Serbia hapi një bllok kapitujsh në negociatat me BE-në

Në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Serbia hapi në Bruksel, më 14 dhjetor negociatat për një bllok kapitujsh, transmeton REL.

Në konferencën ndërqeveritare është hapur blloku 4, që ka të bëj me politikën e transportit, energjisë, rrjeteve trans-evropiane, mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike.

Duke folur në emër të BE-së, Sekretari slloven i shtetit, Gasper Dovzhan, e cilësoi këtë hap si sukses të Presidencës sllovene, hap i cili do të ndikojë në dinamiken e procesit negociator.

Ai tha se megjithatë, përparimin, Serbia duhet të bëj më shumë në reformat e sistemit të drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në proceset e brendshme të rasteve të krimeve të luftës.

Nga Serbia është kërkuar që të ketë rol konstruktiv edhe në dialogun me Kosovën dhe se kjo “do të përcaktojë edhe dinamiken e negociatave të anëtarësimit”.

Komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi hapjen e katër kapitujve në negociatat me Serbinë e quajti “sinjal të rëndësishëm jo vetëm për Serbinë por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Negociatat e anëtarësimit po përparojnë dhe BE-ja po i përgjigjet përparimit që bëjnë shtetet kandidate. Hapja e negociatave për këta kapituj, do të thotë se tash mund të fillojë puna e rëndësishme në këto fusha. Na pret punë shumë e madhe” tha Varhelyi.

Serbia në këtë konferencë është përfaqësuar nga Kryeministrja, Ana Bërnabiq. Ajo tha se vendi i saj pret së shpejti hapjen e kapitujve të tjerë. Ajo paralajmëroi investime të mëdha të Serbisë në fushën e ruajtjes së mjedisit, një prej temave të përfshira në kapitujt që u hapën më 14 dhjetor.

Me hapjen e këtyre kapitujve Serbia tash ka të hapur, 22 nga 35 kapituj në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button