Lisiçe është vendi më i rrezikshëm për të jetuar në Shkup sipas ndotjes së ajrit (Infografik)

Niveli i ndotjes së ajrit në Shkup, gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti, ishte më i ulët se sa të njëjtën periudhë të vitit 2020. Grimcat PM 2.5 dhe PM 10 këtë vjeshtë shfaqin tendencë të rënies, ndërsa monoksidi i karbonit dhe dyoksidi i azotit janë brenda vlerave të lejuara. Gama e matjeve të cilësisë së ajrit në Shkup është rritur, kështu që stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbledhin të dhëna për grimcat PM 2.5 nga stacionet matëse në Gazi Babë, Lisiçe dhe Rektorati, shkruan Meta.mk.

Megjithatë, shumica e stacioneve matëse anembanë Shkupit tregojnë dallime të mëdha të përqendrimeve të rrezikshme të grimcave PM 2.5 në ajër. Përqendrimi maksimal i lejuar i këtyre grimcave në ajër është 25 mikrogramë për metër kub, ndërkohë që pikërisht ato janë më të rrezikshmet për shëndetin e njeriut. Matja e tyre në pesë lokacione të ndryshme, nëpër Shkup, tregon se në Qendër dhe Karposh ka përqendrim më të ulët të grimcave PM 2.5, ndërsa Lisiçe është lokacioni më i rrezikshëm për qytetarët sa i përket ndotjes së tillë.

Gjatë tetorit të vitit 2021, në stacionin matës në Qendër, përqendrimet maksimale të grimcave PM 2.5 janë tejkaluar 9 ditë, ndërsa në Karposh ndotje të tilla të rrezikshme ka pas vetëm në 2 ditë gjatë tetorit. Për dallim prej tyre, stacioni matës në Lisiçe ka regjistruar madje 21 ditë në tetor, kur janë tejkaluar vlerat kufi prej 25 mikrogramë për metër kub. Edhe te Rektorati janë vërejtur 17 ditë gjatë të cilave ka pas tejkalim të përqendrimeve maksimale, ndërsa në Gazi Babë gjatë tetorit ka pas 15 ditë kur gjatë 24 orëve janë tejkaluar vlerat e këtyre grimcave të dëmshme për shëndetin.

Një muaj më vonë, në nëntor të vitit 2021 në stacionin matës në Qendër gjatë 13 ditëve janë regjistruar tejkalime maksimale të përqendrimeve të grimcave PM 2.5 në ajër, ndërsa në Karposh tejkalime të tilla janë vërejtur vetëm gjatë 2 ditëve të gjithë muajit. Kundrejt kësaj, stacioni matës Lisiçe ka regjistruar 29 prej 30 ditësh, kur vlerat kufitare të grimcave PM 2.5 janë tejkaluar, në Rektorat tejkalim i tillë është regjistruar 26 ditë në muaj, ndërsa në Gazi Babë në 22 ditë gjatë nëntorit.

Këto dallime drastike të nivelit të ndotjes me grimcat PM 2.5, në lokacione të ndryshme të Shkupit, nuk mund të krahasohen me vitet paraprake sepse atëherë lokacionet për matjen e këtyre substancave të dëmshme funksiononin vetëm në Qendër dhe Karposh.

Në këto dy lokacione, në tetor dhe nëntor të këtij viti, janë vërejtur shumë më pak ditë me përqendrime të tejkaluara maksimale të grimcave PM 2.5. Ashtu që, tetorin e kaluar në Qendër ka pasur 26 ditë me vlera të tejkaluara kufitare, ndërsa këtë vit 9 ditë. Në Karposh në tetor 2020 ka pas 25 ditë me tejkalim të kufirit të rrezikshëm të PM 2.5, ndërsa këtë vit janë tejkaluan vetëm në 2 ditë gjatë tetori. Pothuajse të njëjtat të dhëna për këto dy lokacione kanë rezultuar edhe për muajin nëntor.

Se sivjet ka përmirësim tregojnë përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 në Qendër dhe Karposh. Mesatarja e grimcave PM 2.5 për muajin tetor 2021 në Qendër ka qenë 22.1 mikrogramë për metër kub, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, mesatarja për tërë muajin ka qenë 26.3 mikrogramë për metër kub.

