fbpx

Ngacmimet seksuale lënë pasoja psikologjike, paraqitni rastet e ngacmimeve në polici

Ngacmimet seksuale janë fenomen shoqëror negativ i cili ka ekzistuar dhe vazhdon të jetë prezent edhe në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq zhvillimi i teknologjisë dhe rrjetet sociale kanë bërë që kjo problematikë të gjejë më shumë hapësirë. Profesoresha universitare Arta Selmani thotë se është e rëndësishme që këto raste të paraqiten tek institucionet kompetente, ndërsa inspektorja e lartë e MPB-së, Nermine Izairi shpjegon se kur këto raste paraqiten, policia patjetër e ka ta dorëzojë lëndën në prokurori, qoftë si padi apo njoftim. Psilogogja Valdete Adili nënvizon se këto lloje të ngacmimeve bartin pasoja të rënda psikologjike për viktimat, shkruan Portalb.mk.

Çfarë është ngacmimi seksual?

Ngacmimi seksual është një hap i padëshiruar seksual, një kërkesë e padëshirueshme për favore seksuale ose sjellje tjetër e padëshiruar e një natyre seksuale që e bën një person të ndihet i ofenduar, i poshtëruar ose i ngacmuar, ku një person i arsyeshëm do ta parashikonte atë reagim në ato rrethana. Shembuj të sjelljes ngacmuese seksuale janë: prekjet e padëshiruara, shikimet ose nguljet e  syve, komentet sugjeruese ose shakatë seksiste,  fotografi ose publikime të qarta seksuale, ftesa të padëshiruara për të dalë në takime, kërkesa për seks, pyetjet ndërhyrëse në lidhje me jetën private ose trupin e një personi, familjaritet i panevojshëm, siç është fërkimi (kalim dhe prekje) i qëllimshëm pas një personi, fyerjet ose talljet bazuar në seks,  kontaktet fizike eksplicite seksuale, e-mailet seksuale ose mesazhet me tekst SMS dhe të tjera.

Si shihen ngacmimet seksuale nga aspekti juridik-ligjor?

Arta Selmani, foto: Ron Mirta
Arta Selmani, foto: Ron Mirta

Arta Selmani, profesoreshë universitare e së Drejtës Familjare tha se rast eklatant i shqetësimeve seksuale në rrjetet sociale në shoqërinë tonë është rasti me platformën Telegram “Dhoma publike” i cili u rishfaq përsëri në janar të këtij viti, pas të cilës u zgjuan institucionet kompetente për ndërmarrjen e masave adekuate penale ndaj kryerësve.

“Ngacmimi seksual nëpërmjet internetit në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje nënkupton se ngacmim seksual nëpërmjet internetit llogaritet “çdo veprim verbal, joverbal ose çdo veprim tjetër i natyrës seksuale, që ka për qëllim ose pasojë, cënimin e dinjitetit ose krijimin e një mjedisi, qasjeje ose praktike kërcënuese, armiqësore, poshtëruese ose frikësuese komunikimi.” tha Arta Selmani.

A paraqiten rastet e ngacmimeve seksuale mjaftueshëm dhe a trajtohen seriozisht nga organet kompetente?

Nermine Izairi, foto: Ron Mirta
Nermine Izairi, foto: Ron Mirta

Inspektorja e lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Nermine Izairi tha se ngacmimet e natyrës seksuale në përgjithësi, si ato virtuale po edhe ato të jetës reale paraqiten dhe bëhet fjalë për vepra penale shumë të rënda, ku informohet prokurori publik edhe merren masat.

“Merren më shumë seriozisht se ndoshta edhe krimet e mallit. Policia patjetër e ka ta dorëzojë lëndën në prokurori pavarësisht, varet vetëm sa dëshmi. Kur kemi dëshmi të mëdha shkojmë me vepër penale, direkt kundër personit që ka kryer veprën. Kur kemi më pak dëshmi ose elemente atëherë shkojmë me njoftim deri te prokuroria, po dalje patjetër.” tha Nermine Izairi.

Cilat janë pasojat psikologjike që ngacmimet seksuale barten te viktimat?

Valdete Adili, foto: Ron Mirta
Valdete Adili, foto: Ron Mirta

Psikologja Valdete Adili tha se ngacmimet seksuale qofshin ato të botës virtuale apo të asaj reale bartin pasoja psikologjike mjaft të rënda te viktimat, ku një ndër më të mëdhatë është presioni dhe mentaliteti shoqëror që ushtrohet ndaj viktimave duke vënë fajin mbi ta.

“Pasojat e ngacmimeve seksuale mund të paraqiten në mënyra të ndryshme edhe atë: kujtime intruzive (kujtime të padëshiruara, ëndrra shqetësuese, ankthe lidhur me ngjarjen, reagime fizike për diçka që përkujton ngjarjen), shmangie e gjithçkaje që përkujton ngjarjen, ndryshime negative (mendime negative për veten dhe të ardhmen, të qenurit i pashpresë, probleme me memorjen), zvogëlim e vetëbesimit, imazh negativ për veten dhe të tjera. Viktimat e dhunës seksuale shumë shpejtë bien pre e fajit dhe ngacmuesit manipulojnë me këtë, pasi viktima ka tepër ndjesi faji dhe kjo e ndal të shkojë të raportojë.” tha Valdete Adili.

Ku dhe si mund të paraqiten rastet e ngacmimeve seksuale?

Sipas profesoreshës Arta Selmani, rastet e ngacmimeve seksuale mund të trajtohen në disa institucione edhe atë: Ministria e punëve të brendshme; Ministria e Shoqërisë Informatike dhe administratës, Ministria për Punë dhe Politikë Social, Prokuroria, Gjykatat, Njësitë e vetëqeverisjes lokale.

“Viktimat e ngacmimeve seksuale mund t’i raportojnë këto raste dhe shqetësime te policia, gjegjësisht dhoma numër 1, ajo është dhoma për pranim edhe secilës palë i merret proces-verbali për paraqitjen e rastit- denoncim, aty bëhet kualifikimi se për çfarë vepre bëhet fjalë dhe informohet inspektori përkatës i asaj lëmie dhe rasti zbardhet.” tha inspektorja Nermine Izairi.

Psikologja Valdete Adili tha se ka mënyra të ndryshme për të raportuar rastet e ngacmimeve seksuale si: mos tu përgjigjeni porosive por të ruhen dëshmitë, ti tregoni ndonjë të afërmi, të denoncohet dhunuesi te administratorët e ueb faqes, të denoncohet ngacmuesi në organet kompetente, të mos i besojnë asaj që shkruan dhunuesi si dhe më e rëndësishmja të flasin për këtë fenomen dhe mos të heshtin.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, nuk ka të dhëna për numrin e rasteve të ngacmimeve seksuale. Nga ana tjetër Organizata joqeveritare Mollëkuqja ka realizuar një anketë mbi atë se sa vajzat janë të prekura nga ngacmimet seksuale në rrjet. Në këtë hulumtim morën pjesë 208 vajza nga Tetova dhe Gostivari, ku 137 thanë se kanë marrë mesazhe të tilla në profilet e tyre. Në realitet, shumë nga vajzat e anketuara të cilat kanë marrë mesazhe të këtilla, i kanë injoruar ata. Gjithsej 89 vajza kanë injoruar mesazhet e këtilla kurse 97 vajza i kanë raportuar duke reaguar ose duke i bërë publik në rrjetet sociale të cilat i përdorin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button