SI VIDHEN PARATË PREJ LIBRIT!?

Libri nuk është as dyqan, as bankë, as pemishte, prej nga mund të vidhet! Si vidhet pra prej librit?

Në Maqedoninë e Veriut funksionojnë mbi 2-3 qind subjekte juridike dhe mbi 200 subjekte fizike që për çdo vit konkurrojnë me vepra për të cilat presin përkrahje financiare nga Ministria e Kulturës. Konkurrojnë edhe të tjerë me projekte nga fusha të ndryshme krijuese, nga trashëgimia kulturore, bibliotekat, muzetë etj. E gjithë kjo veprimtari përbën Programin Vjetor Nacional të kësaj Ministrie.

Brenda vitit botohen mbi 500 tituj të përfshirë në këtë Program. Procedura është kjo: të gjithë titujt pajisen me ISBN numrin si dhe katalogizohen në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare, pastaj, pasi të botohen, në këtë Bibliotekë dorëzohen 5 ekzemplarë të detyrueshëm dhe nga 50 ekzemplarë prej çdo botimi për ç’gjë merret vërtetim. Tevona, me këtë vërtetim, por edhe me raportin dhe dokumentet financiar (nga pagimi i recensentëve, autorëve, shtypshkronjës) si dhe 10 ekzemplarë prej secilit botim dorëzohen në Ministrinë e Kulturës dhe subjektet që kanë botuar presin të përfshihen nëpër planet mujore financiare për t’u paguar! Në shikim të parë – bukur shumë, ë!

Por, në proces, në një segment të tij bëhet një vjedhje e turpshme! Libri bëhet mjet për matrapazllëk! Nuk bëhet fjalë këtu për vjedhje nga librat që vetëm të tillë nuk mund të jenë, as nga kualitetet e dobëta të botimeve, të cilat do të kushtojnë më pak në shtyp. Bëhet fjalë për një vjedhje që kryhet me shumë klas e me “zotnillëk”!

Shumë nga shtëpitë botuese i kanë edhe “shtypshkronjat” e veta. Ata që nuk kanë, janë në miqësi të mirë me pronarët e këtyre “shtypshkronjave”, të cilëve u lëshohen paratë për çdo titull. Nga xhirollogaria merren paratë, i jepet vërtetim financiar botuesit si dhe paratë, u ndalet vetëm TVSH-ja! U lëshohen paratë edhe autorëve me një marrëveshje paraprake që t’ia kthejë botuesit, ndërsa ky si kundërshpërblim ia jep nja 10-20 ekzemplarë. Hajnia edhe më e tmerrshme bëhet gjatë sigurimit të ekzemplarit fizik! Nuk shtypet tërë tirazhi! Mbi 70 për qind e botimeve nuk kalojnë nëpër asnjë shtypshkronjë! Kalojnë vetëm nëpër fotokopjues që janë në gjendje të të ofrojmë “super botim”! Pra, nga fotokopjet nxirren vetëm aq ekzemplarë (85 copë) sa për të dëshmuar se titulli është “botuar”! Mungon tirazhi i nënvizuar gjatë aplikimit në konkursin vjetor të Ministrisë! Prandaj kemi shume “botime” dhe shumëfish më tepër heshtje të veprimtarisë botuese. Heshtet, sepse në fakt mungon kjo veprimtari, mungon libri! Me këtë heshtje kamuflohet imoraliteti, mungesa e respektit ndaj librit, dhënia pas fitimit përmes matrapazllëqeve mbi librin! Natyrisht, “kjo vepër artistike” kryhet, kryesisht nga aktivistët, militantët dhe të përkëdhelurit partiakë të pushtetit, të cilët mbrohen nga çdo kontroll dhe reagim institucional.

Hesht Ministria, hesht Biblioteka, heshtin autorët e mashtruar! Cilitdo që i bie në dorë libri i botuar nga ai 30 për qind i botuesve të sinqertë, sakaq do ta dallojë librin nga fotokopja dhe librin nga shtypshkronja që ka letrën e kualitetit të lartë si dhe dizajnin e përkryer! Përkundër kësaj, heshtet! Sepse “dibiduzët partiakë” këtë vjedhje klasike e konsiderojnë “vjedhje kulturore”! Meqë çdo gjë kulturore po heshtet, le të heshtet edhe ky “aktivitet” në emër të librit! Është turp të kapemi si vjedhim nga libri! Dhe, nuk qenka as turp e as mëkat të vidhet nga libri?!

Burimi: Hejza

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button