Janë gjetur tre ton lindan në një magazinë në OHIS, kompania është obliguar t’i dërgojë për asgjësim

Sasi të reja lindani janë gjetur në një magazinë në OHIS, nën kontroll të jashtëzakonshëm nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor. Bëhet fjalë për tre tonë lindan të paketuar në thasë letre dhe të sistemuar në paleta në një objekt që tani është në pronësi të kompanisë “Chemical Engineering” nga Shkupi. Në të njëjtin kontroll janë gjetur edhe tre cisterna në të cilat ka pasur klor, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se janë njoftuar se këto kimikate dhe mbetje të rrezikshme janë gjetur në magazinë dhe se është përgjegjësi e pronarit që t’i asgjësojë në mënyrë të duhur.

“Kompania që është pronare e magazinës duhet të zgjedhë një kompani që do të transportojë lindanin në asgjësim të sigurt, në përputhje me rregulloret e vendosura nga Konventa e Stokholmit për ndotësit organikë të qëndrueshëm, për mënyrën e veprimit me këto kimikate dhe Konventa e Bazelit për transport të sigurt të mbetjeve të rrezikshme”, thonë nga Ministria.

Inspektorët në mbikëqyrjen emergjente kanë konstatuar se në disa objekte ndërtimore që kompania “Hemiski Inzhinering” ka marrë përsipër pas falimentimit të OHIS-it në vitin 2018, ka një sasi të paspecifikuar kimikatesh dhe mbetjesh të rrezikshme nga pesticidet që nuk janë evidentuar dhe për të cilat deri atëherë nuk e dinin as Ministria e as Inspektorati.

“Në një godinë me rreth 100 metra katrorë, e mbyllur me derë metalike dhe me dry, në ambalazhin origjinal është gjetur pesticid lindan në thasë librash 30 kg të ruajtura në paleta druri, në një sasi totale prej rreth 3100 kg. Po ashtu, në afërsi të objekteve ku është kryer elektroliza janë gjetur edhe tre depozita metalike të mbyllura me vëllim rreth 25 metra kub, në të cilat është ruajtur klor”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Pronari është udhëzuar nga inspektorët që të bëjë regjistrimin e të gjitha kimikateve dhe mbetjeve të rrezikshme në objektet që ka marrë dhe t’i asgjësojë brenda 90 ditëve. Në afërsi të mbetjeve të rrezikshme, inspektorët kanë konstatuar se janë prerë tuba metalikë, për çka edhe kanë ndaluar çdo aktivitet në objekte, depozita dhe cisterna.

Lindani është një përbërës organik i halogjenizuar. Prodhimi dhe përdorimi bujqësor i këtij insekticidi u ndalua sipas Konventës së Stokholmit mbi ndotësit e ngopur organikë sepse kishte ndikim negativ mbi sistemin nervor, mëlçinë dhe veshkat dhe mund të jetë kancerogjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button