Dita e dytë e Samitit për demokraci: Ripërtëritja e demokracisë thelbësore për përballimin e sfidave të paprecedenta të kohës sonë

Sot zhvillohet dita e dytë e Samitit për demokraci që po  bashkon udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të “përcaktuar një agjendë afirmative për ripërtëritjen e demokracisë dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot, transmeton Portalb.mk.

Në ditën e parë të Samitit Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se demokracia po përballet “me sfida të qëndrueshme dhe alarmante” në mbarë botën. Ai këto komente i bëri në nisjen e Samitit për Demokracinë, një samit virtual, ku po marrin pjesë liderët e 110 shteteve, përfshirë edhe Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën.

Ndërkohë, presidenti i vendit Stevo Pendarovski, gjatë fjalimit të tij tha se në dekadën e fundit në të gjitha kontinentet madje edhe në demokracitë e konfirmuara, kemi qenë dëshmitarë të rritjes së populizmit, tendencave autoritare, të cilat e sfidojnë demokracinë dhe e bëjnë më të dobët.

“Nuk ekziston alternativë dhe nuk duhet të humbim asnjë minutë: revitalizimi i demokracisë është me rëndësi thelbësore për përballje me këtë sfidë pa precedent në kohën tonë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se siguria jonë, prosperiteti dhe të drejtat tona themelore dhe liritë janë të lidhura mes vete. Maqedonia e Veriut e mbështet plotësisht arsyen kryesore për këtë mbledhje dhe është e gatshme që të përkushtohet për themelet e botës së lirë: Fillimisht bashkë ta mbrojmë mënyrën tonë e të jetuarit nga shtetet autoritare dhe entitetet, në mënyrë të vendosur dhe koordinuar”, tha Pendarovski.

Kryeministri i Shqipërsë Edi Rama tha se Shqipëria ka bërë hapa përpara pas 50 viteve izolim ndërsa mbetet ende një “demokraci e re”. Ai përmendi reformën në drejtësisë një nga hapat më të rëndësishme, duke shtuar se janë larguar nga sistemi 70% e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Rama tha se sistemi i ri i drejtësisë do të jetë “i paanshëm dhe i pavarur” nga pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Nga ana tjetër presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në fjalën e saj tha se do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri në vitin 2022.

“Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut. Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci. Sot, Kosova vazhdon të përparojë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me tranzicion paqësor të pushtetit, liri të pacenuar të mediave dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut të vulosura në kushtetutën tonë”, tha Osmani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button