është akoma larg arritjes së imunitetit kolektiv. Megjithatë, edhe përkundur regjistrimit të variantit Omicron në Maqedoni dhe lëvizjes së shtuar të njerëzve në Strugë autoritetet shëndetësore lokale janë optimist se kjo periudhë do të kalojë pa ndonjë përkeqësim drastik të situatës me pandeminë, shkruan Portalb.mk.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP periudha 20-26.12.2021) në komunën e Strugës është vaksinuar 37.6 për qind e popullsisë së përgjithshme. Krahasuar me shumë qytete tjera të Maqedonisë së Veriut përqindja e qytetarëve të vaksinuar në Strugë nuk është keq megjithatë Komuna e Strugës vazhdon të mbetet larg arritjes së imunitetit kolektiv. Sipas OBSH-së imuniteti kolektiv, apo thënë ndryshe imuniteti i tufës arrihet pasi pjesa më e madhe komunitetit (popullatës) bëhen imun ndaj sëmundjes, gjë që e ul edhe transmetueshmërinë e virusit.

Raporti i ISHP-së për procesin e vaksinimit, periudha 20-26.12.2021

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Strugë, Dr. Armend Arsllani, tha për Portalb.mk se procesi i vaksinimit në Strugë rrjedh pa probleme dhe se autoritet po punojnë për rritjen e ndërgjegjësimit për tu vaksinuar tek të rinjtë.

“Në vendin tonë ajo që mund të themi tani është që qytetarët tanë duhet të respektojnë masat parandaluese dhe rekomandimet. Që me fillimin e procesit të vaksinimit qytetarët tanë kanë qenë të interesuar dhe në pritje për vaksinim. Interesimi më i madh i qytetarëve që jetojnë këtu ka qenë për tu vaksinuar dhe atë me vaksinën Fajzer. Pjesa më e madhe e qytetarëve të moshës së tretë janë të vaksinuar dhe tani janë në pritje edhe të dozës së tretë, por edhe gjitha përpjekjet tona janë të rrisim vetëdijen edhe tek mosha më e re që të vaksinohen dhe të rrisim imunitetin e tufës”, u shpreh Dr. Armend Arsllani, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Strugë.

Armend Arsllani- Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Strugë
Burimi i fotografisë: www.facebook.com/ArmendArsllani/

Dr. Arsllani shton se është vështirë të parashikohet epidemiologjikisht se si do ndikojë ardhja e qindra mërgimtarëve në vendlindje për festat e fund vitit, përfshirë këtu edhe turistët si vendas dhe të huaj, por sidoqoftë ai shprehet optimist se situata me KOVID19 nuk do të rëndohet duke pasur parasysh faktin se pjesa dërmuese e atyre që kanë ardhur janë të vaksinuar. Edhe në rast të përkeqësimit të situatës drejtori Armend Arsllani thotë se Spitali i Strugës është i përgatitur ta përballojë një krizë të re me pandeminë.

“Për sa i përket personelit mjekësor, ne jemi mirë të organizuar me mjekë internistë specialistë dhe një infektolog. Por të theksoj se edhe Infermieret tani më kanë përvojë për tu përballur me këtë situatë. Por, gjithsesi edhe specialistë nga departamente të tjera janë tashmë të trajnuar për tu kujdesur dhe për të trajnuar pacientët me Kovid. Pandemia e Kovidit 19 është një problem shoqëroro-shëndetësor në mbarë botën. Në përputhje me kompetencat të cilat i disponojmë si Spital i Përgjithshëm në këtë moment dhe duke vënë në dispozicion të gjitha resurset me të cilat disponojmë mund të them që funksionojmë pa ndonjë problem, për këtë arsye kemi përgatitur edhe orar dhe në atë mënyre menaxhohet edhe potenciali kadrovik. Jemi të përgatitur edhe për disa skenarë tjerë të mundshëm, natyrisht duke shfrytëzuar maksimumin e kapaciteteve tona”, thekson Dr. Armend Arsllani.

Që nga fillimi i pandemisë deri më datë 26 dhjetor në Strugë janë regjistruar 3.928 raste me KOVID19, prej të cilëve 3.654 persona janë shëruar, 251 persona nuk e kanë fituar luftën me KOVID19 ndërsa 23 janë raste aktive. Sidoqoftë, momentalisht situata vlerësohet si stabile me vetëm 6 pacientë të hospitalizuar.