Në Karposh, përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 në ajër në tetor 2021 kanë qenë 11,6 mikrogramë për metër kub, ndërsa vitin e kaluar të njëjtin muaj kanë qenë 23,1 mikrogramë për metër kub.

Për muajin nëntor 2021, përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 në stacionin matës në Qendër kanë qenë 26.5 mikrogramë për metër kub, ndërsa në nëntor 2020 kjo vlerë ka qenë 57 mikrogramë për metër kub.

Stacioni matës në Karposh, sipas raporteve mujore të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në nëntor 2021 tregon mesatarisht 15,4 mikrogramë për metër kub, ndërsa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 2.5 kanë qenë 52 mikrogramë për metër kub.

Infografik për tetor

Sa i përket grimcave PM 10, në ajrin e Shkupit, këtë vjeshtë është shënuar nivel më i ulët të ndotjes krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë nëntorit 2021, në të gjitha stacionet matëse është vërejtur reduktim i ditëve në të cilat është tejkaluar përqendrimi mesatar ditor i grimcave PM 10 të pezulluara në ajër. Stacioni matës në Lisiçe e ka numrin më të madh – 20 ditë të nëntorit 2021 në të cilat ajri i ndotur ka qenë mbi përqendrimin maksimal të lejuar prej 50 mikrogramë për metër kub.

Në tetor 2021, në katër nga pesë stacionet matëse në Shkup, është vërejtur numër i reduktuar ditësh, në të cilat janë tejkaluar vlerat kufitare të lejuara të grimcave PM 10 në ajër. Edhe në tetor 2021, ditët më të “rrezikshme” kanë qenë në stacionin matës në Lisiçe – gjithsej 11, ndërsa te Rektorati vetëm në 2 ditë të tetorit janë tejkaluar vlerat kufi të lejuara të grimcave PM-10 në ajër.

Të dhënat i krahasuam edhe në pjesën e përqendrimeve mesatare ditore të grimcave PM 10 në ajër në stacionin matës Lisiçe, që është pika më shqetësuese e ajrit të ndotur në Shkup. Në nëntor të vitit 2020, përqendrimet mesatare ditore të grimcave PM 10 kanë qenë 126,9 mikrogramë për metër kub, ndërsa në nëntor sivjet mesatarja ka qenë 66,2 mikrogramë për metër kub.

Krahasuar me tetorin 2020, mesatarja e grimcave PM 10 në stacionin matës Lisiçe ka qenë 50,6 mikrogramë për metër kub, ndërsa përqendrimet mesatare ditore në tetor sivjet kanë qenë 34,6 mikrogramë për metër kub.

Të dhënat për substancat e tjera të dëmshme në ajrin e Shkupit këtë dhe vitin e kaluar pothuajse gjithmonë kanë qenë brenda kufijve maksimalë të lejuar. Bëhet fjalë për dyoksidin e sulfurit, dyoksidit të azotit dhe monoksidit të karbonit, që kanë qenë të pranishme në stacionet matëse në kryeqytet. Përjashtim bën stacioni matës në Lisiçe për sa i përket monoksidit të karbonit, ku tetorin dhe nëntorin e vitit të kaluar vlera e lejuar është tejkaluar 14 herë brenda kufirit 8 orësh të kësaj lënde të rrezikshme në ajër.

Për sa i përket dyoksidit të azotit, sivjet vlerat e lejuara njëorëshe janë tejkaluar gjatë 4 ditëve të nëntorit dhe tetorit, në stacionin matës te Rektorati. Ndërsa vitin e kaluar përqendrimet e NO2 në ajër gjatë 1 ore të ditës, në stacionin matës në Lisiçe, janë tejkaluar vetëm një herë në muaj gjatë tetorit dhe nëntorit.

Nëse i shikojmë të dhënat për cilësinë e ajrit në Shkup, mund të konstatojmë se stacioni matës Lisiçe tregon të dhënat më shqetësuese për ndotjen e ajrit, të dëmshme për shëndetin e njerëzve të banorëve që jetojnë, punojnë ose shpesh lëvizin nëpër këtë lokacion në kryeqytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button