Radev: Bullgarët patjetër të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë

Maqedonia duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj dhe bullgarët të përfshihen në të, tha presidenti bullgar Rumen Radev në një intervistë për Euroactiv, të cilën e dha gjatë qëndrimit të tij në Bruksel. Sipas Radevit, ky do të ishte një hap drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis Sofjes dhe Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se trajtimi diskriminues i bullgarëve maqedonas vazhdon me dekada dhe se duhet të ndalet. Sipas tij, sot më shumë se 120 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë nënshtetësi bullgare dhe ata nuk janë vetëm qytetarë bullgarë, por edhe qytetarë të BE-së, dhe kjo do të thotë shumë kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut.

“Bullgarët maqedonas duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjitha grupet e tjera të njerëzve të përmendur në Kushtetutën e tyre. Bëhet fjalë për parime, dhe jo për negociata. Duam të shohim rezultate të pakthyeshme dhe të qëndrueshme, ligjërisht të detyrueshme”, tha presidenti bullgar.

Radev thekson se Maqedonia e ka zbatuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për gjashtë muaj, “madje e ka ndërruar edhe emrin e vendit të saj”, dhe pyet në mënyrë retorike pse është kaq e vështirë të shtohet një fjalë e vetme – “bullgarë” në Kushtetutën e Republikës së Maqedonia e Veriut.

Sipas tij, shqetësimi më i madh i Bullgarisë është se Maqedonia nuk i zbaton parimet dhe vlerat bazë të BE-së, siç janë të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi.

“Para katër vitesh ne besuam se marrëveshja do të zgjidhte problemet në marrëdhëniet dypalëshe, njësoj si Marrëveshja e Prespës, por sot ka një vonesë në të gjitha pikat. Ka gjuhë urrejtjeje në rritje kundër Bullgarisë, nuk ka vullnet politik për të hequr tekstet fyese në librat shkollor, nuk ka vullnet politik për të ndaluar falsifikimin dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare në këtë pjesë të botës”, thotë Radev.

Ai thotë se konsiderohet se Bullgaria dhe Maqedonia janë në proces të rinegocimit të marrëveshjes së miqësisë dhe fqinjësisë së mirë, por nuk është kështu.

“Ne jemi në proces të gjetjes së një mënyre për ta zbatuar më mirë këtë marrëveshje. Marrëveshjet duhet të respektohen. Ky është parakushti kryesor për të qenë anëtar i BE-së. Marrëveshjet e BE-së duhet të respektohen në të njëjtën mënyrë”, tha Radev.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria, më 14 dhjetor, edhe njëerë bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button