RMV, rreth tre për qind e fëmijëve nga mosha pesë deri në 17 vjeç ishin të përfshirë në punë

Rreth tre përqind e fëmijëve të moshës pesë deri në 17 vjeç ishin të përfshirë në punë, kurse fëmijët në zonat rurale ishin më të ekspozuar ndaj punës sesa bashkëmoshatarët e tyre në zonat urbane, me pesë kundrejt dy përqind, transmeton Portalb.mk.

Në mënyrë të ngjashme, fëmijët e kuintilit më të varfër ishin më të përfshirë në punë sesa fëmijët nga kuintili më i pasur me gjashtë përkundrejt më pak se një përqind. Këto të dhëna i tregon Hulumtimi multiindikator i klasterëve zbatuar nga Enti Shtetëror i Statistikave gjatë viteve 2018-2019 si pjesë e Programit global për gjendjen e fëmijëve dhe grave.

Tre për qind e të gjithë fëmijëve që kishin marrë pjesë në aktivitet ekonomik, të paktën një orë ishin të ekspozuar ndaj kushteve të rrezikshme, tregon hulumtimi. Shpërndarja gjinore, nga ana tjetër, tregon se djemtë ishin më të ekspozuar ndaj punës në kushte të rrezikshme sesa vajzat.

Nga Enti Shtetëror i Statistikave theksojnë se raporti i hulumtimit është publikuar në maj të vitit 2020, por për shkak të pandemisë globale kovid-19, si dhe detyrimeve të shumta lidhur me Regjistrimin e vitit 2021, raporti nuk mori publicitetin që meritonte.

Programi Global MIX u zhvillua nga UNICEF-i në vitet 1990 si një program ndërkombëtar i anketimit të familjeve me shumë qëllime për të ndihmuar vendet në mbledhjen e të dhënave të krahasueshme ndërkombëtarisht për një gamë të gjerë treguesish të statusit të fëmijëve dhe grave.

Me hulumtimin maten treguesit kryesorë që u mundësojnë vendeve të gjenerojnë të dhëna për krijimin e politikave, programeve dhe planeve kombëtare për zhvillim dhe për ndjekjen e progresit drejt qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button