fbpx

Samiti për Demokraci erdhi në momentin e duhur, tani nevojiten vepra

Ajo që është shumë me rëndësi, për shumë vende, por sidomos për ne që jetojmë në vendet e Ballkanit, ku pritjet dhe shpresa nga demokracia ishin dhe janë ende të mëdha, edhe pse korrupsioni dhe mos-sundimi i ligjit e bren gradualisht këtë shpresë, është se ky Samit si platformë për dialog global të mos mbetet një manifestim me shumë premtime e deklarata të bukura.

Shkruan Bardhyl Jashari, drejtor i Fondacionit për internet dhe shoqëri “Metamorphosis”, foto nga Vanço Xhambaski

Samiti për Demokraci i presidentit Bajden që u organizua onlajn më 9 dhe 10 dhjetor padyshim që ishte nevojë urgjente. Ai vjen në një periudhë kur demokracia, si në Maqedoni, ashtu edhe në shumë vende të botës është dobësuar dhe përballet me sfida serioze siç janë: përgjime dhe vëzhgime ilegale, tendenca autokratike të përcjella me korrupsion, kufizime të lirisë, si dhe ndikim të pamatshëm të rrjeteve sociale. Freedom House në 15 vitet e fundit radhazi shënon rënie të demokracisë në botë, pra ishte ndoshta çasti i fundit kur pjesa demokratike e botës duhet të rikonfirmojë përkushtimin e vet për të mbrojtur vlerat themelore. Si i tillë, Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar dhe hulumtuar mënyrat më të mira për të forcuar së bashku demokracinë – qeveri, shtete, OJQ, etj.

Nevojiten vepra konkrete

Ajo që është shumë me rëndësi, për shumë vende, por sidomos për ne që jetojmë në vendet e Ballkanit, ku pritjet dhe shpresa nga demokracia ishin dhe janë ende të mëdha, edhe pse korrupsioni dhe mos-sundimi i ligjit e bren gradualisht këtë shpresë, është se ky Samit si platformë për dialog global të mos mbetet një manifestim me shumë premtime e deklarata të bukura. Ai duhet të krijojë përmbajtje me ndikim të matshëm dhe vepra konkrete në vijim, që do të kontribuojnë në forcimin dhe avancimin e demokracisë. Kjo është kyçe sepse paraqet mënyrën e vetme për të demonstruar se demokracia dhe shoqëritë demokratike janë më të mira dhe mund t’i tejkalojnë për nga suksesi dhe mirëqenia e qytetarëve alternativat autokratike – ashtu siç u shpreh edhe vet presidenti Bajden, në lidhje me qëllimet e Samitit për demokraci. Kjo nënkupton t’u ofrohet qytetarëve mundësi për jetë më të begatë, të sigurt dhe në paqe duke ruajtur liritë dhe vlerat qytetare në të cilat mbështetet demokracia e vërtetë.

Roli i organizatave joqeveritare

Aspiratat dhe përvojat e organizatave të shoqëria civile, duhet të pasqyrohen në mënyrë thelbësore në këtë dialog dhe në aktivitetet në vijim. Forcimi i demokracisë dhe lufta kundër autoritarizmit, luftimi i korrupsionit dhe promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut kërkon qasje inovative dhe një partneritet të mirëfilltë midis përfaqësuesve të qeverive dhe organizatave joqeveritare. Kjo përpjekje nuk mund të trajtohet vetëm si projekt teknik i shkëputur nga nevojat dhe specifikat që kanë komunitetet e ndryshme me të cilat punojmë. OJQ-të janë mirë të pozicionuara që këto nevoja dhe sfida t’i identifikojnë me precizitet dhe në bashkëpunim me qytetarët dhe aktorët tjerë relevant nga qeveria t’u përgjigjen me sukses. Vetëm kështu mund të arrihen rezultate të qëndrueshme dhe ata ta bartin misionin e tyre demokratik deri te secili qytetar, dhe posaçërisht t’i bëjnë të prekshme përfitimet nga një shoqëri demokratike ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e njeriut. Ndërkohë, kjo qasje do të mundësonte që të zhvillohen dhe kultivohen shprehi demokratike të bazuar në kontekstin social dhe kulturor te vendit ku vet qytetarët e vendit do të jenë bartës por edhe mbikëqyrës të vlerave demokratike. Edhe pse qeveria aktuale në Maqedoni është më e hapur dhe e gatshme për bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët me organizatat e shoqërisë civile, ajo që i mungon janë vepra konkrete që do të rikthenin besimin te qeveria, do të konkretizonte luftën kundër korrupsionit, dhe kjo drejtpërdrejt do të ndikonte në përforcimin e demokracisë në përgjithësi. Sundimi i ligjit duhet t’i tejkalojë kornizat e partive politike dhe politikat e tyre, sidomos sepse perceptimi te qytetarët është se nuk janë vetëm politikanët, apo administrata e korruptuar, por i gjithë sistemi i qeverisjes së vendit duke nisur nga sistemi gjyqësor.

Kur krerët e shteteve dështojnë në realizimin e premtimeve të tyre dhe nuk arrijnë të shndërrojnë retorikën e tyre pro-demokratike në vepra konkrete, janë pikërisht OJQ-të dhe mediat që kritikojnë, sensibilizojnë, ofrojnë zgjidhje dhe përkujtojnë vlerat demokratike duke u përpjekur të mbajnë shtetet në binarët e demokracisë. Shpesh ndodh që gjithashtu janë pikërisht ata të cilët i ndjejnë sulmet e para të regjimeve autokratike.

