fbpx

Pendarovski – Osmani: Anëtarësimi i dy vendeve në strukturat euroatlantike kontribuon në stabilitetin e rajonit (VIDEO)

Maqedonia e Veriut dhe Kosovës kanë raporte të shkëlqyera dhe qëllime të përbashkëta strategjike për integrim evropian. Kjo ishte porosia që u dërgua sot nga Prishtina nga ana e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe asaj të Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas tyre, integrimi i këtyre dy vendeve në strukturat euroaltlantike do të kontribuonte për një rajon më stabil, shkruan Portalb.mk.

Osmani në konferencën e përbashkët me Pendarovskit të mbajtur pas takimit, tha se kjo vizitë është jashtëzakonisht e veçantë, pasi për herë të parë një president i Maqedonisë së Veriut zhvillon vizitë zyrtare në Kosovë dhe kjo sipas saj, rikonfirmon marrëdhëniet tashmë të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve në të gjitha nivelet.

Osmani vlerësoi se, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë shtyllë e stabilitetit, por po ashtu edhe e shtyrjes përpara të procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

“Kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje ndërkombëtare, disa memorandume ndërministrore si dhe nisma të tjera për marrëveshje të reja të cilat janë në proces të finalizimit. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona dhe dy popujt tanë lidhshmëri të mëdha, bashkëpunim të madhe në shumë fusha, përfshirë bashkëpunimin kulturor, tregtare etj, të cilat ne synojmë që t’i shtyjmë përpara”, tha ajo.

Në lidhje me proceset integruese të dy vendeve, presidentja Osmani tha se, ekziston vullneti i madhe i Republikës së Kosovës që ta rrisin koordinimin institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona në mënyrë që të thellohen edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe.

“Siç e dini Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë interesa të përbashkëta strategjike sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut tashmë është pjesë e NATO-s, aty ku ne synojmë të anëtarësohemi dhe ku meritojmë të anëtarësohemi sepse, një proces i tillë do të kontribuonte edhe më tej për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Por, procesi i integrimit evropian po ashtu mbetet prioritet mbi prioritetet dhe është një proces që na bashkon. Natyrisht që duhet ta përmend se edhe kësaj radhe, përkundër faktit që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, Bashkimi Evropian ende nuk e ka mbajtur premtimin. Në Maqedoninë e Veriut nuk shohim vetëm një fqinj, por edhe partnerë në shumë procese sepse të dyja synojmë integrimin evropian, prandaj shpresoj që mbështetjen verbale të deritanishme BE-ja ta shndërrojë në veprime konkrete për ta përkrahur edhe ecjen përpara me hapa konkret të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, presidenti Pendarovski tha se, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë dy vende miqësore të përkushtuara në shfrytëzimin e mundësive për përforcimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat.

“Sa i përket politikës së jashtme, ndajmë qëllime të përbashkëta strategjike. Maqedonia e Veriut i përkrah aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe në atë kontekst qëndrojmë në dispozicion për t’i përcjellë përvojat tona, si në rrugën drejt BE-së ashtu edhe në raport të aspiratave për integrim në aleancën e NATO-s. Anëtarësimi në këto dy organizata, do të thotë edhe stabilizim dhe prosperitet i mëtejmë i rajonit”, tha Pendarovski.

Ai riafirmoi qëndrimin e Maqedonisë së Veriut sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, duke thënë se ky kontest duhet të zgjidhjet përmes dialogut.

“Kuptohet me presidenten Osmani biseduam edhe për dialogun Prishtinë – Beograd. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky është një proces shumë i vështirë dhe i komplikuar por, besoj se të gjithë njerëzit me vullnet të mirë në rajon dhe më gjerë, do të mbështesin zgjidhjen e kontestit i cili në fund do të nënkupton pacifikim i pakthyeshëm i rajonit. Më lejoni me këtë rast ta riafirmoj qëndrimin tonë dhe ai është se, Maqedonia e Veriut mbështet zgjidhje të pranueshme të përbashkët për Prishtinën dhe Beogradin, me potencial që të kontribuojë drejt stabilitetit rajonal dhe i cili nuk do të rrezikojnë sigurinë e shteteve fqinje”, tha ai.

Pendarovski tha se, gjatë takimit është folur edhe për mundësinë e hapjes së vendkalimeve të reja kufitare mes dy vendeve.

Ndryshe, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot në shehsin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, u prit me ceremoni zyrtare me nderime shtetërore dhe ushtare nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button