ANALIZË: Plan i ri për të “luftuar” borxhin publik – do të ulet borxhi, kredi të reja përmes obligacioneve të reja!

“Përcaktohet kufiri i totalit të borxhit publik në afat të mesëm dhe të gjatë, i cili nuk duhet të kalojë nivelin 60% të PBB-së” – shkruan në Strategjinë e re Fiskale të rishikuar 2022-2024 (me perspektiva deri në vitin 2026), kurse ulja e borxhit është parashikuar dhe në Strategjinë e rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik. Por, ky kufi tashmë është tejkaluar gjatë këtij viti ekonomik që është nga fundi i tij. Duke i kontrolluar të dhënat nga dokumentet e rishikuara, Portalb.mk analizon se cili është plani i qeverisë për menaxhimin e borxhit publik.

Borxhi publik do të rritet edhe në vitin e ardhshëm – por me një ritëm më të ngadaltë, do të ketë rritje edhe të borxhit shtetëror…

Do të ketë kredi të reja, brenda dhe jashtë vendit, por borxhi i shtetit do të jetë nën kontroll, në nivel të qëndrueshëm – parashikon Strategjia Fiskale e rishikuar. Ndryshe nga vlerësimet aktuale, vlerësimet e reja parashikojnë se stabilizimi i borxhit publik do të nisë më herët. Parashikimet aktuale thonë se rritja e moderuar e borxhit do të jetë rreth deri në vitin 2024, por qeveria vlerëson se kjo do të ndodhë më shpejt.

“Lëvizja e borxhit publik në afat të mesëm do të rritet mesatarisht deri në vitin 2023, si rezultat i pasojave të krizës dhe më pas, në periudhën pas vitit 2024, përmes masave të konsolidimit fiskal, pritet ulje e nivelit të borxhit”, thuhet në Strategjinë për Menaxhimin e Borxhit Publik.

Parashikimet e reja të rishikuara tregojnë se borxhi publik në vitet në vijim, deri në vitin 2025, do të jetë në një nivel më të lartë se 60% e PBB-së, megjithëse ato nivele janë më të ulëta se situata aktuale.

BORXHI PUBLIK I RMV-SË SI % E PBB-SË

Borxhi shtetëror si pjesë e borxhit publik pritet të rritet në vitin 2022 dhe 2023, dhe më pas do të fillojë një proces i uljes së tij. Shuma maksimale e huamarrjes neto në bazë të borxhit të shtetit në vitin 2022 është planifikuar në shumën prej 750 milionë euro.

Në Strategjinë e re janë paraparë lloje të reja të obligacioneve…

Si në buxhetin e vitit 2022, ashtu edhe në dokumentet e reja të rishikuara, Qeveria ka inkorporuar instrumente të reja përmes të cilave planifikon të sigurojë kredi të reja.

“Obligacionet e zhvillimit” – instrument i ri i huamarrjes afatmesme. E rëndësishme është që ky lloj obligacionesh do të indeksohen me përqindjen e inflacionit, gjë që duhet të nxisë financimin e projekteve zhvillimore. Obligacioni i zhvillimit do të ketë një kupon të caktuar dhe fillimisht do të jetë i destinuar për popullatën, pra për personat fizikë, me mundësi të jetë në dispozicion për bankat, fondet e pensioneve dhe pjesëmarrësit e tjerë në tregun financiar. “Lidhja” për inflacionin do të nënkuptojë mbrojtjen e investitorëve nga rreziku.

“Obligacionet e gjelbra” – me një qëllim konkret për inkurajimin dhe mbështetjen e projekteve për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe janë të dedikuara posaçërisht për financimin e projekteve ekologjike – ato duhet të sigurojnë kalimin në një ekonomi të gjelbër, të përmirësojnë efikasitetin e energjisë, të parandalojnë dhe reduktojnë ndotjen, transportin e pastër… Ndryshe nga obligacionet ekzistuese, bonot e gjelbra do të përdoren vetëm për projekte investimi ose zhvillim të gjelbër dhe do të jenë për shpenzime kapitale.

“Obligacione për projekte” – do të ofrohen si një mënyrë alternative për financimin e projekteve të infrastrukturës. Ato do të mund të blihen nga investitorë institucionalë për të marrë pjesë në projekte infrastrukturore përmes letrave me vlerë të listuara që mund të tregtohen me kthime të konsiderueshme të përshtatura me rrezikun.

Të gjitha këto lloj obligacionesh janë planifikuar si burime financimi kryesisht për projekte dhe qëllime specifike. Sa dhe cili do të jetë interesi, mbetet për t’u parë.

Megjithatë, si pjesë e burimeve të financimit, mbetet edhe huamarrja e brendshme dhe e jashtme – rritje pritet edhe te “borxhi publik i garantuar” që lidhet me kreditë për projekte.

“Pritet një rritje e moderuar e tij deri në vitin 2023 për shkak të tërheqjes së fondeve nga projektet kryesisht në infrastrukturën rrugore, të cilat realizohen me kredi të garantuara nga shteti, pas së cilës pritet stabilizim dhe ulje e borxhit të garantuar në 6,4% në vitin 2026. Në të gjithë periudhën, niveli i borxhit publik të garantuar dhe nën kufirin maksimal të përcaktuar” – thuhet në Strategjinë e rishikuar të Menaxhimit të Borxhit Publik. Deri në vitin e ardhshëm, huamarrja maksimale neto mbi bazën e borxhit të garantuar do të jetë 250 milionë euro.

Në fund të shtatorit, borxhi publik arriti në 6,95 miliardë euro, ndërsa borxhi i shtetit arriti në nivelin prej 5,98 miliardë euro. Borxhi publik e kaloi kufirin prej 60% të PBB-së në vitin 2020, duke arritur në 63,1% në gjysmën e parë të 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button