Shpresoj që Samiti të jetë ngjarja e cila do të shënojë fillimin e një periudhe të re e cila do të ngadalësojë dhe ndërpresë valën e tendencave autokratike si dhe do të riafirmojë demokracinë dhe vlerat që ajo ngërthen si modeli i vetëm i përshtatshëm për prosperitet. Përndryshe, dështimi në arritjen e rezultateve konkrete vetëm do ta përforcojë përshtypjen e shumë njerëzve që demokracia nuk funksionin si duhet, gjë që unë nuk pajtohem. Por, do të duhet ta kuptojmë këtë zhgënjim duke pasur parasysh dështimet e përsëritura të 30 viteve të fundit në vendin tonë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, mungesa e sundimit të ligjit, diskriminimi, drejtësia selektive, dhe shumë probleme tjera. Aq më tepër, kjo do t’i bëjë më të vështira përpjekjet tona si shoqëri civile për avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ende më keq, ky zhgënjim i akumuluar mund të kanalizohet në agjenda të gabuara anti-demokratike dhe njëkohësisht lirohet hapësirë për politikanë populistë dhe demagogë.

Shqetësimi i Kinës

Qeveria kineze sillet e zemëruar nga Samiti për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden. Këtë shqetësim kjo qeveri u mundua ta bëje të qartë për të gjithë botën. Një javë para se të mbahej samiti, ajo organizoi me nxitim forumin e saj të demokracisë dhe botoi një dokument (White paper) të quajtur “Kina: Demokracia që funksionon”, si dhe një raport të titulluar “Gjendja e demokracisë në SHBA”. Njëkohësisht, këto veprime ishin të shoqëruar me shumë artikuj, konferenca për media dhe postime nëpër rrjetet sociale ku lavdërohej fuqia e “demokracisë” kineze dhe epërsia e saj e supozuar ndaj demokracisë amerikane.

Ekzistojnë shumë arsye për këtë shqetësim. Pekingu e sheh Samitin për Demokraci si një përpjekje për të paraqitur garën mes SHBA dhe Kinës si një përballje mes dy demokracive, atë që Kina e pranon dhe atë që e refuzon. Kina insiston në pohimin e saj se ata kanë një “demokraci të popullit” e cila funksionon më mirë se demokracia e vendeve perëndimore dhe se jep rezultate më të mira për popullin. Ky pohim është pjesë e rëndësishme e ambicies kineze për t’u paraqitur si lider global.
Portretizimi i Kinës si një vend autokrat nuk i kontribuon kësaj ambicieje, dhe prej këtu buron një pjesë e shqetësimit të tyre. Por, ajo që Kina nuk dëshiron të kuptojë është se demokracia mes tjerash nënkupton edhe zgjedhje të lira, ku fitimtari nuk dihet prej në fillim dhe se modeli kinez të cilin ata e promovojnë me ngulm dhe përpjekja e tyre për ta ri-definuar demokracinë bie në ndesh me parimet themelore demokratike.

Shqetësim tjetër për Kinën ishte edhe pjesëmarrja e Tajvanit në Samit. Për Kinën kjo paraqet një ofendim të dyfishtë, sepse përveç kontestit historik ku Kina e konsideron Tajvanin pjesë të veten, është edhe vet  pjesëmarrja e Tajvanit në një ngjarje ku Kina nuk ishte e ftuar. Me këtë, administrata e presidentit Bajden e bëri të qartë përkrahjen e SHBA-ve dhe aleatëve të saj për prosperitetin dhe sigurinë e Tajvanit.

Pra, nga këndvështrimi kinez Samiti paraqet një iniciativë e cila synon ngadalësimin dhe zbehjen e ndikimit kinez në botë. Kësaj radhe numri i shteteve të përfshirë është shumë i madh, fakt që e bën Samitin për demokraci të duket më i fuqishëm në sytë e qeverisë kineze, dhe perceptohet si një tentativë për të forcuar sentimentin kundër Kinës dhe ngritjen e një “koalicioni anti-kinez” në botë.

Bashkëpunim edhe kundër sulmeve jo-ushtarake

SHBA duhet të forcojë institucionet demokratike në vendin e vet të cilat njësoj kanë pësuar goditje gjatë viteve të kaluar, ta rikthejë imazhin e vet si vend role-model për gjithë botën, si që ka qenë dhe mbetet për ne në Ballkan, dhe njëkohësisht të bashkëpunojë me vendet tjera demokratike duke përkrahur demokracitë e brishta, jo vetëm në Ballkan por edhe në vende të tjera. Vende të cilat shpesh e më shpesh janë viktimë të sulmeve të ndryshme jo-ushtarake: kibernetike, lajmeve të rreme, kampanja të ndryshme të dezinformatave, ndërhyrje në zgjedhje – që kanë për qellim lëkundjen e besimit ndaj demokracisë dhe shkërmoqjen e institucioneve. Kjo e bën kritik bashkëpunimin në fushën e teknologjisë e cila sot është në qendër të garës ekonomike, ushtarake, ideologjike dhe gjeopolitike mes vendeve demokratike dhe atyre autokratike. Përkrahja e vendeve të Ballkanit, në fushën e ‘sajber sigurisë’ është pjesë jetësore e përpjekjes për të mbrojtur demokracinë.

Samiti për demokraci mund të jetë një pikënisje e duhur dhe përpjekje me vlerë në këtë drejtim. Ai paraqet një rast të jashtëzakonshëm për të gjithë demokratët e botës dhe ata që besojnë në demokraci – të udhëhequr nga SHBA, të dalin të bashkuar me aktivitete konkrete përballë tendencave në rritje të autoritarizmit dhe sulmeve të tij ndaj demokracisë dhe mbrojtësve të vlerave demokratike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button