Foto ISHP

“Momentalisht situata me Kovid19 në spitalin tonë është stabile dhe të gjitha resurset janë vënë në dispozicion. Pajisje, kuadër, kapacitet. Spitali Modular funksionon si Kovid qendër me 35 shtretër dhe me oksigjenim qendror për pacientët . Momentalisht kemi një numër konstant të të hospitalizuarve dhe në 2 muajt e fundit kemi pasur 3-4-5-6 pacientë të hospitalizuar. Për momentin janë 6 pacient ne këtë qendër dhe atë pacienti më i ri i i lindur ne 1973 dhe pacienti më i vjetër i lindur në 1933. 3 pacientë janë në përmbajtje të oksigjenimit me 4L, 6L dhe 14 L në minutë. Dëshiroj që përsëri të bëj apel deri tek bashkëqytetarët e mi që ti respektojnë masat , sa më shumë që jemi të gjithë më të disiplinuar aq më shpejtë do ta përballojmë edhe këtë sfidë”, deklaroi Dr. Armend Arsllani.

Apelohet që në Strugë të festohet me përgjegjësi ndaj masave anti-KOVID19

Apel deri tek qytetarët që të festojnë festojnë duke i respektuar masat aktuale për mbrojtje nga COVID19 bëjnë edhe nga Komuna e Strugës

“Festat e fund vitit ti festojmë me përgjegjësi. Respektoni masat për mbrojtje nga Covid19, mos u gruponi dhe mos përdorni lëndë plasëse dhe mjete të tjera piroteknike, të cilat mund të shkaktojnë dëm material ose lëndim. Në vitin e ri Ju urojmë shëndet, paqe, lumturi dhe prosperitet në familjet Tuaja! Gëzuar”, u shpreh për Portalb.mk Besa Ziba, zëdhënëse e Komunës së Strugës.

Ka disa ditë që në qytetin e Strugës është shtuar dukshëm lëvizja e njerëzve, kjo për shkak se një numër i madh mërgimtarësh kanë ardhur në vendlindje për të festuar. Brenda javës pritet që Struga të pres akoma më shumë vizitor, turistë të huaj e vendas, të cilët do kalojnë festat e fund vitit në qytetin turistik. Komuna Strugës nuk parashikon masa apo kufizime lokale gjatë kësaj periudhe por do të mbështetet në vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Komuna e Strugës nuk ka paraparë masa kufizuese për festat, e para se nuk ka numër të madh të të infektuarve, e dyta nuk vendosim ne për masat, por ministria e shëndetësisë!”, theksoi Besa Ziba, zëdhënëse e Komunës së Strugës.

Në Strugë ka kapacitete akomoduese për akomodim të 8-10 mijë turistë në ditë, që do të thotë se disponon me 4000 dhoma me 8-10 mijë shtretër (hotele, motele, autokampe, dhoma, apartamente, shtëpi dhe lloje tjera të akomodimit). Në tërë territorin e Strugës funksionojnë 60 restorante me karakter tradicional dhe bashkëkohor, 50 fast-food kapacitete dhe 60 kafeteri bashkëkohore për të gjitha preferencat dhe 20 agjenci turistike për organizim të udhëtimeve të turistëve.

This slideshow requires JavaScript.

Në Maqedoni nuk do të ketë masa të reja kufizuese për ta menaxhuar situatën me KOVID19

Si pasojë e përhapjes së variantit Omicron, shumë vende të botës kanë vendosur ti ashpërsojnë rregullat dhe kufizimet megjithatë në Maqedoninë e Veriut situata vlerësohet stabile dhe për këtë arsye gjatë festave të fund vitit nuk parashikohen kufizime të reja në luftën me pandeminë KOVID19.

“Personalisht, konsideroj se as për variantin omikron, as për ndonjë lloj tjetër nuk duhet të vendosen masa kufizuese shtesë. Konsideroj se të gjitha vendet në botë duhet të mësojnë të jetojnë sipas rregullave të përgjithshme parandaluese dhe të rrisin shkallën e vaksinimit dhe kjo është mënyra për të dalë nga kriza. Ne nuk mund të vendosim masa kufizuese shtesë për çdo variant, pavarësisht nga karakteristikat, derisa situata nuk përkeqësohet. Mendoj se fakti që kërkohet vaksinimi i detyrueshëm, masat që hapsirat e mbyllura të mos mbingarkohen janë të mjaftueshme. Si dhe masat e udhëtimit. Jeta gradualisht po normalizohet, diku është normalizuar plotësisht dhe mendoj se këto masa parandaluese janë të mjaftueshme”, tha Filipçe.

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button