NP Parkingjet e Komunës Qendër nuk do të ulë çmimin e parkimit, mungesa e vendeve edhe tani është e madhe

Ndërmarrja publike “Parkingjet e Komunës Qendër” (PKQ) nuk planifikon të bëjë korrigjime të çmimeve ekzistuese për parkim në parkingjet me të cilët ajo ekonomizon në qendër të Shkupit. Ky shpjegim vjen pasi kryetarja e re e Shkupit Danela Arsovska deklaroi se NP “Parkingu i Qytetit” tashmë po përgatitet që të ulë çmimin e parkimit në parkingjet e tyre për 25 për qind, transmeton Portalb.mk.

Me këtë çmimi i parkingjeve të NP “Parkingu i Qytetit” në lokacione të frekuentuara, ku vazhdimisht është vështirë të gjendet vend, si parkingu në Qendrën Klinike apo parkingjet rreth Murit të Qytetit, si dhe në të gjitha lokacionet tjera në Shkup, do të zvogëloheshin për 10 denarë për orë parkim.

“Duke qenë se të gjitha institucionet publike dhe kompanitë private janë të vendosura në qendër të qytetit, nëse i ulim çmimet e parkimit do të inkurajojmë qytetarët që të përdorin më shumë veturat e tyre dhe do të shkaktojmë më shumë kaos në trafik dhe uzurpim të parkingjeve që po përpiqemi t’ua sigurojmë banorëve të komunës”, sqarojnë për Meta.mk nga NP PKQ.

Nga NP “Parkingjet e Komunës Qendër” thonë se ulja e çmimeve të parkimit nga NP “Parkingu i Qytetit” do të rrisë presionin mbi parkingjet me të cilët ato ekonomizojnë, por shpresojnë që të ulin presionin për parkim në parkingjet rezidenciale të NP PKQ.

“NP PKQ do të vazhdojë të punojë për zvogëlimin e parkingjeve komerciale (parkingjet me sms pagesë) dhe rritjen e parkingjeve rezidente ashtu që banorëve t’u sigurohen më shumë hapësira parkimi dhe të sigurohet qasje më e lehtë dhe më e sigurt në shtëpitë e tyre”, njoftuan nga kjo ndërmarrje publike. .

NP PKQ shton se tashmë disa vite ata ndjekin politikë konsistente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i automjeteve të parkuara në qendër të qytetit dhe t’u sigurohen banorëve të Qendrës kushte më humane për jetë.

“Të gjitha vendimet e kompanisë në katër vitet e fundit janë marrë për të destimuluar përdorimin e automjeteve, e njëkohësisht të stimulohet përdorimi i transportit publik dhe atij alternativ (biçikleta, skuterë elektrik etj.) me të cilin do të zgjidhet ndjeshëm problemi serioz me parkimin në Komunën Qendër, si dhe problemin me ndotjen e ajrit dhe mjedisit jetësor”, thonë nga NP PKQ.

Varësisht nga zona përkatëse (Zona 2, Zona 1, Zona 01, dhe Zona Ultra), çmimi për parkim në parkingjet e NP PKQ aktualisht është nga 50 deri në 100 denarë për orë, ndërsa parkimi në parkingun e “Shtëpia e ndërtimtarëve” kushton 250 denarë për orë. Në këtë mënyrë, NP PKQ përpiqet të rezervojë pjesën më të madhe të këtyre hapësirave të parkimit për banorët e ndërtesave përreth.

Ndryshe, NP “Parkingu i Qytetit” shumicën e parkingjeve të cilat i menaxhon i ka në territorin e Komunës Qendër, si dhe në pjesë të Komunës së Aerodromit. Vendimin përfundimtar për çmimin e parkimit në parkingjet e NP “Parkingu i Qytetit” do ta marrë Këshilli i Qytetit të Shkupit.

Nëse miratohet ulja e çmimeve, në parkingjet e mbyllura dhe garazhet shumëkatëshe në vend të 30 denarë, çmimi i ri për parkim do të jetë 20 denarë. Në parkingjet zonale në zonën A, parkimi nga 50 denarë do të zvogëlohet në 40, në zonën B nga 40 do të ulet në 30 denarë, ndërsa në zonat C dhe D parkimi do të kushtojë 20 denarë në vend të 30 që ishte më parë. E njëjta ulje, nga 30 në 20 denarë është paraparë edhe për parkingun në zonën e Qendrës Klinike në Shkup.

Ndryshe, Meta.mk ka kohë që shkruan se numri i parkingjeve që menaxhohen nga kompanitë publike është dhjetë herë më i vogël se numri i automjeteve të regjistruara në kryeqytet, me të dhëna statistikore vetëm për veturat me targa të Shkupit. Përkatësisht, numri i automjeteve të regjistruara në Shkup vitin e kaluar për herë të parë në histori tejkaloi 150 mijë.

Raportet zyrtare të NP “Parkingu i Qytetit” thonë se vitin e kaluar kompania ka shpërndarë 124724 leje parkimi falas, ndërsa numri i vendeve për parkim, me të cilat ekonomizojnë në të gjithë qytetin ishte 9396. Sipas llogaritjeve të tilla, në parkingjet e NP “Parkingu i Qytetit” në një vend parkimi duhet të parkohen mesatarisht 13 vetura. Krahas atyre që kanë leje parkimi falas, vendet e parkimit të shënuara duhet t’i shfrytëzojnë automjetet zyrtare dhe makinat e punonjësve të kompanive që gravitojnë rreth parkingjeve, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button