Rexhepi: Tentimi për rrëzim të Qeverisë ishte një aventurë e keqe

Deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi deklaroi mbrëmë në emisionin “Click plus” në TV 21 se, tentimi i fundit për rrëzim të Qeverisë ishte një “aventurë e keqe”, transmeton Portalb.mk.

“Tentimi për rrëzim të Qeverisë ishte aventurë e keqe. Ajo është përvojë e keqe politike. Jemi ngutur, por iniciatorë ishin VMRO – DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarë. Kryetari dhe sekretari gjeneral i Aleancës shkuan në zyre te kryetari i VMRO-së, në Kuvend dhe aty dakorduan gjithçka. E dija se nuk do të ishte mirë, por ja nënshkruam dhe doli se kam pasur të drejtë”, tha Rexhepi.

Ai tha se, vetëm sekretari gjeneral i Aleancës dhe kryetari aktual i Gostivarit, Arben Taravari, kanë pasur dobi nga VMRO – DPMNE, ndërsa gjithë të tjerë kanë humbur.

“VMRO – DPMNE nuk është e gatshme të çojë përpara procese serioze, mendoj për BE. Janë në rrugë të mirë ta bëjnë atë, por ende duhet të deklarohen qartë për disa çështje, si Marrëveshja e Prespës etj. Ne kemi humbur shumë me atë koalicion. Qytetarët na dënuan dhe kemi marrë 30.000 vota më pak. As nuk kemi bërë anketa para zgjedhjet që të shohim se çfarë mendojnë qytetarët. Në fund, doli se vetëm Taravari ka pasur dobi nga VMRO, sepse u bë kryetar i Gostivarit me ndihmën e VMRO-së”, tha ai.

Rexhepi pret që shumica në Qeveri të zgjasë deri në vitin 2024.

“Nëse gjithçka shkon siç duhet, nëse arrijmë të marrim datë, atëherë do të fokusohemi në reforma të rëndësishme, në luftë kundër korrupsionit, projekte në ekonomi, sundim të së drejtës dhe në atë rast nuk shoh arsye pse duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kjo shumicë do ta realizojë mandatin e plotë, deri në 2024”, theksoi Rexhepi.

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi nënshkruan marrëveshjen zyrtare për hyrjen e Alternativës në Qeveri.

Kujtojmë se, ASH dhe Alternativa kanë qenë partnerë të koalicionit dhe kanë garuar së bashku në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale dhe po ashtu, kanë funksionuar si grup i përbashkët parlamentare në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button