Tetovë, nevojitet bashkëpunim më i madh i policisë dhe pushtetit lokal për tejkalimin e bllokimit të trafikut

Që Tetova vuan nga trafiku i mbingarkuar nuk do shumë fjalë, mjafton një vozitje nga qendra deri te Universiteti i Evropës Juglindore e cili zgjat përafërsisht nga 10 deri në 45 minuta. Mungesa e parkingjeve të mjaftueshme për çdo ditë shkakton rrugë dhe trotuare të bllokuara në Tetovë. Policia i gjobit qytetarët që parkohen gabimisht, por megjithatë kjo nuk i largon pamjet e rrëmujave të përditshme në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Pushteti lokal në bashkëpunim me Sektorin për Punë të Brendshme nga praktika e kaluar nuk kanë bërë mjaftueshëm për të lehtësuar këtë problem. Kjo u diskutua sot në seancën e tretë të Këshillit të Komunës së Tetovës ku pati përfaqësues nga Policia dhe këshilltarët parashtruan pyetjet e tyre, ku debati zgjati rreth një orë e tepër.

Komandanti i policisë së trafikut, Zoranço Talev theksoi se SPB Tetovë numëron 44,592 automjete të regjistruara vetëm me targa të Tetovës dhe se në kushtet kur qyteti ka pak bulevarde dhe rrugë, nevojitet bashkëpunim më i madh i policisë dhe pushtetit lokal për tejkalimin e bllokimit të trafikut.

Zoranço Talev, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zoranço Talev, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Neni 7 i Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor parasheh që Komuna rregullon infrastrukturën e komunikacionit. Mendoj se duhet të arrijmë në një situatë ku duhet të ndëshkojmë më pak. Masat e propozuara nga ne për komunën janë rritja e numrit të automjeteve merimangë, futja e më shumë rrugëve njëkahëshe dhe rritja e numrit të inspektorëve të komunikacionit që do të punojnë për largimin e automjeteve që kryejnë transport publik dhe taksi në mënyrë të paligjshme.” tha Zoranço Talev.

Memet Jonuzi, ushtrues detyre drejtor i sektorit për Komunikacion, Rrugë dhe Tokë Ndërtimi, nga Komuna e Tetovës tha se si sektor kanë disa iniciativa dhe janë në fazën e gjetjes së zgjidhjes së parkimit, e cila sipas tij nuk zgjidhet Brenda natës, pasi në mungesë të planit detal urbanistik kaosi është grumbulluar prej shumë vitesh, ku ata si sektor duhet të respektojnë vendimet paraprake deri në zgjidhjen e problemit.

Memet Jonuzi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Memet Jonuzi, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Për atë se pse vazhdon të organizohet parkimi zonal gjatë Bulevardit e sqarova që ajo është me vendim të këshillit paraprak para tetë viteve e cila ka edhe pëlqimin e policisë së komunikacionit për organizimin e të njëjtës. Dhe Ndërmarrja e Parkingjeve vazhdon  kryesisht me ato vendime dhe pëlqime që janë në fuqi të dalura nga këshillat paraprake. Kjo nuk është kaos I ditës së sotme, është grumbulluar për vite me rradhë nga mungesa e planit gjeneral urbanistik dhe njëkohësisht planit për organizim të komunikacionit të qytetit, ne si sektor kemi disa iniciativa.” tha Memet Jonuzi.

Talevski nga Policia shtoi se në ligj qartë shkruan se në çfarë vendi komunikacionin e rregullon komuna dhe policia.

“Unë këtë e kam qartësuar para këshilltarëve. Po ashtu thash se ka numër të madh të veturave të regjistruara, ka rrugë të ngushtë, ka numër të vogël të parkingjeve, ka shumë pak automjete të merimangës dhe thash se në këtë drejtim të merren masa dhe të sigurojnë më shumë automjete dhe kjo është në përgjegjësi të komunës. Duhet të pyesni komunën për shenjat, sepse ata janë përgjegjëse për rregullimin e komunikacionit. Bashkëpunimi është më se normal, si ka qenë në të kaluarën po ashtu është edhe tani.” tha Zoranço Talev.

Ndërsa Memeti shtoi se janë në  fazën e gjetjes së zgjidhjes për parkimin.

“Përgjatë bulevardit Iliria dhe Ilindenit ne kemi disa parkingje të mbyllura që nuk janë në funksion, si shkak I uzurpimit me baraka të përkohshme, jemi në fazën e lirimit të atyre hapësirave, jemi në fazën e përpilimit të dokumentacionit për projekte konkrete dhe në fazën e marrjes së lejes nga ana e sektorit të urbanizmit, dhe në vitin e ardhshëm në gjashtëmujorin e parë të depërtojmë në ato parkingje dhe ta zbusim problemin e parkimit që të jetë e organizuar nga ndërmarrja.” tha Memet Jonuzi.

Nëse shihet ligjërisht, parkimi i veturave edhe përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen më pak është i përhapur në bulevardin “Industrial”.

Bilall Kasami shkeli premtimin e parë për parkingjet

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë periudhës parazgjedhore në daljet e tij publike theksoi se nëse vjen ai në krye të komunës, do t’i bëjë parkingjet të cilat janë në kompetencë të komunës pa pagesë, deri sa të sigurojë parking për çdo veturë në Tetovë.

“Po ua them të gjithë qytetarëve të Tetovës nga moment i ardhjes në Tetovë të Bilall Kasamit deri sa nuk gjejmë parking për çdo veturë nuk do të ketë pagesë të parkingut në Tetovë.” tha Bilall Kasami në Click Plus më 14 tetor.

Ky premtim i Kasamit  u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme.

Edhe nga komuna kanë njoftuar se së shpejti do krijohen edhe parkingje dhe hapësira të reja, por pa dhënë detaje konkrete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button