fbpx

Sali Berisha shkarkoi Lulzim Bashën si kryetar të PD-së

Në stadiumin “Air Albania” të Tiranës me 22,500 vende pati një përballje të vështirë të shtunën, por jo një ndeshje futbolli. Në vend të kësaj, një ish-president dhe ish-kryeministër 77-vjeçar me shumë gjasa sipas tij arriti të marrë “kontrollin” e partisë që ai themeloi në vitin 1991 nga pasardhësi i tij 47-vjeçar. Kuvendi shkarkoi me votim të fshehtë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me propozimin e 7 deputetëve dhe 15 për qind të delegatëve. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar, shkruan Top Channel.

Ngjarja e së shtunës dhe një kongres rival një javë më vonë – shënon kulmin e një lufte të shëmtuar tre mujore mbi lidershipin e Partisë Demokratike të opozitës.

Në një anë qëndron Berisha, pjesë e politikës shqiptare që nga rënia e komunizmit tre dekada më parë dhe në anën tjetër është Lulzim Basha, njeriu që Berisha promovoi nëpër radhët e partisë dhe të cilit përfundimisht i dorëzoi frenat e saj në vitin 2013.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ngjit sot në podiumin e Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij, duke e cilësuar atë si një monument madhështor të rithemelimit të forcës më të madhe politike në vend.

Nga piedestali i ngritur në stadium, ai deklaroi se de jure, rithemelimi i PD-së u bë realitet. Berisha theksoi se qëllimi i vërtetë i Kuvendit është shndërrimi i PD-së në partinë e idealeve më fisnike të shqiptarëve.

“Në partinë e vlerave konservatore të lira. Në partinë e interesit kombëtar. Në partinë e integrimit euroatlantik. Por, mbi të gjitha, në partinë e qytetarit, të anëtarit, të forcës politike që nesër në pushtet, do të ketë në qendër qytetarin shqiptar”.

Kështu mendon Berisha ta përkufizojë një PD sërish nën pushtetin e tij, pasi delegatët miratuan ndryshimet në statut dhe votuan me 4,446 vota për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar të demokratëve.

Kuvendi shkarkoi me votim të fshehtë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me propozimin e 7 deputetëve dhe 15 për qind të delegatëve. Ai u shkarkua për thyerje të rënda të statutit dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj. Por, jo vetëm. Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, i mbledhur nga njëra palë ka shkarkuar gjithë kupolën drejtuese të partisë dhe ka zhveshur nga funksionet edhe Kryesinë e saj me argumentin se nuk janë zgjedhur në konform statutit.

Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar.

Me ndryshimet në statut, servirur vetëm të shtunën delegatëve, Kuvendi ka shfuqizuar edhe vendimin e Lulzim Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.

 

foto nga Top Channel
foto nga Top Channel

Interesant është fakti se të gjitha vendimet e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, përfshirë ndryshimet në statut, do të shkojnë në gjykatë, aty ku pritet të fillojë edhe beteja ligjore nëse vetë gjykata do ta pranojë, sa kohë që ka një statut të depozituar me logon dhe vulën e partisë.

Për gjithë këtë proces, Kuvendi ka miratuar edhe një Komision Rithemelimi prej 29 anëtarësh që pritet të marrë në dorë drejtimin e partisë deri më 22 mars të 2022, kur do të thirret një Kuvend i ri. Se si do të vijojë puna e këtij komisioni nga 11 dhjetori e më pas dhe në çfarë ambientesh mbetet ende e paqartë.

Ajo që dihet deri më tani është se procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimi i anëtarësisë ekzistuese.

Një detaj kyç nga ky Kuvend ishte votimi i një dokumenti prej 49 faqesh ku sanksionohet me ligj vendosja e primareve, lejimi i fraksioneve, i referendumeve për votime të rëndësishme partiake, zbatimi i parimit “1 anëtar, një votë” për zgjedhjen e organeve qendrore dhe ato lokale, kryetari që humb zgjedhjet pavarësisht arsyeve i përfundon mandati menjëherë dhe pa asnjë ekuivok dhe votëbesohet në anëtarësi nëse ai humbet lokalet.

Me një tribunë të tejmbushur përpara vetes, Berisha u premtoi simpatizantëve të tij se do të rivendosë në shoqëri vlerat më të mëdha e më të çmuara.

“Liritë e individit, dinjitetin njerëzor, ekonominë e tregut, pronën, taksat e ulëta, rritjen e rrogave dhe pensioneve”, të gjitha këto do të jenë në fokusin e tij.

Mbi shpalljen “non grata”, Berisha ftoi sërish amerikanët që të reflektojnë duke vijuar më tej me retorikën e pastërtisë së figurës së vet, të cilën e quan si “të pakorroptuar”, por nuk harroi të hedhë poshtë edhe akuzat e ngritura ndaj familjarëve të tij.

Akuza, Berisha hodhi edhe mbi kryeministrin e vendit, Edi Rama, mbi të cilin foli për “Open Balkan”. Nismë kjo, të cilën Rama e ka mbështetur forcërisht. “Ai e ngatërron Procesin e Berlinit me procesin e Putin-it”, tha Berisha, duke iu referuar një roli të supozuar të presidentit rus në nismën rajonale.

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk i kurseu kritikat as ndaj ambasadores amerikane në Shqipëri, e cila sipas tij po sillet njësoj si ambasadori sovjetik në kohën e komunizmit.

Berisha e cilësoi si brutale ndërhyrjen e SHBA në punët e brendshme të PD, duke nënvizuar se ambasadorja nuk përfaqëson vlerat e lirisë dhe demokracisë që proklamon SHBA, por interesat e Xhorxh Sorosit.

Situata pas mbajtjes së këtij Kuvendi është bërë akoma edhe më kaotike, ku i paraprihet një procesi paralel brenda PD-së, një përfaqësohet nga strukturat zyrtare dhe tjetra nga një komision i përkohshëm rithemelimi që do të pushojë së ekzistuari me 22 mars të 2022, atëherë kur është thirrur një Kuvend i ri nga njëra palë.

Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i partisë në prag të seancës së parë të parlamentit në shtator, pas zgjedhjeve të përgjithshme të prillit që demokratët humbën ndaj socialistëve në pushtet për të tretën herë radhazi.

Basha lëvizi kundër ish-mentorit të tij pasi Shtetet e Bashkuara në maj e shpallën Berishën “persona non-grata”, duke përmendur përfshirje në “korrupsion madhor”, “shpërdorim të fondeve publike” dhe ndërhyrje në “procese publike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button