RMV, dekada e fundit më e ngrohta në historinë e vendit, ndryshimet klimatike do të sjellin vera të nxehta si ferri

Vera të nxehta dhe temperatura mesatare më të larta, dimra të butë pa borë, reduktim i reshjeve dhe periudha të gjata me thatësi janë kushtet e reja klimatike në Maqedoni, të cilat po i përjetojmë gjatë dekadës së fundit. Hulumtimet e Drejtorisë për Hidrometeorologji tregojnë se dekada e fundit nga viti 2011 deri në vitin 2020 është më e ngrohta, që kur kanë filluar matjet meteorologjike në vend, kurse parashikimet thonë se në vitet në vijim na presin rritje të temperaturave, thatësira dhe ngjarje ekstreme, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Klima po ndryshon si nën ndikimin e kushteve natyrore, por edhe më shumë nën ndikimin e aktiviteteve njerëzore. Ndryshimet brenda tridhjetë viteve të fundit janë të dukshme në nivel global, shumë qartë vërehet rritja e temperaturës së ajrit, ndryshimi i regjimit të reshjeve, ndërkohë që dukshëm është rritur frekuenca e ngjarjeve dhe periudhave me kushte ekstreme klimatike.

“Në këtë dekadë, nëntë vitet 2012-2020 janë në rangun e vlerave më të larta të temperaturës vjetore të ajrit, për 70 vitet e fundit, ndërsa për stacionet meteorologjike Gjevgjeli, Demir Kapi, Strumicë, Shtip dhe Lazaropole, viti 2019 është viti më i ngrohti deri tani”, thotë Nina Aleksovska, drejtuese e Departamentit të Meteorologjisë në DPHM.

Sipas hulumtimeve të fundit, rritja e temperaturës pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Amplituda e rritjes, deri në fund të këtij shekulli, do të varet kryesisht nga skenarët për emetimet e ardhshme të gazrave serrë, duke treguar qartë se gjendja klimatike e ardhshme e vendit do të përcaktohet nga suksesi i zbatimit ndërkombëtar të politikave të ndryshme që ndërlidhen me reduktimin e emetimeve të gazrave serrë.

Deri në mesin e shekullit, rritja e pritshme e temperaturës vjetore është nga 1 deri në 2,5 gradë, ndërsa deri në fund të shekullit rritja do të jetë nga 1,5 deri në 5 gradë Celsius, varësisht nga emetimet e gazrave serrë.

“Për dallim nga temperatura, e cila do të rritet, reshjet vjetore pritet të ulen, kryesisht si pasojë e uljes së ndjeshme të reshjeve verore. Reduktimi i reshjeve vjetore deri në fund të shekullit do të jetë 20 % ose 30 %, varësisht nga emetimet e ardhshme të gazrave serrë”, thotë Aleksovska.

Sipas të dhënave të DPHM, që janë pjesë e Raportit  të fundit të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të treguesve për mjedisin jetësor, 2019 ka qenë viti më i ngrohtë, me temperaturë mesatare vjetore prej 14,6 gradë Celsius, i cili e ka pas devijimin më të madh nga temperatura mesatare vjetore, nga mesatarja e periudhës 1981-1990, e ky devijim ka arritur në 2 gradë Celsius. Viti më i ftohtë, me temperaturë mesatare vjetore prej 12,2 gradë ka qenë viti 2005, që është 0,4 gradë më e ulët se vlera mesatare për të njëjtën periudhë.

Edhe vitin e kaluar, 2020, me gjithë ngadalësimin e ekonomisë botërore, veçanërisht të transportit dhe pjesës më të madhe të prodhimit industrial, për shkak të pandemisë kovid-19, ai sërish renditet ndër vitet më të ngrohta në historinë e vendit.

Në Shkup, sipas të dhënave nga Raporti, temperatura mesatare vjetore e ajrit vitin e kaluar, krahasuar me vlerën mesatare për periudhën e referencës nga viti 1981 deri në vitin 1990, është rritur për 1,2 gradë Celsius. Në Manastir për periudhën nga viti 1961 deri në vitin 1990 rritja është për 1,5 gradë, në Gjevgjeli për 1,9 dhe në Lazaropole për 0,9 gradë Celsius.

Në të ardhmen, sipas parashikimeve të DÇHM, Maqedonia do të përballet me klimë më të ngrohtë dhe më të thatë dhe do shpeshtohen ngjarjet ekstreme me rritje të nxehtësisë, ndërsa ulje të ngjarjeve ekstreme të ftohta.

“Në të gjithë vendin pritet të rritet frekuenca dhe kohëzgjatja e valëve të nxehta, ndërsa valët e ftohta do të jenë dukuri e rrallë madje me mundësi edhe të zhduken. Klima më e ngrohtë njëkohësisht do të shkaktoje ndryshim në kohëzgjatjen e periudhës së vegjetacionit. Reduktimi i reshjeve verore do të ndikojë në kohëzgjatjen e ditëve të thata, të njëpasnjëshme, gjë që do të rrisë rrezikun e thatësirave. Në anën tjetër, pritet rritje potenciale e reshjeve ekstreme ditore, të cilat do të shkaktojnë rrezik më të madh për vërshime të stuhishme”, thotë Aleksovska.

Sipas Raportit vjetor për klimën,i publikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike, shtatë vitet e fundit – nga 2015 deri në 2021, janë ndoshta më të nxehtat deri sot. Në nëntë muajt e parë të vitit 2021, temperatura mesatare është rritur për rreth 1,09 gradë krahasuar me periudhën paraindustriale. Ndryshe nga vendi ynë, ku gjatë vitit 2019 pati temperatura rekord, viti 2016 ishte më i nxehti në nivel botëror.

Rritja e temperaturës mesatare në 20 vitet e fundit (2002-2021), për herë të parë e kapërceu pragun simbolik prej plus 1 gradë Celsius nga mesi i shekullit të 19-të, kur njerëzit filluan të përdorin lëndë djegëse fosile në shkallë industriale. Qëllimi i njerëzimit i përcaktuar nga Konferenca e fundit për ndryshime klimatike, që para pak kohe u mbajt në Glazgov, është që deri në vitin 2030 të mos tejkalohet kufiri i ngrohjes prej 1,5 gradë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button