Kosovë, Pandemia ka vazhduar të ndikojë në aspekte të ndryshme të sundimit të ligjit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) ka prezantuar raportin e tij të dytë të bërë publik të “Monitorimit Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë” me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Raporti ka mbuluar periudhën prej muajit mars 2020 deri në tetor 2021, ku personeli i EULEX-it, i përbërë nga ekspertë të drejtësisë të vendeve të BE-së në bashkëpunim me ata vendorë, kanë monitoruar raste dhe kanë marrë pjesë në seanca.

Shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, në fjalën e tij tha se nga fillimi vitit 2019, EULEX ka përgatitur pesë raporte të tilla, por, dy të fundit janë bërë publike për të qenë “më transparent me gjetjet tona”.

Wigemark tha se monitorimi është bazuar në qasjen e plotë të sistemit prokurorial dhe policor dhe në përputhje me mandatin e misionit EULEX, duke mbikëqyrur gjithë zinxhirin e drejtësisë penale në Kosovë, si dhe aspektet e drejtësisë penale dhe civile.

Wigemark i cili tha se monitorimi identifikon trendet pozitive dhe ato negative të sistemit të drejtësisë në Kosovë, nënvizoi kohëzgjatjen e paraburgimit në Kosovë si një nga problemet e këtij sistemi.

“Një nga problemet e të drejtave të njeriut që vë në dritë ky raport është çështja e kohëzgjatjes së paraburgimit pa një vendim gjyqësor. Dhe, këtë e kam diskutuar edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës të cilët janë të vetëdijshëm. Misioni ka identifikuar së paku 35 raste në të cilat të dyshuarit kanë qenë dhe vazhdojnë prej 2 deri 12 vite në paraburgim, pra 12 vite në statusin e të dyshuarit”, tha Wigemark.

Wigemark gjithashtu tha se pandemia ka vazhduar të ndikojë në aspekte të ndryshme të sundimit të ligjit, sikurse tek ngritja e lehtë e seancave joproduktive.

Ministrja Haxhiu: “Problem kryesor është sistemi cenueshëm ndaj aktorëve të jashtëm”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj, tha se ministria është e përkushtuar që të shtyjë përpara agjendën e drejtësisë së pavarur, të paanshme, efikase dhe profesionale në Kosovë.

Haxhiu tha se Qeveria po punon jashtëzakonisht shumë për adresimin e krimeve të luftës, ndërsa një nga problemet që ende mbeten shqetësuese për drejtësinë në vend janë rastet e dhunës në familje, ku vetëm këtë vit kanë arritur në shifrën mbi 2 mijë derisa “raportimi i tyre konsiderohet ende i vogël”.

Ajo tha se nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë është me individët jashtë sistemit të drejtësisë.

“Konsideroj se problem kryesor është sistemi cenueshëm ndaj aktorëve të jashtëm. Ne ende nuk kemi arritur ta krijojmë një sistem të drejtësisë ku nuk ndikohet as nga individët as nga grupet e jashtme. Dhe nuk po flas këtu për gjithë gjyqtarët as për të gjithë prokurorët, as për të gjithë policët, po flas për individë brenda sistemit që duket se ende ndikohen nga jashtë”, tha Haxhiu.

Misioni i përgjithshëm i EULEX-it në Kosovë është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button