ANALIZË: Festat e Vitit të Ri po afrojnë – a do ta “shkrijnë” tryezën çmimet e ngrira të ushqimeve! (Infografik)

Çmimet e produkteve ushqimore bazë janë “ngrirë” – por kjo masë është e vlefshme deri në fund të janarit. Ekonomistët thonë se përkohësisht – standardi do të mbrohet, por masa mund të ketë edhe efekt të kundërt. Parashikimet e brendshme dhe të huaja tregojnë se rritja e çmimeve do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm. Këtë vit ekonomik – disa prej produkteve arritën kulmin e çmimeve, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Gjatë festave – konsumi do të rritet, por qytetarët do ta “numërojnë” çdo denar…

Ajo që po ndodh në Evropë dhe në botë tashmë ndihet seriozisht edhe në vendin tonë – një rritje e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe e karburanteve. Qeveria i ngriu çmimet produkteve ushqimore bazë, por a është miratuar kjo masë në kohë dhe a do të ndihmojë që të paktën të “kalohet muaji më i gjatë i vitit” – janari. Pothuajse të njëjtin qëndrim e kanë edhe qytetarët – është mirë që çmimet u ngrinë, por pasi disa prej produkteve u shtrenjtuan dukshëm.

“Festat e Vitit të Ri po afrojnë. Raftet janë plot me produkte, por gjithçka është më e shtrenjtë. Është mirë që u ngrinë çmimet e vajit, miellit, sheqerit, por kjo ndodhi pasi çmimet u ngritën” – thotë Snezhana K. nga Shkupi.

“Patëm – apo jo, për festa duhet të shpenzojmë pak më tepër. Këto ditë pres që çmimet të rriten edhe në tregjet e gjelbra, kjo ndodh çdo vit, por këtë vit janë shtrenjtuar edhe produktet e tjera dhe nuk e di se sa mund t’ia lejojmë vetes një tryezë të pasur për festat”- thotë Bllagoj M. nga Shkupi.

Statistikat zyrtare e konfirmuan atë që e thonë qytetarët – çmimet e ushqimeve në tremujorin e tretë të vitit 2021 shënuan rritje vjetore prej 3,6%.

I pyetëm edhe prodhuesit – pse po rriten çmimet e perimeve dhe të pemëve në tregjet e gjelbra?

“Gjithë ditën jemi në treg. Njerëzit pyesin për çmimet, blejnë në sasi të vogla, qarkullimi është ulur. Çfarë të bëjmë – edhe shpenzimet tona janë rritur, për farat, për ujë, për benzinë, për naftë. U bë shumë e vështirë. “ – thotë një prodhues perimesh nga një fshat i Shkupit.

Atë që e thonë fermerët – konfirmohet nga statistikat. Indeksi i çmimeve hyrëse në bujqësi në nëntor të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar është rritur për gati 15%. Rritje ka edhe në çmimet e energjisë, karburanteve për 32,9%, indeksi i çmimeve hyrëse të plehrave u rrit për 12,4%, ndërsa i ushqimit për kafshë për 9,2%. Ky trend i çmimeve hyrëse, siç pritej, e rriti edhe indeksin e çmimeve dalëse në bujqësi – vetëm te patatet, p.sh., indeksi i çmimit është rritur për 42,1%, e rritje ka edhe në anën çmimeve dalëse te pemët me 7,6% dhe të drithërat dhe orizi për 11,7%.

Cunami çmimesh – nafta u rrit për 69,5% për një vit, kurse ushqimi, metalet, lëndët e para për 27,6%!

Pas disa uljeve të çmimeve të karburanteve në vend – pasoi përsëri një rritje – te benzina për madje 2 denarë për litër, ndërsa te dizeli për 1,5 denarë. Çmimi i naftës në bursat botërore këtë vit ishte në rritje të vazhdueshme – në fund të tremujorit të tretë, u regjistrua rritje vjetore e çmimeve prej 69,5%. Pse karburantet u shtrenjtuan në mënyrë dramatike?

“Rritja e çmimit të naftës është reflektim i rënies së nivelit të stoqeve të naftës në SHBA, kurse në të njëjtën kohë pati një rritje të fortë të kërkesës për naftë, e mbështetur kryesisht nga aktiviteti më i madh ekonomik global në kushte të masave të zbutura kufizuese në mbarë botën. Në bazë vjetore, çmimi i naftës u rrit ndjeshëm me 69,5%, që më së shumti vjen si pasojë e bazës së ulët nga viti paraprak” – thuhet në raportin e ri të nëntorit të Bankës Popullore.

Sipas statistikave vendase – në nëntor të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar shpenzimet e jetesës për lëndët djegëse të lëngëta u rritën për 34,3%. Jo vetëm për karburantet – një rritje dramatike të shpenzimeve të jetesës prej 38,2% ka edhe për gazin. Cunami i çmimeve i goditi edhe produkte tjera – metalet, lëndët e para bujqësore, ushqimin – në bursat botërore, u ngritën edhe çmimet e mishit dhe të sheqerit.

“Indeksi i çmimeve të ushqimeve është rritur për 1,5%, që në masë të madhe ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të mishit dhe të sheqerit. Në rastin e sheqerit, rritja e çmimit është kryesisht për shkak të shqetësimeve të investitorëve për ndikimin e motit të keq në Brazil, prodhuesit më të madh të sheqerit në botë, ndërsa rritja e çmimeve të mishit është për shkak të rritjes së kërkesës nga Azia, në rast të ofertës së zvogëluar“ – thonë nga BPRM-ja.

Infografik, inflacioni

Sipas ekonomistëve vendas dhe botërorë – inflacioni pritet të ngadalësohet vitin e ardhshëm – por rreziqet mbeten dhe lëvizjet do të varen nga disa faktorë.

“Shumica e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare presin rritje të moderuar të përqindjes së inflacionit në vitin aktual dhe stabilizim gradual në dy vitet e ardhshme. Krahasuar me projeksionet e mëparshme, ato janë pak më të larta, kryesisht për shkak të faktorëve nga ana e ofertës dhe presionit të vazhdueshëm nga çmimet e produkteve primare, me pritje për rikuperim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, si në nivel global ashtu edhe në ekonominë vendase” thonë nga BPRM-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button