RMV, nëntë për qind e fëmijëve të moshës 5 deri në 17 vjeç kanë ankth, dy për qind vuajnë nga depresioni

Rreth nëntë për qind e fëmijëve nga mosha 2 deri në 17 vjeç kanë vështirësi funksionale në të paktën një fushë, sipas përgjigjeve të nënave / kujdestarëve të tyre. Sipas fushës së vështirësisë, nëntë për qind e fëmijëve të moshës 5 deri në 17 vjeç kanë ankth, ndërsa dy për qind vuajnë nga trishtimi ose depresioni, tregon hulumtimi i grupimit multi-indikator i Entit Shtetëror të Statistikave, zbatuar gjatë viteve 2018-2019 si pjesë e Programit global për gjendjen e fëmijëve dhe grave, transmeton Portalb.mk.

Sipas hulumtimit, shumica e fëmijëve në familjet më të varfra përjetojnë vështirësi funksionale në ndonjërën nga fushat, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në familjet më të pasura – 13 kundrejt 4 për qind.

Hulumtimi tregon gjithashtu se rreth 10 për qind e fëmijëve të moshës 2 deri në 17 vjeç mbajnë syze, ndërsa më pak se 1 për qind përdorin pajisje ose marrin ndihmë gjatë ecjes.

Programi global MIKS është zhvilluar nga UNICEF në vitet 90-ta si program ndërkombëtar i anketimit të familjeve me shumë qëllime për të ndihmuar vendet në mbledhjen e të dhënave të krahasueshme ndërkombëtarisht për një gamë të gjerë treguesish të statusit të fëmijëve dhe grave.

Me hulumtimin MIKS maten treguesit kryesorë që u mundësojnë vendeve të gjenerojnë të dhëna për zhvillimin e politikave, programet dhe planet e zhvillimit kombëtar dhe të ndjekin progresin drejt objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG) dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Mbështetja teknike për hulumtimin është ofruar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), me mbështetje financiare nga UNICEF, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe Ambasada Britanike.

Nga Enti Shtetëror i Statistikave theksojnë se Raporti i hulumtimit është publikuar në maj të vitit 2020, por për shkak të pandemisë globale kovid-19, si dhe për shkak të detyrimeve të shumta lidhur me Regjistrimin e vitit 2021, nuk ka marrë publicitetin që meriton dhe andaj, në periudhën në vijim do të publikojnë infografikë me të dhëna dhe pika kyçe nga raporti, me të cilat, siç theksojnë, duan të paraqesin pasqyrën e gjendjes së fëmijëve dhe grave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button